Ulja e TVSH-së për ushqimet, kursim në letër apo në xhep?

Premtohet lehtësim për produktet bazë, por rritja e TVSH-së në 21% dhe marzhet e tregtarëve e vënë në pikëpyetje

18

A do të paguajnë më pak qytetarët për ushqimet pas uljes së TVSH-së nga 20% në 6%, apo përfitimi do të zbehet nga rritja e taksës për mallrat dhe shërbimet e tjera? 

Kjo është një nga pikëpyetjet që shoqëron Paketën Fiskale 2027, e cila parashikon ndryshime në normat e TVSH-së, me synimin për të lehtësuar shpenzimet e familjeve për produktet bazë të shportës ushqimore.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka kundërshtuar këtë masë, duke pretenduar se ulja e TVSH-së për 52 produkte ushqimore do shoqërohet me rritjen e saj për rreth 5 mijë produkte të tjera, të cilat, sipas tij, po bëhen gjithnjë e më pak të përballueshme për familjet me të ardhura të ulëta.

“Kjo paketë prek prapë më të varfrit sepse në qoftë se uli TVSH për 52 mallra, e rriti TVSH për 5 mijë mallra të tjera, të cilat çdo ditë e më shumë bëhen mallra të ndaluara për të varfrit e këtij vendi”, deklaroi Berisha, duke iu referuar rritjes së normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%.

Në deklaratën e tij, Berisha flet për 52 produkte për të cilat do të ulet TVSH-ja. 

Ndërkohë, sipas Ministrisë së Financave, masa parashikon uljen e normës nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës bazë ushqimore.

Paketa fiskale ndërthur dy ndryshime: një normë më të ulët për produktet ushqimore të përcaktuara dhe një rritje të normës standarde për mallrat dhe shërbimet që i nënshtrohen asaj. 

Pra, kjo paketë synon të bëjë diçka që qeveritë zakonisht e kanë të vështirë: të ulë barrën për disa kategori, ndërsa rrit të ardhurat e shtetit. 

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, rritja e normës standarde synon të kompensojë pjesërisht të ardhurat që buxheti humbet nga ulja e TVSH-së për ushqimet.

Por a mund të zbehet përfitimi nga ulja e TVSH-së për ushqimet për shkak të rritjes së saj për mallrat dhe shërbimet e tjera?

Ekspertët vlerësojnë se po.

‘Rritja e TVSH-së standarde në 21% mund të rrisë çmimet e produkteve të tjera’

Edhe nëse TVSH-ja për ushqimet ulet, rritja e normës standarde mund të ndikojë në çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera që përdorin familjet, si dhe në kostot e bizneseve që prodhojnë, transportojnë apo tregtojnë ushqime.

Kontabilistitët paralajmërojnë se rritja e TVSH-së nga 20% në 21% mund të reflektohet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve që i nënshtrohen normës standarde. 

Ata përmendin energjinë elektrike, karburantet, ujin, materialet e ndërtimit dhe veshjet. 

Sipas tyre, rritja e kostove të tilla mund të ndikojë edhe në çmimet e produkteve ushqimore, përmes transportit, prodhimit dhe hallkave të tjera të furnizimit. 

Edhe eksperti fiskal Eduart Gjokutaj vlerëson për Faktoje se rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21% mund të shtojë presionin mbi çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. 

Sipas tij, në veçanti, rritja e TVSH-së për akomodimin turistik dhe shërbime të caktuara hoteliere mund të reflektohet në faturën e klientëve, në varësi të konkurrencës, kostove dhe marzheve të operatorëve. 

Ai thotë për Faktoje se kjo mund të kufizojë përfitimin e familjeve nga ulja e TVSH-së për ushqimet. Për këtë arsye, sipas tij, efekti i paketës duhet vlerësuar mbi shportën reale të konsumit familjar dhe jo vetëm mbi ndryshimin e normave tatimore.

Ulja e TVSH-së nuk garanton që çmimet do të bien në të njëjtën masë

Ndërsa për produktet ushqimore që përfitojnë nga norma e reduktuar, ulja e taksës nuk garanton që i gjithë përfitimi do të kalojë te konsumatori, sipas Gjokutajt. 

Ai vlerëson se ulja e TVSH-së për produktet bazë ushqimore nga 20% në 6% krijon hapësirë për uljen e çmimeve, por nuk e garanton që përfitimi do të kalojë i plotë te konsumatori.

“Përfitimi mund të përthithet pjesërisht nga marzhet e tregtarëve ose hallkat e furnizimit. Nevojiten monitorim i çmimeve para dhe pas ndryshimit, transparencë përgjatë zinxhirit tregtar dhe publikim periodik i rezultateve”, vëren ai për Faktoje. 

Ministria paralajmëron monitorimin e çmimeve nga janari

Një nga elementet që do të përcaktojë efektin real të kësaj mase është monitorimi i çmimeve pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve fiskale.

Burime nga nga Ministria e Financave thanë fillimisht për Faktoje se nga janari pritet të vendosen mekanizma për të verifikuar nëse bizneset do ta reflektojnë realisht uljen e TVSH-së në çmimet për konsumatorët. 

I gjithë sistemi do të jetë nën monitorim dhe, në rastet kur ulja nuk reflektohet, parashikohen masa.

Më pas, edhe ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi publikisht në Komisionin Parlamentar për Burimet Natyrore se do të ketë monitorim të tregut dhe ballafaqim të çmimeve përmes platformës “Pasqyra e Çmimeve”, për të verifikuar nëse ulja e taksës do të përkthehet realisht në përfitim për qytetarët. 

Ibrahimaj paralajmëroi gjithashtu një rregullim ligjor më strikt për çmimet e fruta-perimeve, të cilat janë më të vështira për t’u monitoruar për shkak të ndryshimeve të shpeshta, edhe brenda së njëjtës ditë, në pika të ndryshme shitjeje. 

Sipas saj, rregullat e reja do të synojnë jo vetëm transparencën, por edhe kontrollin e efektivitetit të politikave të zbatuara.

Përfundim

Pretendimi i Sali Berishës se rritja e TVSH-së në 21% prek 5 mijë produkte të tjera nuk mund të konfirmohet, pasi nuk ka një të dhënë zyrtare që përcakton këtë numër dhe as një garanci se rritja e taksës do të përkthehet automatikisht në rritje çmimesh për të gjitha këto produkte. 

Megjithatë, argumenti se rritja e TVSH-së standarde mund të ushtrojë presion mbi çmimet ka bazë ekonomike. 

Siç paralajmërojnë ekspertët, kostot shtesë mund të reflektohen te çmimet e produkteve dhe shërbimeve që i nënshtrohen normës standarde, në varësi të konkurrencës dhe marzheve të bizneseve. 

Kjo do të thotë se, ndërsa ulja e TVSH-së për ushqimet krijon mundësi për lehtësim, efekti i saj real në buxhetin familjar do të varet edhe nga mënyra se si do të reflektohet rritja e TVSH-së në pjesën tjetër të konsumit.

Prandaj, deklarata e Berishës konsiderohet gjysmë e vërtetë.