Anulimi i tenderave nga SPAK lidhet vetëm me një kriter…ligjin

SPAK thotë se i referohet vetëm dispozitave ligjore për mënyrën e filtrimit të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në procedura prokurimi

364

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi pak kohë më parë anulimin e tenderit me rreth 4 milionë euro për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinës së re.

Referuar dokumenteve të publikuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, SPAK argumentonte se arsyeja e anulimit ishte se në proçedurat me një fazë nuk u dorëzua asnjë ofertë e përshtatshme.

screenshot e njoftimit per anullimin e procedurave te SPAK

Për të kuptuar më shumë se çfarë nënkupton ofertë e papërshtatshme për SPAK, si kalojnë filtrat e verifikimit për kompanitë, Faktoje.al iu drejtua SPAK me një kërkesë për informacion.

screenshot e kerkeses drejtuar nga Faktoje

 “Ofertë e papërshtatshme ka kuptimin e përcaktuar në gërmën a,  pika 1, neni 52 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 285, datë 19.05.2021, “Për miratimin e Rregullave të Prokurimit Publik” (i ndryshuar) ku citohet se “…Ofertat dhe kërkesa për pjesëmarrje, konsiderohen si tё papërshtatshme, kur mangёsitё nuk kanё lidhje me kontratën dhe duket qartë që nuk mund të plotësojnë, pa pësuar ndryshime thelbësore, nevojat dhe kërkesat e autoritetit/entit kontraktor, të specifikuara në dokumentet e tenderit, si edhe kur operatori ekonomik ndodhet në kushtet e skualifikimit sipas nenit 76 tё LPP-sё, ose nuk përmbush kriteret e përzgjedhjes të përcaktuara nga autoriteti/enti kontraktor sipas nenit 77 tё LPP-sё”, përgjigjet SPAK për Faktoje.al

screen shot e pergjigjes nga SPAK per kerkesen drejtuar nga Faktoje.al

Lidhur me mënyrën e filtrimit të operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në procedura prokurimi, SPAK gjithashtu sqaron se i referohet vetëm dispozitave të parashikuara në ligj.

“Për çdo operator ekonomik është e detyrueshme përmbushja e të gjitha kritereve në vështrim të pikës 3, neni 92 të Ligjit Nr.162, datë 23.12.2021 “Për prokurimin publik” (i ndryshuar) ku citohet se  “Autoriteti ose enti kontraktor, në zbatim të pikës 4 të këtij neni, vlerëson një ofertë të vlefshme vetëm nëse ajo është në përputhje me të gjitha kërkesat dhe specifikimet e përcaktuara në njoftimin e kontratës dhe në dokumentet e tenderit, pa rënë ndesh me përcaktimet e nenit 38 të këtij ligji. Oferta konsiderohet e vlefshme edhe nëse ajo përmban devijime të vogla, të cilat nuk ndryshojnë thelbësisht karakteristikat, kushtet dhe kërkesat e tjera, të përcaktuara në dokumentet e tenderit, gabime shtypi, të cilat mund të korrigjohen pa prekur përmbajtjen e saj, si edhe ato të lidhura me informacionet që merren lehtësisht nga dokumente faktike, që tregojnë gjendjen e operatorit ekonomik në kohën e ofertimit”.

Duke rikonfirmuar se ka patur edhe raste të tjera anulimi të procedurave, SPAK sqaron për Faktoje.al se, ky fenomen nuk ndikon në mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni.

screenshot e kerkses per informacion drejtuar SPAK

Në çdo rast anulimi, Autoriteti Kontraktor merr të gjitha masat masat për riinicimin e procedurave deri në finalizimin e tyre me qëllim mundësimin e infrastrukturës së nevojshme në kuadër të përmbushjes së detyrave të Institucionit tone”, thotë SPAK.

Përkundër rregullave strikte që ndjek SPAK që në thelb nuk rezulton të jetë asgjë më tepër se zbatimi i ligjit, nga ana tjetër Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton në çdo raport vjetor të saj keqmenaxhime dhe shkelje të shumta në dhënien e tenderave

Vetëm për raportin e vitit 2023 KLSH ka adresuar 67 materiale për auditime të ndryshme në SPAK si dhe ka
kallëzuar penalisht 10 zyrtarë të administratës shtetërore për veprën penale shpërdorim i detyrës dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.