.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëA do të ulet çmimi i energjisë për familjarët?

A do të ulet çmimi i energjisë për familjarët?

Një muaj më parë, ministrja e energjisë Belinda Balluku tha se qeveria po sheh mundësinë e uljes së çmimit të energjisë për familjarët. Sipas saj, më 1 dhjetor të gjithë do të kishin informacionin e duhur mbi çmimin e ri të energjisë. Por, qeveria nuk ka bërë publike asnjë të dhënë lidhur me uljen e çmimit, teksa Enti Rregullator nuk ka ende vendim.

Esmeralda Topi

Gjatë seancës maratonë për miratimin në parim të buxhetit 2025, ministrja e energjisë Belinda Balluku tha se qeveria po sheh mundësinë e uljes së çmimit të energjisë për familjarët. Balluku zbuloi se mundësia e rishikimit të tarifës me ulje vitin e ardhshëm ishte porosi e kryeministrit.

 “Për sa i përket uljes së çmimit të energjisë, në 1 dhjetor do të keni të gjithë informacionin e duhur… Kam thënë që kryeministri ka lënë porosi që të shihet mundësia e uljes së çmimit të energjisë…”, deklaroi Balluku nga Kuvendi.

Fakt

Familjet shqiptare paguajnë 9.5 Lekë për çdo kilovat orë energji elektrike që konsumojnë. Ky çmim është fiksuar në vitin 2014 pasi u hoq tarifimi me dy fasha dhe prej një dekade ka mbetur i pandryshuar.

Për vitin e ardhshëm, Enti Rregullator i Energjisë nuk ka ende vendim. Kryetari i ERE-s Petrit Ahmeti thotë procesi është në fazë vlerësimi.

“Jemi në fazë vlerësimi dhe shumë shpejt do të dalim me një vendim.”, pohon Ahmeti për Faktoje.al. 

Referuar proceduarave të mëparshme, Furnizuesi i Shërbimit Universal, që është një nga kompanitë e OSHEE-së, dorëzon një aplikim pranë ERE-s duke listuar tarifat e reja së bashku me treguesit ekonomikë. Pas kësaj, Bordi i Entit Rregullator mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e OSHEE-së për të dalë me një vendim për çmimin.

Ish drejtori juridik i Entit Rregullator të Energjisë Edurard Elezi thotë se këtë vit vendimmarrja është në shkelje të afateve.

“Procesi duhet të ishte kryer, pasi minimalisht duhet vendosur dy javë përpara mbylljes së vitit. Por asnjë nga institucionet nuk është transparente.”, argumenton ai.

Në pritje të vendimit, ekspertët e energjisë vlerësojnë se kompanitë kanë hapësira për të rishikuar me uljen çmimin e energjisë elektrike.

“Çmimi i energjisë duhet të ulet për të gjithë abonentet familjarë aq sa e ka Kosova. Në rast se qeveria e ul tarifën vetëm për pensionistët ky është tregues i qartë se ka qëllim fushatën elektorale dhe votat e tyre.”, pohon Azmer Duleviç.

Deri në fund të vitit 2023 abonentët familjarë përbëjnë 77.1 % të numrit total të klientëve të FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal). Konsumi i familjeve zë rreth 39.5% të konsumit total.

Përfundim

Nisur nga verifikimi i bërë, deklaratën e ministres Balluku se ‘për uljen e çmimit të energjisë, në 1 dhjetor do të keni të gjithë informacionin e duhur…’ e kategorizojmë të pavërtetë.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img