Foto nga seanca parlamentare e te enjtes

Kuvendi miratoi të enjten (76 vota pro, asnjë kundër) në seancë parlamentare aktin normativ të dakordësuar paraprakisht mes partive për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së pasaportave dhe kartës së identitetit deri më 31 maj 2025, për shtetasit me vendbanim jashtë vendit me qëllimin e vetëm, atë të votimit në zgjedhjet e afërme parlamentare.

Numri i zgjedhësve me vendbanim jashtë vendit me dokumente të skaduara nuk është i vogël referuar relacionit shoqërues të Aktit normativ.

Rreth 523,283 shtetas shqiptarë kanë dokumente të cilat skadojnë para zgjedhjeve. Me miratimin e Aktit normativ, afati i regjistrimit për këta shtetas në platformën e KQZ, që jetojnë jashtë, është gjithashtu në kufijtë e limitit: Deri më 4 mars.  

Kuvendi

Në fillim të seancës, që zgjati disa orë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se afati duhet të shtyhet edhe për zgjedhësit (me dokumente te skaduara) në Shqipëri ndërsa propozoi që të shtyhet me 10 ditë data për regjistrimin e diasporës.   

Ne foto: Sali Berisha ne Kuvend

“Aktet që paraqiten këtu janë gjysmake dhe hipokrite. Sepse në qoftë se bëjmë fjalë se 800 mijë shqiptarë i kanë të skaduar dokumentet dhe miratojmë aktin për t’u mundësuar votimin duke u lënë vetëm 5 ditë afat, ky është akt qesharak që do damkosë këtë mazhorancë me një damkë tjetër të zezë dhe të merituar. Në qoftë se miratojmë këtë akt sot, atëherë të paktën të shtyjmë me 10 ditë, të bëjmë 15 ditë mundësinë e votimit të tyre. Së dyti, ju propozoni këtu një akt që i diskriminon shqiptarët. Në qoftë se e zgjatni afatin për shqiptarët që janë jashtë, duhet të zgjatet edhe për ata që janë edhe brenda. Nuk mund të ketë dy standarde…”, tha Berisha.

Ne foto: Deputeti i PS, Damian Gjiknuri Foto LSA

Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, kundërshtoi propozimin e Berishës për shtetasit shqiptar që jetojnë brenda vendit.

“Nuk ka asnjë shtetas shqiptar, që nuk e ka mundësinë që të aplikojë sot dhe të mos e marrë letërnjoftimin për 10 ditë se nuk ka as fluks…”, tha Gjiknuri   

Paraprakisht partitë kryesore politike kishin rënë dakord që të shtohet një dispozitë kalimtare, që zgjat vlefshmërinë e pasaportës dhe kartës së identitetit për shtetasit me vendbanim jashtë vendit deri më 31 maj 2025, për një qëllim të vetëm: të drejtën e votës në zgjedhjet e 11 majit

Të dhënat

Aktualisht janë 435 690 shtetas me të drejtë vote, të cilët disponojnë dokument letërnjoftim elektronik, me vlefshmëri deri në datën 15 maj 2025;

209 931 shtetas me të drejtë vote, të cilët disponojnë letërnjoftim dhe pasaportë biometrike, me vlefshmëri deri në datën 15 maj 2025.

Ky akt normativ është cilësuar nga propozuesit si një masë e përkohshme që ka për qëllim të mundësojë pjesëmarrjen e plotë në votim të shtetasve shqiptarë jashtë vendit në zgjedhjet e 11 majit.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, çdo shtetas shqiptar, që ka mbushur moshën 18 vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, pa dallim race, etnie, gjinie, gjuhe, bindjeje politike, besimi, aftësie fizike ose gjendjeje ekonomike, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet

Çdo zgjedhës ka të drejtën e vetëm një vote për zgjedhjen e një subjekti zgjedhor

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, 237,510 zgjedhës me vendbanim jashtë kanë bërë kërkesë për regjistrim, 191,932 zgjedhësve u është miratuar kërkesa ndërsa 40 mijë të tjerëve u është refuzuar