Nga Anila Balla
Teatri Kombëtar i Shqipërisë, i cili e ushtron aktivitetin e tij tek ArTurbina që prej vitit 2018, përballet me sfida në menaxhimin e fondeve, ku pavarësisht rritjes së shpenzimeve administrative, mbetet i paplotësuar angazhimi i plotë i trupës aktoriale.
Teatri sot përballet me sfida të shumta, ndër të cilat një nga më kryesoret dhe më të vazhdueshmet mbetet kufizimi i buxhetit. Kriza e teatrit shtrihet në disa dimensione, por më e dukshmja është menaxhimi financiar. Krahasuar me institucionet e ngjashme në rajon, Teatri Kombëtar operon me një buxhet që nuk i përgjigjet as nevojave bazike të prodhimit teatror bashkëkohor. Buxhetet e kufizuara shtetërore për artin dhe kulturën ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e prodhimeve teatrale dhe në pagesat e artistëve.
Për vitin 2024, Teatri Kombëtar ka një buxhet vjetor me vlerë 119,052,091 lekë. Nga kjo shumë, 78.6% e buxhetit (93,570,711 lekë) shpenzohet për pagat e punonjësve dhe sigurimet shoqërore. Fondi artistik i Teatrit Kombëtar përbën vetëm 9.4% të buxhetit vjetor (11,200,000 lekë), ndërsa 11% (13,182,000 lekë) shkojnë për mirëmbajtjen e ndërtesës, kostot operative.
Ekziston një paradoks i dukshëm mes pagave administrative përballë fondit artistik në teatër: sa më shumë rriten shpenzimet për administratën, aq më të pakta bëhen mundësitë për prodhimin teatror. Megjithëse prania e aktorëve të përhershëm është thelbësore për funksionimin e teatrit dhe siguron vazhdimësinë e punës artistike, prodhimi i shfaqjeve teatrore, që është dhe misioni kryesor i këtij institucioni, duket se mbetet në plan të dytë për nga prioriteti buxhetor.
Teatri gjendet në një situatë paradoksale ku ka staf të mjaftueshëm numerikisht, por përdorim joefektiv të talenteve dhe kapaciteteve. Kjo krijon një hendek mes potencialit artistik dhe realizimit praktik të misionit institucional.
Në trupën e Teatrit Kombëtar punojnë 65 punonjës, prej të cilëve 32 janë pjesëtarë të trupës artistike. Gjatë një sezoni artistik, jo të gjithë aktorët përfshihen në shfaqje; një pjesë e tyre presin që regjisori i brendshëm ose i kontraktuar t’i përzgjedhë për role. Një aktor i kategorisë së tretë ka përafërsisht një pagë bruto në vlerën 118,360 lekë në muaj. Mospërfshirja e këtij aktori i kushton arkës së shtetit 1,420,320 lekë në vit. Një aktor i kategorisë së dytë ka përafërsisht një pagë bruto në vlerën 151,248 lekë në muaj. Mospërfshirja e këtij aktori i kushton arkës së shtetit 1,814,976 lekë në vit. Një aktor i kategorisë së parë ka përafërsisht një pagë bruto 173,629 lekë në muaj. Mospërfshirja e këtij aktori i kushton arkës së shtetit 2,083,548 lekë në vit.
Gjatë vitit 2022, vetëm 25 aktorë u ngjitën në skenë, ndërsa për vitin 2023 numri i tyre arriti 30. Problemi i aktorëve të punësuar, por të paangazhuar në Teatrin Kombëtar është një problem i përhershëm, të cilit nuk po i jepet zgjidhje[1].
Teatri Kombëtar ka një përgjegjësi të përcaktuar qartë: në çdo prodhim artistik duhet të përfshijë 70-80% të trupës së tij të përhershme. Megjithëse, përzgjedhja e aktorëve për shfaqjet mbetet në gjykimin artistik të regjisorëve. Aktualisht, institucioni ka të punësuar dy regjisorë: njëri është emëruar rishtazi, ndërsa tjetri nuk ka vënë në skenën e Teatrit Kombëtar asnjë shfaqje në pesë vitet e fundit.
Roli i dy regjisorëve të përhershëm në Teatrin Kombëtar është strategjik dhe i dyfishtë. Ata duhet të sigurojnë qëndrueshmëri në kalendarin artistik dhe të krijojnë mundësi angazhimi për aktorët që shpesh nuk përzgjidhen nga regjisorët e jashtëm. Realiteti aktual, megjithatë, paraqitet problematik. Njëri prej regjisorëve të brendshëm, ndonëse aktiv në projekte artistike jashtë institucionit, nuk ka realizuar asnjë shfaqje në teatrin ku është në listëpagesë. Bie në sy kontrasti me skenografin dhe kostumografen e teatrit, të cilët angazhohen rregullisht në pothuajse çdo prodhim.
Dëmi është publik: buxheti vjetor shpenzohet për paga që nuk justifikohen me prodhimtari artistike; vihet re mpakje e zhvillimit profesional të aktorëve, të cilët humbasin lidhjen me zanatin dhe publikun; mungon diverstiteti i zërave dhe roleve artistike; bie numri i spektatorëve, të cilët kanë nevojë të shikojnë aktorë të ndryshëm në skenë; rritet pakënaqësia në komunitetin artistik dhe te qytetarët që paguajnë taksa, të cilët kërkojnë një menaxhim efektiv të fondeve publike.
Përtej problematikave të brendshme, pasojat e kësaj situate shtrihen në dimensionin kulturor kombëtar. Mungesa e një repertori të pasur dhe angazhimi i kufizuar i artistëve po krijojnë një boshllëk në jetën kulturore të vendit, duke rrezikuar të humbasë rolin historik që Teatri Kombëtar ka pasur në formimin e identitetit kulturor shqiptar.
Sipas të dhënave zyrtare të teatrit, gjatë vitit 2023 janë prodhuar gjithsej tri premiera: “Orfeu zbret në ferr”, “Ëndrra ime, Rina” dhe “Voiçek”, si dhe bashkëprodhimi “Shtëpia e Zotit”. Krahas këtyre, Teatri Kombëtar mbështet festivalin e gjimnazeve të Tiranës “TK Rin Art” dhe Festivalin e Teatrit Shqiptar “Moisiu”. Këto dy veprimtari kanë shumë vlerë; e para ndihmon në edukimin e të rinjve përmes teatrit dhe në ndërtimin e publikut të ardhshëm, ndërsa e dyta nxit frymën e konkurrencës mes trupave teatrore të trevave shqiptare.
Tri premiera në vit për Teatrin Kombëtar përbëjnë një numër të pamjaftueshëm, duke marrë parasysh rolin dhe përgjegjësitë e këtij institucioni në zhvillimin e artit teatror në vend. Si qendra kryesore e krijimtarisë artistike, Teatri Kombëtar, duhet të ofrojë shfaqje cilësore dhe të përfshijë një larmi aktorësh. Numri i kufizuar i premierave nuk mundëson përfshirjen e të gjithë aktorëve të punësuar, duke lënë shumë prej tyre në pamundësinë për të ushtruar profesionin. Edhe aktorët e përzgjedhur nga regjisorët marrin mesatarisht një ose dy role në vit.
Drejtori aktual i teatrit, në platformën e paraqitur pranë Ministrisë së Kulturës gjatë aplikimit për pozicionin e drejtorit të institucionit, parashikon që burimet njerëzore do të vihen në dispozicion të teatrove lokale ose do të integrohen në programet alternative të Teatrit Kombëtar. Megjithatë, deri më sot nuk është ndërmarrë ndonjë nismë konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila do të mundësonte aktivizimin e aktorëve dhe praninë e tyre në skenë para publikut.
Për të kapërcyer këtë situatë të vështirë, institucioni ka nevojë për një transformim të thellë në disa drejtime themelore. Së pari, duhet një rishikim rrënjësor i modelit të financimit dhe shpërndarjes së burimeve, duke synuar një ekuilibër më të drejtë mes shpenzimeve administrative dhe fondit artistik. Paralelisht me këtë, është thelbësore hartimi i një strategjie të qartë e përpiluar me grupet e interesit, për angazhimin e plotë të trupës artistike, e cila do të garantonte shfrytëzimin optimal të talenteve në dispozicion të teatrit. Institucioni duhet gjithashtu të aplikojë një sistem bashkëkohor të vlerësimit të performancës, si për stafin artistik ashtu edhe për atë administrativ, duke vendosur standarde të matshme dhe objektive. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, është domosdoshmëria e forcimit të mekanizmave të llogaridhënies dhe transparencës institucionale, të cilat do të siguronin një menaxhim më efektiv dhe një përgjegjshmëri më të lartë ndaj publikut dhe taksapaguesve.
Teatri Kombëtar, pavarësisht sfidave aktuale, mbetet një institucion me potencial të madh zhvillimi. Përvoja historike dhe kapitali njerëzor që disponon mund të shërbejnë si bazë për një rigjallërim të jetës teatrore në vend. Kjo kërkon vullnet institucional, mbështetje politike dhe një vizion të qartë për të ardhmen e artit dramatik në Shqipëri. Vetëm përmes një reforme të thellë strukturore dhe një qasjeje të re menaxheriale mund të arrihet transformimi i këtij institucioni në një qendër të vërtetë të ekselencës artistike, siç e kërkon historia dhe rëndësia e tij kombëtare.
[1] https://shqiptarja.com/lajm/n-euml-teatrin-komb-euml-tar-paguhen-br-aktor-euml-q-euml-s-punojn-euml-prej-10-vitesh
Ky artikull u mundësua me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.