Nevila Gjata

I dënuar me 2 vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje, duke përfituar nga një leje e posaçme nga Drejtoria e Burgjeve, Alfred Beleri arriti të betohej dy ditë më parë në Strasburg si një nga eurodeputet grekë në Parlamenti Evropian.

Ka shumë gjasa që i njëjti udhëtim në Strasburg të përsëritet së shpejti nga Beleri për të dorëzuar në krahun tjetër të rrugës, në Gjykatën Evropiane të Drejtave të Njeriut, një ankesë ndaj shtetit shqiptar për shkeljen e të drejtave të tij. 

Çështja e mandatimit të Alfred Belerit do të vijojë të jetë një nga më të debatueshmet juridikisht në të drejtën penale dhe legjislacionin zgjedhor shqiptar.

Fillimisht një mandat kryetari bashkie i pamundësuar për shkak të mungesës në rregulloren e Drejtorisë së Burgjeve për të siguruar një leje të posaçme gjatë paraburgimit. Më pas fitimi i mandatit të eurodeputetit grek në Parlamentin Evropain ndërsa ndodhej në qelinë e burgut shqiptar. Së fundi, pavlefshmëria e mandatit me një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nuk u apelua. Tashmë dhe investimi i Gjykatës Administrative për të pezulluar dekretin e Presidentit të Republikës për datën e zgjedhjeve të reja në Himarë.

Faktoje.al sjell një rishikim të debatit ligjor mbi heqjen e mandatit të Alfred Belerit dhe shpalljen e zgjedhjeve të 4 gushtit në bashkinë e Himarës, për të provuar edhe njëherë se sa e nevojshme është të parashikohen në të ardhmen ndryshimet e duhura ligjore për rastet e ngjashme.

KQZ investohet për heqjen e mandatit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i njëjti dhe i vetmi që i njohu mandatin e fituar me vetëm 19 vota diferencë të Alfred Belerit në 14 maj 2023, u konsiderua si institucioni i vetëm që mund të shpallte edhe pavlefshmërinë e këtij mandati. Shkak për këtë ngërç është fakti që Beleri është i pari politikan i zgjedhur pas arrestimit, i cili nuk arriti të bënte betimin për shkak të izolimit dhe si rrjedhojë nuk zyrtarizoi një mandat që mund t’i revokohej.

Fati i mandatit të kryetarit të bashkisë Himarë u përcaktua në 25 qershor 2024, kur Gjykata e Apelit në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit la në fuqi dënimin me 2 vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje ndaj Alfred Belerit.

Një ditë pas këtij vendimi të GJKKO, në KQZ u depozitua një kërkesë nga Eugen Likaj, për shpalljen e pavlefshme të mandatit të Alfred Belerit dhe për pasojë shpalljen e zgjedhjeve të reja. Likaj, që shumëkush e prezantoi si kryetari i FRESSH për Himarën, shprehte të drejtën si një prej zgjedhësve të kësaj bashkie për këtë kërkesë shpalljeje së pavlefshmërisë.

Avokatja e Alfred Belerit, Klodiana Gjyzari, e quajti të pambështetur në ligj këtë kërkesë nga një qytetar i Himarës në seancën e zhvilluar në KQZ në 5 korrik 2024.

Sipas saj, neni 7 i ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i dekriminalizimit, parashikon të drejtën e nisjes për verifikimin e të dhënave nga jo më pak se 500 shtetas me të drejtë vote. Gjithashtu, verifikimi sipas nenit 2 të ligjit për dekriminalizimin, parashikohet mbi të dhënat e formularit të vetëdeklarimit të zyrtarit të zgjedhur, duke vënë në pikëpyetje nëse ky verifikim është i mundur në rastin e zotit Beleri, të arrestuar pas plotësimit të formularit.

Vlefshmëria që ka marrë përsipër të kryejë KQZ shqyrtohet mbi bazën e verifikimit të të dhënave të dorëzuar nga Alfred Beleri në momentin e kandidimit dhe kjo procedurë është përfunduar nga KQZ. Madje KQZ  i është drejtuar edhe prokurorisë për të dhëna të thelluara.

Do të ishim para një vendimmarrje të KQZ në rast se Prokuroria do të kishte të dhëna ta ndryshme nga ato që janë deklaruar në formular para së të kandidonte, që në rastin konkret nuk ekziston”, tha ajo.

Eridian Salianji, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, e kanalizoi debatin në  çështje burokratike dhe jo ligjore.

Ligji i dekriminalizimit nuk interpretohet si pjesë e një neni, por thelbi është që personat e dënuar me vendim të formës së prerë nuk mund të ushtrojnë funksione publike dhe KQZ në këtë rast ka të drejtën për ta hequr apo ndërprerë mandatin për kryetarin e Bashkisë së Himarës dhe të njoftojë organet. Pra është proces automatik, jemi thjesht për konstatimin e faktit, a ka vendim të Apelit apo jo? Pastaj kush e bëri kërkesën në KQZ kjo nuk ka rëndësi”, tha Salianji, duke u kapur edhe ai në fakt tek një pjesë e nenit të ligjit dhe jo e plota.

Përgjigja për Salianjin nëse ishte subjekt i dekriminalizimit nuk erdhi nga Beleri, por Ivi Kaso, përfaqësuesi i PD-së në KQZ. 

Vetëm në ato raste kur del një fakt që nuk është paraqitur në formular që ka ndodhur para marrjes së mandatit atëherë ndërhyn KQZ. Në rastin konkret për Belerin aplikohet ligji tjetër, ai për organet e vetëqeverisjes vendore (Ligji 139/2015, Neni 62), i cili parashikon rastin kur i mbaron mandati pavarësisht se nuk ka mundur ta marrë. Pra, nëse do që t’i heqë mandatin, Këshilli i Ministrave duhet të marrë përgjegjësinë që ta shkarkojë sepse është dënuar me vendim të formës së prerë”, tha Kaso.

Por çfarë thotë neni 62 i ligjit për vetëqeverisjen vendore?

Neni 62

Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve; b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata; c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Mesa duket, rasti Beleri nuk është parashikuar as në kushtet e nenit 62 të këtij ligji. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili ndodhej krah Belerit në diskutimin e hapur të KQZ, e kishte dhënë më herët shpjegimin e tij mbi arsyet e mungesës së firmës nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, Beleri duhet të betohej njëherë që të merrte zyrtarisht detyrën dhe vetëm atëherë mund të vihej në lëvizje Këshilli i Ministrave sipas nenit 62. Në bazë të pikës 4 të një tjetër neni, atij 60 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, thuhet se, “ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”.

Fryma e ligjit mbush hapësirat e pa parashikuara

Në kushtet e ngërçit ligjor se cila është zgjidhja juridike ndaj një të zgjedhuri  (me por dhe pa mandat) tashmë të dënuar që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja, Ilirjan Celibashit, i vetmi që kishte dhënë firmën për mandatin e Belerit, i ra detyra të argumentonte një tjetër vendim të ndryshëm për rastin në fjalë.

Ai sqaroi që në fillim se kërkesa për ta shqyrtuar nuk kishte lidhje me ndonjë nxitje nga jashtë duke e distancuar debatin që mund ta lidhte organin zgjedhor me qeverinë.

Celibashi argumentoi gjithashtu se nga pikëpamja formale KQZ kishte respektuar të njëjtat procedura, të njëjtat afate si në rastet e tjera, edhe pse pranoi se rasti Beleri në thelbin e vetë ligjor ishte i ndryshëm nga të gjitha rastet e tjera që ka shqyrtuar KQZ lidhur me dekriminalizimin.

Për kryekomisionerin pak rëndësi kishte nëse në këtë rast kryebashkiaku ishte në detyrë apo jo.

Në kushtet kur verifikohet që personi i zgjedhur kryetar bashkie ka kryer një vepër penale për të cilën ligji të ndalon të kandidosh, a e ka kompetencën KQZ në bazë të ligjit për dekriminalizimin për ta zhvleftësuar këtë mandat? Unë jam i bindur se po. E ka këtë të drejtë dhe ky ligj ose këtij ligji i nënshtrohen me shumë akoma ata të cilët e kanë marë këtë detyrë.

Do duhet ta pranoja ndoshta që kaq qartë dhe literale në ligj kjo nuk është e shkruar, por në kuptim dhe interpretim tërësor të përmbajtjes dhe qëllimit të atij ligji unë mendoj se kjo është shumë e qartë. Me bindje të plotë mendoj se ne jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të bashkisë Himarë Dionisus Alfred Petro Beleri dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat”, njoftoi Celibashi në përfundim të seancës së 5 korrikut.

Presidenti dhe zgjedhjet në Gjykatën Administrive

Në fund të mbledhjes 50 minutëshe, Celibashi njoftoi se Alfred Beleri kishte të drejtën e ankimimit në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ, brenda 30 ditëve nga shpallja e vendimit.

Pa pritur këtë afat ankimi, në të njëjtën ditë u vu në lëvizje kryeministria duke i çuar vendimin e KQZ-së, institucionit të Presidencës për dekretimin e datës së zgjedhjeve të reja në Himarë.

Pa humbur kohë, brenda orarit zyrtar të asaj dite, presidenti Begaj dekretoi 4 gushtin si datë për zgjedhjet e reja vendore në këtë bashki. Ky nxitim u denoncua nga PD si një pamundësi e Alfred Belerit për të ankimuar shfuqizimin e mandatit të tij. Për kryekomisionerin Celibashi, një rrugë e mundshme për ankimimin mund të jetë Kolegji Zgjedhor.

Aktualisht dekreti i Presidenti Bajram Begaj po shqyrtohet nga Gjykata Administrative pas një padie të dërguar nga mbrojtja e zotit Beleri. Ky i fundit i kërkon gjykatës që të pezullojë dekretin e presidentit dhe gjithashtu, pezullimin e dekretit deri në shpalljen e vendimit.

Paralelisht, KQZ ka nxjerrë një projektvendim për afatet e depozitimit të emrave të kandidatëve dhe procedurave që duhet të ndiqen për zgjedhjet në Himarë. Fushata, duke qenë e kushtëzuar nga koha e shkurtër, do të jetë zyrtarisht vetëm 9 ditë.

Komisioni Rregullator në anën tjetër nuk e kaloi projektvendimin e KQZ-së, por Ilirjan Celibashi tha për mediat se ai vendim nuk ishte detyrues për KQZ e për pasojë, nuk e pengonte punën për vijimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve në Himarë. Por ndryshe e mendon PS. Si për t’i komplikuar më tej debatet juridike, socialistët dorëzuan një padi në Gjykatën Administrative për Komisionin Rregullator të KQZ, me objekt detyrimin e këtij të fundit që të marrë vendim për afatet e zgjedhjeve të 4 gushtit.

Me shumë gjasa këto paqartësi ligjore do të vijojnë të ngrenë debate në shqip, por edhe anglishten e Brukselit dhe Strasburgut në muajt në vijim.