Në platformën elektorale të Partisë Socialiste, në vitin 2013, një nga premtimet ishte se të gjitha spitalet publike dhe jo publike do t’i nënshtroheshin procesit të akreditimit në mënyrë të rregullt. Faktoje verifikoi këtë premtim të përsëritur edhe gjatë mandatit të dytë qeverisës, por rezulton se një pjesë e spitaleve publike dhe private operojnë pa akreditim, një mangësi që është pasqyruar edhe në një raport të KLSH në vitin 2015.
Sipas VKM Nr. 315, datë 23.03.2011 të gjithë Institucionet shëndetësore regjistrohen në procedurën e akreditimit. Sipas legjislacionit, institucionet i nënshtrohen verifikimit nga struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e shëndetësisë, për përmbushjen e standardeve bazë për akreditim.
Procesi është një kërkesë të cilës çdo spital apo klinikë do t’i nënshtrohet menjëherë pas marrjes së licencës përkatëse. Nëse plotësohen standardet bazë të cilësisë për akreditim, institucioni i kujdesit shëndetësor fillon procesin e akreditimit. Në rast të mos përmbushjes së standardeve bazë të cilësisë për akreditim, institucionit të kujdesit shëndetësor i pezullohet licenca.
Ky proces jo gjithmonë ka funksionuar në nivelet më të larta të tij, ndaj edhe në programin e vitit 2013 qeveria Rama premtoi se të gjitha institucionet shëndetësore, publike apo private do t’i nënështroheshin procesit të akreditimit periodikisht.
“Të gjithë spitalet publike dhe jo publike do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit fillestar dhe rivlerësimit periodik.”
Ky proces jo vetëm që nuk u zbatua në formën më të plotë të tij, por mungesa e kushteve të cilat janë bazike për institucione të tilla është vënë re edhe inspektimet e KLSH që në një raport në vitin 2015 citon se Shërbimi i urgjencës mjekësore në Spitalet Rajonale dhe Spitalin Universitar të Traumës evidentohet të jetë me probleme të theksuara infrastrukturore.
*Pjesë nga raporti I KLSH
Në vitin 2018 gjatë një deklarate për mediat ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu pranoi se jo të gjitha spitalet (publike dhe private) i ishin nënshtruar këtij procesi). Sipas Manastirliut për periudhën në fjalë, numëroheshin gjithsej 54 spitale publike dhe jo publike. Nga këto vetëm 5 spitale publike dhe jopublike dhe 1 qendër shëndetësore ishin të akredituara, ndërsa 48 qendra shëndetësore dhe 11 klinika private ishin në proces akreditimi .
Sa është numri I spitaleve publike në rang vendi?
Sipas të dhënave të fundit nga Instat (të cilat rezultojnë deri në vitin 2019) numri i spitaleve publike në Republikën e Shqipërisë është 42.
*Të dhëna zyrtare nga INSTAT
Faktoje komunikoi me Ministrinë e Shëndetësisë për të mësuar numrin e institucioneve të cilat i janë nënshtruar procesit të akreditimit dhe pasi kërkesa iu deleguar Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore (QKCSAISH) na erdhi kjo përgjigje:
*Lista e institucioneve shëndetësore të akredituara
Nga të dhënat e dërguara rezulton se jo të gjithë spitalet publike i janë nënshtruar procesit të akreditimit duke parë se zyrtarisht rezultojnë 42 spitale. Nga ana tjetër spitalet private të cilat i janë nështruar këtij procesi rezultojnë t’u ketë mbaruar afati një ose dy vite më parë.
Nisur nga të dhënat e mbledhura nga Faktoje rezulton se jo te gjitha institucionet shëndetësore, publike apo private I janë nënshtruar procesit të akreditimit periodikisht dhe në mënyrë të plotë. Ndryshe nga çfarë është premtuar në vitin 2013 ka më shumë se 20 institucione shëndetësore që operojnë të paakredituara.