Në muajin gusht pritet vënia në funksion e qendrave akomoduese në Gjadër e Shëngjin për azilkërkuesit që mbërrijnë në Itali dhe prej andej në Shqipëri, sipas marrëveshjes Rama-Meloni. Një vëzhgim në bashkinë e Lezhës, tregon se komuniteti është i papërgatitur për këtë realitet të ri. Madje të rriturit dhe të moshuarit duken të frikësuar edhe prej ndikimit nga narrativat dezinformuese se mbërritja e emigrantëve afrikanë cënon sigurinë dhe stabilitetitin e tyre. Të rinjtë kanë një qasje më të ndjeshme, megjithatë sipas ekspertëve, kjo nuk mjafton për të ruajtur mirëqenien psikoemocionale të komunitetit.
Besmira Lekaj
Në 6 Nëntor 2023 kryeministri Rama nënshkroi befas marrëveshje me homologen italiane Meloni për ngritjen e qendrave të pritjes së azil-kërkuesve. Këto qendra të planifikuara në Shëngjin dhe Gjadër të Lezhës do strehojnë refugjatët që mbërrijnë në Itali në mënyrë klandestine.
Lajmi për marrëveshjen u konsiderua politikisht kontrovers dhe i mangët në transparencë nga një pjesë e madhe e shoqërisë, veçanërisht nga komuniteti i bashkisë pritëse të Lezhës. Kërkesës së tij për më shumë sqarime apo vëmendje ndaj këtij plani, në vend të përgjigjeve shteruese iu mvesh një situatë edhe më e paqartë, ndërsa dy kampet politike ruajtën qëndrime të polarizuara.
Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ishte i pari që inicioi një konkurs memesh për azil-kërkuesit, duke ironizuar me dhënien e një çmimi shpërblyes prej 7 ditësh pushimi falas atij apo asaj që do krijonte memen më të bukur me këtë temë.
Lajmi i një portali mbi memen e shpërndarë nga kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu
Kjo garë ishte pjesë e një qëndrimi injorues ndaj krijimit të qendrave të azilkërkuesve në Shëngjin dhe Gjadër nga ana e Bashkisë Lezhë, një nismë që ngjalli debate dhe polemika. Qasja e kryebashkiakut ishte e pavend po të analizosh se përdorimi i memeve për të adresuar çështjet e migrimit banalizon sfidat me të cilat përballen azilkërkuesit.
Nga një vëzhgim i situatës që pasoi nënshkrimin e marrëveshjes Itali-Shqipëri dhe takimet në nivel qeveritar, rezultoi se në Lezhë, vendi që do presë aizlkërkuesit, pati mungesë të masave informuese apo edukuese të komunitetit për këtë realitet të ri. Masa të tilla bëhen të domosdoshme, pasi ardhja e një komuniteti të ri, sidomos me prejardhje të ndryshme kulturore dhe racore, mund të sjellë frikën se prania e tyre mund të kërcënojë sigurinë apo të rrisë kriminalitetin. Kur mbetet gati një muaj nga vënia në funksion e qendrave në Gjadër dhe Shëngjin, komuniteti duket i shqetësuar mbi atë se çfarë do ndodhë me ardhjen e emigrantëve.
Filja, një 60-vjeçare banore në Gjadër, shpreh frikë për sigurinë personale dhe të komunitetit: “Ne u trembemi atyre, sepse nuk e dimë se nga vijnë dhe me çfarë synimesh vijnë. Kemi frikë për sigurinë tonë dhe të shtëpive tona. Kemi mbetur vetëm pleq në këtë zonë, sepse rinia jonë është jashtë shtetit. Ne nuk jemi të zotë t’u dalim për zot shtëpive tona nëse dikush tenton të na i dhunojë apo të na grabisë.”
Ndonëse në përhapjen e kësaj narrative më shumë janë angazhuar përgjithësisht të rriturit dhe të moshuarit, është vënë re një lloj ndikimi edhe tek rinia lezhjane. Megjithatë, ka prej tyre që ndryshe nga prindërit apo gjyshërit kanë ndjeshmëri dhe qasje tjetër ndaj këtij realiteti. Ata e shohin si vlerë pritjen e refugjatëve, duke u distancuar nga racizmi.
Të pyetur mbi këtë çështje, disa prej të rinjve të Lezhës nuk ngurrojnë të shprehin këndvështrimet e tyre. Brigjilda, një 15-vjeçare nga Talja e Lezhës, sfidon paragjykimet diskriminuese duke thënë: “Për mendimin tim, afrikanët nuk janë aq të këqinj sa thonë shqiptarët. Shumë njerëz thonë se ata do të sulmojnë gratë dhe do të prishin dyqanet. Në mendimin tim, ata nuk do ta bëjnë këtë gjë. Shumë shqiptarë janë racistë dhe nuk i pëlqejnë njerëzit me ngjyrë. Kjo gjë nuk është e mirë fare në mendimin tim. Njerëzit me ngjyrë kanë të njëjtat të drejta si ne; nuk është se ne, njerëzit e bardhë, nuk bëjmë gjëra të këqija. Jam shumë e shqetësuar për mënyrën se si do të trajtohen nga shqiptarët.”
Brixhilda, 15 vjeç, nxënëse në Shkollën e Mesme Profesionale „Kolin Gjoka“, Lezhë
Edhe Kevini, 17 vjeç është më shumë i shqetësuar për mungesën e informacionit mbi marrëveshjen e nënshkruar, sesa nga prania e azilkerkuesve. “Shqetësimi që kam unë me marrëveshjen që është bërë mes Italisë dhe Shqipërisë nuk ka të bëjë as me ‘prishjen e racës’, as me ‘rreziqet’ e rritjes së krimit. Jam i informuar se kampet e azilkërkuesve do të jenë të mbyllura dhe emigrantët nuk do të kenë gati fare mundësi që të lëvizin jashtë kampeve. Banorët e vetë zonave ku supozohet të vijnë emigrantët, nuk janë informuar para se të bëhej kjo marrëveshje.”
Kevin, 17 vjeç, nxënës në Shkollën e Mesme Profesionale „Kolin Gjoka“, Lezhë
Desilda, 17 vjeç, thekson dezinformatat dhe stereotipet e përhapura kundër azilkërkuesve, “Mbi ngritjen e qendrave të azilantëve afrikanë dëgjova për herë të parë te Qendra H.A.N.A. Pastaj pashë me shumicë meme raciste në internet ndaj këtyre personave me ngjyrë. Personalisht mendoj se shqetësimet që këta njerëz do të shkaktojnë krime apo telashe në Lezhë, janë pa vend. “
Desilda, 17 vjeç, Gjimnazi „Hydajet Lezha“, Lezhë
Marsela, 18 vjeç, reflekton mbi qëndrimet shoqërore: “Për fat të keq, rinia është e nxitur nga të gjitha anët nga ajo që politikanët dhe të tjerët shprehin mbi çështjen në fjalë. Këta kanë shumë faj që një pjesë e rinisë sot, në Lezhë dhe shqiptarët në përgjithësi, kanë tendenca të diskriminimit dhe jo-pranimit.”
Marsela, 18 vjeç, Gjimnazi „Hydajet Lezha“, Lezhë
Së fundmi, Aleksandra, 15 vjeç, është kritike mbi reagimet fillestare në lidhje me qendrat e emigrantëve në Lezhë: “Zhurma më e madhe u bë 2-3 ditët e para nga të rriturit, por bisedat i kanë vazhduar dhe mbajtur ndezur të rinjtë. Si në nënvetëdije, kemi shtuar frymën dashakeqe dhe skeptike mbi këta njerëz dhe i kemi antagonizuar kur në të vërtetë ata nuk dihet nëse do u plotësohen nevojat jetike. Unë vetë jam plot dyshime nëse ka mjaftueshëm forcë punëtore dhe fonde materiale për të strehuar emigrantët në fjalë. Aty nuk mendoj se do të mbahen si qytetarë, por si të burgosur. Po pres videot në TikTok të shqiptarëve që tallin emigrantët dhe i shajnë. I kishim dhe frikë, gjasme!”
Aleksandra, 15 vjeç, Gjimnazi „Hydajet Lezha“, Lezhë
Alma Shyti, Psikologe Klinike dhe eksperte drejtuese e mëparshme në Shërbimin Social-Psikologjik në Sistemin Arsimor Publik të Lezhës, thekson se qasja psikologjike e komunitetit pritës në Lezhë luan rol kyç:
“Një qasje informuese për komunitetin e zonës, patjetër që do t‘i shërbente shumë, qoftë kjo në aspektin psikogjik e social, duke e lehtësuar shumë ndjenjën e pasigurisë që mund të provohet dhe çdo ndjesi tjetër e pakëndëshme për ta. Mirëqënia psikoemocionale e komunitetit, në raste të tilla, është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm që nuk duhet anashkaluar dhe mos marrë në konsideratë, pasi duke evituar një gjë të tillë, i shkaktohen më shumë dëme shoqërise, e besoj që kjo nuk do t‘i shërbente askujt që dëshiron dhe që lufton për ta rritur këtë mirëqënie gjithnjë e më shumë.“
Sipas Shytit, pamundësia e azilkërkuesve për të lëvizur lirshëm shton një shtresë izolimi, jo vetëm fizik, por edhe social dhe kulturor, gjë që mund të përkeqësojë tensionet dhe të pengojë mirëkuptimin mes emigrantëve dhe popullsisë vendase.
„Një mënyrë shumë e mirë për të ndikuar në qetësinë e tyre mendore do të ishte sigurisht ndërveprimi me komunitetin. Bashkëndarja e eksperiencave, mundësia për të gjetur pjesëza të vogla me emërues të përbashkët pse jo të vetvetes në këto ekperienca të ndërsjellta, do ta lehtësonte shumë dhe do të ishte ndihmuese për te dy palët, qoftë në aspektin psikologjik, por edhë përsa i përket pranimit të diversitetit dhe rritjes së empatisë e solidaritetit mes dy popujve. Qënia njerëzore për vetë natyrën sociale të saj e ka të nevojshme që te ndërveprojë, bashkëndaje, të kërkojë dhe ofrojë mbështetjte, të ndihet e kuptuar dhe e pranuar, në mënyrë që të mund të funksionojnë shëndetshëm.“-thotë ajo.
Alma Shyti, Psikologe Klinike, Lezhë
Nga zhvillimet e deritanishme mbi funsionimin e qendrave për pritjen dhe strehimin e azilkërkuesve në Lezhë, është e qartë se qasja e qeverisë shqiptare i ka dhënë përparësi marrëdhënieve ndërkombëtare në vend të angazhimit me komunitetet në nivel kombëtar e sidomos lokal, duke e lënë këtë komunitet të përballet me konfuzionin. Kjo preferencë për të mbetur në relata të mira me partnerët e BE-së, me sa duket në kurriz të konsensusit lokal, ka nxitur një lloj zhgënjimi tek banorët.
Përqendrimi i përpjekjeve në ngritjen e shpejtë të infrastrukturës pa u kujdesur për të adresuar shqetësimet e komunitetit tregon mungesë koordinimi. Përtej përgatijes materiale të këtyre qendrave, vërehet një mungesë e dukshme e platformave të ndërveprimit me komunitetin si forume apo dëgjesa publike që mund të lehtësojnë dialogun dhe integrimin e azilkerkuesve. Për më tepër, mungesa e nismave edukuese për të luftuar retorikën e rrezikshme diskriminuese është alarmante. Pa këto programe, të rinjtë në veçanti mbeten të cenueshëm ndaj ndikimit negativ, që mund të ketë pasoja afatgjata social-kulturore tek komuniteti.
Ajo çka nevojitet, bazuar edhe në opinionin e ekspertëve psiko-socialë është një qasje më e balancuar që merr në konsideratë kontributin vendas po aq sa marrëveshjet ndërkombëtare, duke siguruar që funksionimi i qendrave të azil-kërkuesve të shoqërohet me angazhim dhe edukim gjithëpërfshirës të komunitetit për të nxitur një mjedis mirëkuptimi dhe pranimi.