Pothuajse dy vite pasi kryeministri Edi Rama premtoi se qytetarët do të mund të ndërvepronin me një asistent virtual me zë dhe figurë në portalin e-Albania, shërbimi ka nisur më në fund të ofrojë disa funksione automatike, edhe pse pjesërisht.

Jona Plumbi

Asistenti virtual i portalit qeveritar e-Albania, i quajtur Diella, duhej të vihej në funksion brenda vitit 2024. Kështu njoftoi kryeministri Edi Rama në fund të vitit 2023. Afati u shty, dhe në fund të vitit 2024 Rama përsëriti zotimin, duke shtuar një detaj të rëndësishëm. 

Sipas tij, në fillim të vitit 2025 qytetarët jo vetëm do të kërkonin ndihmë me zë dhe figurë, por do të mund të merrnin automatikisht shërbimin përmes komandave zanore nga asistenti virtual.

Por në mars 2025, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) pranoi për Faktojen se Diella ende nuk realizonte shërbimet, si për shembull shkarkimin e një çertifikate, për përdoruesit.

Vetëm në mesin e vitit 2025 platforma nisi të mundësonte marrjen automatike të disa dokumenteve bazë përmes komandave me shkrim ose me zë.

Faktoje arriti të marrë disa dokumenta personale duke kërkuar me shkrim apo me zë marrjen e shërbimit tek asistenti virtual i portalit qeveritar.

Sipas AKSHI-t, aktualisht asistenti ofron 54 dokumente përmes një komande zanore, ndërsa puna vijon për të zgjeruar gamën e shërbimeve.

Institucioni nuk dha një afat përfundimtar dhe refuzoi të publikonte koston e zhvillimit, duke argumentuar se ajo varet nga përdorimi dhe kapacitetet teknologjike.

Nisma vjen në sfondin e vendimit të vitit 2022 për mbylljen e sporteleve fizike dhe kalimin e të gjitha shërbimeve vetëm online. Ky tranzicion rezultoi i vështirë për shumë qytetarë dhe i papërballueshëm për të tjerë. Tre vite më vonë, nw Korrik 2025 qeveria u detyrua të vendoste ndihmë në zyrat e bashkive dhe njësive administrative për qytetarët që nuk arrijnë të përdorin portalin.

Duke qenë se disa shërbime tashmë mund të merren automatikisht nga asistenti virtual i portalit e-Albania, por premtimet e kryeministrit janë shtyrë në mënyrë të përsëritur dhe nuk janë plotësisht të realizuara, zotimin e tij e vlerësojmë si pjesërisht të mbajtur.