Nga Sebi Alla
7.3 kilogramë kanabis të fshehura në kotecin e pulave dhe kosheret e bletëve, të kapura në pronën e shtetasit Begtash Zeneli nga Lezha, mund të shërbejë si “precedent” për të ndryshuar praktikat gjyqësore në dhënien e masave të sigurisë, veçanërisht atij ekstrem siç është “arresti me burg”.
Ndonëse nuk bëhet fjalë vetëm për këtë individ, rasti “Zeneli”, po shihet si dosje për të ndryshuar në thelb nenet 228 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale që ka të bëjë specifikisht me masat e sigurisë.
“Në këto kushte, çështja konkrete nuk paraqet interes vetëm për zgjidhjen e rastit individual, por ngre nevojën për të vlerësuar nëse praktika e konsoliduar nga vendimi unifikues nr. 7, datë 14.10.2011, duhet të vijojë të mbahet në të njëjtin kuptim apo kërkon rishqyrtim të pjesshëm, si dhe nëse, krahas këtij rishqyrtimi, paraqitet nevoja për njësim ose zhvillim të mëtejshëm të praktikës gjyqësore në zbatimin e neneve 228-230 të Kodit të Procedurës Penale”, argumenton kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, në një vendim të datës 09.03.2026.
Vetëm një muaj më pas, “dosja me prioritet” kaloi për shqyrtim ditën e sotme në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Seanca
Në seancën e zhvilluar sot në Gjykatën e Lartë, akuza u përfaqësua nga prokurori Arqile Koça, ndërsa gjyqtari Ilir Panda parashtroi në cilësinë e relatorit rrethanat e çështjeve të ofruara për shqyrtim, bazuar në vendimin e ndërmjetëm të Sadushit.
Avokati Luan Hasneziri përfaqësoi në këtë proces personin nën hetim, Bektash Zeneli. Edhe pse Zeneli është thjesht “rasti” për “rastet e tjera”, debati në seancën e sotme u zhvillua mes përfaqësuesit të akuzës dhe gjyqtarëve të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
“Nuk mund të nxirret rrezikshmëria e autorit vetëm nga rrezikshmëria e veprës penale”, tha Koça.
Ai kërkoi që Kolegjet e Bashkuara të arsyetonin se si masat e tjera më të buta të sigurimit personal do të garantonin pjesëmarrjen e autorit në procesin penal.
Avokati Luan Hasneziri solli në vëmendje se gjatë karrierës së tij 20 vjeçare si gjyqtar kishte shqyrtuar me mijëra kërkesa për masa sigurimi personal. Sipas Hasnezirit, gjykata duhet të analizojë edhe shkaqet për papërshtatshmërinë e masave të tjera.
“Rrezikshmëria e veprës penale dhe ajo e personit nën hetim janë të pamjaftueshme për të caktuar ‘arrest në burg’. Burgu të vendoset kur çdo masë tjetër sigurimi personal është e papërshtatshme,” nënvizoi ai.
Diskutimi
Dyshimi i ngritur nga opozita, por edhe ekspertë të pavarur të jurisprudencës thonë se nisma e kreut të Gjykatës së Lartë për të dalë në një vendim unifikues të kolegjeve të kësaj gjykate mbi masat e sigurisë, synon daljen nga qelia, ose masa më të ulëta sigurie në vijim për zyrtarë të lartë pulik ose të zgjedhur, deputetë ose kryetarë të bashkive dhe këshillave bashkiakë.
“Nesër Sadushi, që kërcënon absolutisht sigurinë e Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, del me vendimin që ata që janë në paraburgim pa vendim të prerë, të dalin. Ky është vendimi Veliaj. Por nga vendimi “Veliaj” përfitojnë me dhjetëra bosë të drogës, krerë të organizatave kriminale”, tha kreu i PD-së Sali Berisha në një konferencë shtypi të mbajtur këtë të mërkurë.
Precedentët
Por në interpretim të arsyetimit se përse është i nevojshëm një vendim i ri unifikues, Sadushi përmend tre raste të shtetasve të ndryshëm kundër Shqipërisë, të trajtuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut; rasti “Muçaj”, “Hysa” dhe “Gëllçi”.
Ata merren si “precedent” që mund të shërbejnë në vendimin përfudimtar të Gjykatës së Lartë mbi dhënien e “masave të sigurisë”. Në të përmenden citime si: “vijimësia e një dyshimi të arsyeshëm është kusht sine qua non për vlefshmërinë e arrestit në burg, por nuk mjafton më pasi kalon një fare kohe. Në këtë rast, gjykata duhet të verifikojë nëse shkaqe të tjera të dhëna nga autoritetet gjyqësore vazhdojnë të justifikojnë heqjen e lirisë. Nëse këto shkaqe janë “relevante” dhe “të mjaftueshme”, gjykata duhet gjithashtu të sigurohet nëse autoritetet kompetente kombëtare kanë treguar “kujdesin e veçantë” në zhvillimin e procesit”
Pikërisht ky citim si “precedent”, por edhe referime të tjera, po diskutohen si parapërgatitje që Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë tashmë mund të vendosin një tjetër standard për dhënien e masave të sigurisë, duke mos u nisur vetëm nga rëndësia e veprës penale që personi akuzohet, por sa rrezikshmëri ka dhe pasi të kalojë “një farë kohe” në masën e arrestit, të shihet mundësia e ndryshimit të saj.
Nëse Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë vendosin ndryshime thelbësore në nenet 228 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale, duke dalë me vendim unifikues, atëherë “çështja Zeneli” (një rast rutinë procedimi penal), mund të lehtësojë personat të tjerë që aktualisht janë në qeli dhe të tjerë që mund të procedohen në vijim, përfshi edhe zyrtarë të lartë publik, deputetë dhe të zgjedhur vendorë.






