.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëA po punohet me tre turne për rindërtimin, siç premtuan Rama e Ahmetaj?

A po punohet me tre turne për rindërtimin, siç premtuan Rama e Ahmetaj?

EDIT NIKOLLI & JOEL ÇELA

Kryeministri Rama dhe Ministri i Rindërtimit Ahmetaj, gjatë inspektimeve në disa zona të bashkive që u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, u zotuan se do të punohet me tre turne, që rindërtimi të përfundonte sa më parë. Këto deklarata janë bërë për spitalin e Laçit dhe zonat e banuara të tij, në Thumanë, Lagjen 5 maji në Tiranë, etj. Por nga verifikimi i Faktoje rezultoi se në asnjë prej këtyre kantiereve nuk punohej gjatë turnit të tretë.


Më 28 janar të këtij viti, Kryeministri Rama së bashku me ministrin e Rindërtimit Ahmetaj dhe Kryebashkiakun Veliaj inspektruan kantierin e ndërtimit në lagjen ‘5 maji’në Tiranë.

“Gjëja që kam merak dhe e kemi diskutuar disa herë është që në të gjithë kantieret e rindërtimit, për sa i përket kantierëve që kanë të bëjnë me pallate të jetë taksative, me tre turne, ditën, natën më tre turne”-u shpreh kryeministri Rama.

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion bashkive të prekura nga dëmet e tërmetit të 26 nëntorit, me pyetjen nëse po punohej me tre turne, sipas zotimeve.

                           Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë, 18 shkurt 2021

E vetmja bashki që ktheu përgjigje ishte Bashkia Tiranë:

“Në të gjithë kantieret e rindërtimit, për të relizuar këtë proces, po punohet me ritëm maksimal sipas kontratave, projekteve dhe preventivave të miratuara dhe sipas grafikut për çdo kontratë. Gjithashtu ju bëjmë me dije se në këto kantiere po punohet me më shumë se një turn, duke u përshtatur me kushtet e motit, në zbatim të kushteve teknike të ndërtimit.”-thuhet ndër të tjera në përgjigjen e bashkisë Tiranë.

                                                                        Përgjigje e Bashkisë Tiranë

Më pas Faktoje vendosi të bënte një vëzhgim në terren, pas orës 23:00, në zonat e atyre bashkive ku kryeministri apo ministri i Rindërtimit kishin premtuar se do të punohej me tre turne.

Faktoje shkoi për verifikim në kantierin e ndërtimit në lagjen 5 Maji, ku nuk gjeti punëtorë në terren. Edhe pse kushtet atmosferike ishin të mira, konstatuam që gjatë turnit të tretë nuk punohej.

                                  Kantieri i ndërtimi në “Lagjen 5 Maji” pa punëtorë, 25 mars, ora 23:20

                        Kantieri i ndërtimi në “Lagjen 5 Maji” pa punëtorë, 25 mars, ora 23:20

Faktoje verifikoi nëse po punohej me tre turne edhe në bashkinë Kavajë, ku është premtuar ndërtimi i 9 pallateve, shtatë në qytet dhe dy në Njësinë administrative Golem, gjithsej 300 banesa kolektive.

                         Kantieri i ndërtimi të pallateve në Kavajë pa punëtorë, 26 mars 2021, ora 01:55

                        Kantieri i ndërtimi të pallateve në Kavajë pa punëtorë, 26 mars 2021, ora 01:55

Më 9 shkurt të këtij viti Kryeministri Rama inspektoi punimet në kantierin e ndërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Laç. Ministri Ahmetaj, që e shoqëronte gjatë kësaj vizite, duke garantuar se punimet për 524 apartamentet do të përfundonin në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit, tha:

“Këtu, kryeministër punohet me tre turne dhe cilësia e punimeve nga gjithë monitorimet dhe raportet që kemi është jashtëzakonisht shumë e mirë”.

Faktoje ishte në kantierin e ndërtimit të banesave kolektive në Laç, ku konstatoi se nuk po punohej në turnin e tretë.

                                    Kantieri i ndërtimi në Laç, 26 mars 2021, pa punëtorë ora 00:50

                                       Kantieri i ndërtimit në Laç, 26 mars 2021, pa punëtorë ora 00:50

Më 16 shkurt të këtij viti, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, inspektoi fillimin e punimeve për ndërtimin e spitalit të ri të Laçit, që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjatë kësaj vizite Kryeministri Rama dha ultimatumin:

“Duhet të punoni 24 orë, me tre turne, me tre turne që ta mbarojmë përpara afatit!”

Në kantierin e spitalit të Laçit, gjatë verifikimit që bëmë, konstatuam se në mesnatë nuk punohej.

                                Kantieri i ndërtimit për Spitalin e Laçit, 26 mars 2021, ora 00:50

 Më 8 prill 2020, gjatë inspektimit në Thumanë, një ndër zonat më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri Rama premtoi se me gjithë ngadalësimet e shkaktuara nga pandemia, të gjitha ato familje që banonin në shtëpi individuale në Thumanë, do të futeshin në shtëpitë e reja brenda vitit 2020.

“Duhet bërë çmos të punohet me 3 turne që këto shtëpi të mbyllen brenda vitit”, theksoi Kryeministri.

Faktoje gjatë verifikimit në terren, konstatoi se nuk po punohej me tre turne, edhe pse angazhimi ishte që këto banesa të ishin përunduar brenda 2020-s.

                    Kantieri i ndërtimi të shtëpive individuale në Thumanë, 26 mars 2021, ora 00:16

                      Kantieri i ndërtimi të shtëpive individuale në Thumanë, 26 mars 2021, ora 00:16

                        Kantieri i ndërtimi të shtëpive individuale në Thumanë, 26 mars 2021, ora 00:16

Nga verifikimi i kryer në terren i Faktoje, në 5 kantiere ndërtimi për të cilat kryeministri Rama dhe ministri Ahmetaj u zotuan se do punohej me 3 turne, vendosëm që këto deklaratat t’i kategorizojmë të Pavërteta.


*Korrigjim: Në artikullin e publikuar në datë 29.03.2021 dy foto që i përkasin kantierit të ndërtimit të Laç, gabimisht janë vendosur me përshkrimin “kantieri i ndërtimit në Thumanë”. Këtë e korrigjum në datën 30.03.2021 me emërtimet e sakta.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img