.

.

BallinaPertejAsnjë siguri për pushuesit, mbi 80 % e plazheve shqiptare pa vrojtues

Asnjë siguri për pushuesit, mbi 80 % e plazheve shqiptare pa vrojtues

ANXHELA RUÇI

Bilanci i viktimave për këtë sezon turistik në plazhet shqiptare konfirmon mosfunksionimin e ligjit për sigurinë në këto ambiente.

Të paktën 14 persona kanë humbur jetën gjatë këtyre dy muajve. Bashkitë kanë konstatuar mungesën e vrotjuesve të plazhit, por nuk eshte marrë asnjë masë ndaj subjekteve që janë kontraktuar për menaxhimin e plazheve. 

————————————————————————————————–

Mbi 14 persona kanë humbur jetën në plazhet e vendit sipas Policisë së Shtetit që nga nisja e sezonit turistik. Nga 922 plazhe të inspektuara nga Inspektorati Qëndror i Mjedisit (INSQ), vetëm 186 prej tyre kishin vrojtues plazhi, ndërsa në të gjithë vendin numërohen thuajse 401 kulla vrojtimi. 

Shifrat zyrtare konfirmojnë mosrespektimin në masë të detyrimit ligjor me pasoja fatale në jo pak raste për pushuesit. 

Në vendimin e ndryshuar në mars të 2019-s caktohet qartë detyrimi që u lind bizneseve për pajisjen me vrojtues të licensuar gjatë kohës që ata marrin me qira hapësirat në bashkitë bregdetare.  

VKM nr 171, datë 27.03.2019 për miratimin e rregullores “ Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, përsëritet disa herë se kushti për pajisjen me roje bregdetare është thelbësor, megjithatë situata aktuale në plazhet tona tregon një realitet tjetër.  

Prania e vrojtuesve në plazhe është detyrim ligjor

në fazën e parë të aplikimit, njësitë e vetëqeverisjes kanë si kërkesë parësore për aplikantët që së bashku me dokumentet e tjera, të dorëzojnë një vetëdeklarim se janë njohur me përgjegjësitë që kanë gjatë ushtrimit të aktivitetit, përfshirë dhe garantimin e sigurisë së jetës së pushuesve me vrojtues plazhi.

Në fazën e përzgjedhjes, subjektet detyrohen me ligj të paraqesin një marrëveshje paraprake me vrojtuesit e plazhit të cilët do të garantojnë sigurinë në stacionet e plazhit gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës. Vetëm pasi plotësohen këto kushte, nënshkruhet kontrata midis vetëqeverisjes vendore dhe subjektit.

Pasi kalojnë të gjitha këto faza, subjekti që ushtron aktivitet në stacionet e plazhit është në dijeni se nëse gjatë inspektimit vërehet se s’ka vrojtues plazhi kontrata do të zgjidhet edhe pse afati nuk ka përfunduar. 

Stacionet e plazhit në pothuajse të gjithë Shqipërinë “ngelen në klasë”

Nga ana ligjore çdo gjë është e qartë dhe e mirëpërcaktuar, por situata në terren është e kundërta e asaj që shkruhet në dokumenta zyrtare.

Inspektorati Qëndror i Mjedisit (INSQ) që është dhe institucioni përgjegjës për kontrollin e stacioneve të plazhit, tha për “Faktoje” se në ditët e fundit të korrikut është përmbyllur faza e parë e këtij procesi, ajo e monitorimit të stacioneve të plazhit. Gjatë kësaj faze janë vërejtur shkelje të rënda në pothuajse të gjithë stacionet e plazhit, ku vetëm 20 % e stacioneve kanë vrojtues plazhi.

Numri i vrojtuesve në plazhe, statistika të Inspektoratit Qëndror të Mjedisit

Fieri (me plazhin e Semanit) është një nga vendet që nuk ka asnjë vrojtues, ndërsa Vlora rezulton me numrin më të lartë të vrojtuesve(84) në stacionet e plazhit.

Inspektorati Qëndror i Mjedisit ka lajmëruar qeverisjen vendore dhe subjektet për shkeljet e gjetura dhe u ka lënë një afat disaditor për përmbushjen e kritereve.

Gjatë muajit gusht inspektorët nisin fazën e dytë që konsiston në inspektimin dhe marrjen e masave për bizneset që nuk kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në VKM. E vetmja masë administrative që mund të marrë Inspektorati kundrejt bizneseve, është një gjobë prej 200 mijë lekësh të reja për moslidhjen e kontratës me bashkinë. Ndërsa penalizimi me gjobë apo mbyllja e aktivitetit të subjektit shkelës, janë përgjegjësi e Bashkive.

“Faktoje” pyeti Bashkinë e Shkodrës, Lezhës, Vlorës, Himarës dhe Sarandës nëse kanë kryer inspektime në stacionet e plazhit për kushtet e sigurisë. Të gjitha bashkitë pohojnë se kanë ushtruar kontrolle në territoret e dhënë me qira, por nuk konfirmojnë të kenë marrë masa për subjektet që nuk plotësojnë kriterin kryesor, pajisjen me vrojtues plazhi. 

Ndërkaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit në qershor të 2019-s publikoi një raport për situatën e rojeve bregdetare në plazh sëbashku me disa rekomandime. Në raport, KLSH rekomandon që vrojtuesit e plazhit të punësohen nga bashkia që në momentin e lidhjes së kontratës dhe kostoja të paguhet nga qiramarrësi. Një tjetër rekomandim është që kullat e vrojtimit  të vendosen në një distancë jo më larg se 100 m, kur në fakt vendimi në fuqi i Këshillit të Ministrave cakton një distancë prej 250 m.

Gjetjet që ka bërë “Faktoje” në terren nga Velipoja ne Ksamil

“Faktoje” bëri një verifkim përgjatë vijës bregdetare mbi praninë e vrojtuesve në stacionet e plazhit.  Në pjesën më të madhe të tyre rezultoi se kullat e vrojtimit janë të shumta, por vrojtuesit e plazhit mund të numërohen me gishtat e duarve.

Gjatë vëzhgimit në Velipojë, “Faktoje” identifikoi vetëm 2 vrojtues plazhi përgjatë gjithë vijës bregdetare.

Foto: Anxhela Ruçi, korrik 2019 Velipojë

Në plazhin e Tales nuk arritëm të gjenim asnjë vrojtues të vetëm, ndërsa nga kullat vrojtuese kishin mbetur vetem skela druri apo hekuri.

  Foto: Klevis Paloka, Tale korrik 2019

Në plazhin e ri në Vlorë, në morinë e kullave të vrojtimit, takuam vetëm një person që na u prezantua si vrojtues plazhi edhe pse nuk mbante uniformën përkatëse apo pajisjet e nevojshme që i nevojiten një vrojtuesi.

Foto:Anxhela Ruçi,  korrik 2019 Vlorë

Dhërmi, një nga plazhet më të frekuentuar të jugut, ku shërbimet kanë çmime luksi, vrojtuesit në kulla mungojnë. 

Foto: Merxhan Daci, korrik 2019 Dhërmi

Llaman nuk ka as kullë dhe as vrojtues plazhi.

Foto: Anxhela Ruçi , korrik 2019 Llaman

Sarandë (brenda në qytet) përveç dy kullave të vrojtimit nuk vërejtëm roje bregdetare, por vetëm disa rroba të varura në të. 

Foto: Anxhela Ruçi, korrik 2019 Sarandë

Ksamil, një tjetër plazh i populluar gjatë sezonit veror siç është Gjiri i Hartës u përballëm me një realitet krejt ndryshe. Roja bregdetare ishte prezente me uniformë dhe të gjitha mjetet e nevojshme, por nuk kishte një kullë vrojtimi.

Nga vëzhgimi i “Faktoje” në terren dhe konstatimi i institucioneve përgjegjëse rezulton se siguria në plazhet e vendit nuk është e garantuar, edhe pse një gjë e tillë është parashikuar me ligj. 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img