Lista/ TVSH për ushqimet ulet nga 20 në 6% por rritet për turizmin 

Paketa fiskale përfshin uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për produktet bazë të shportës ushqimore, si dhe rritjen e saj nga 6% në 10% për sektorin e turizmit

22

Për herë të parë në Shqipëri, qeveria propozon aplikimin e një norme të reduktuar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për produktet bazë të shportës ushqimore.

Me paketën fiskale 2027, norma e TVSH-së për këto produkte parashikohet të ulet nga 20% në 6%.

Ndryshimet janë parashikuar në projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i cili synon të lehtësojë barrën tatimore mbi konsumin bazë, duke ndërhyrë njëkohësisht në normën standarde të TVSH-së dhe në atë të aplikuar për sektorin e turizmit.

Për cilat ushqime? 

Produktet që parashikohet të përfitojnë nga norma e reduktuar prej 6% përfshijnë bukën dhe miellin, qumështin dhe kosin natyral, vezët, orizin, makaronat, vajin ushqimor, mishin, peshkun bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqerin dhe ushqimet bazë për foshnja.

Megjithatë, lista përfundimtare e produkteve që do të përfshihen në skemën e re nuk është përcaktuar ende. Ajo parashikohet të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në relacionin shoqërues të projektligjit, qeveria argumenton se ulja e normës së TVSH-së për produktet ushqimore bazë synon të përmirësojë përballueshmërinë e tyre për familjet shqiptare.

“Ulja e shkallës së TVSH-së për produktet ushqimore në 6% shihet si një instrument pozitiv për të lehtësuar barrën tatimore mbi konsumin bazë dhe për të përmirësuar përballueshmërinë e këtyre produkteve nga ana e familjeve shqiptare”, theksohet në relacion.

Ulja e TVSH-së për ushqimet është një kërkesë e artikuluar vazhdimisht prej vitesh nga prodhuesit vendas të mallrave të konsumit dhe importuesit, të cilët kanë kërkuar ndryshime në trajtimin tatimor të produkteve bazë.

Por, jo vetëm. Ajo ka qenë dhe një ndër premtimet kryesore të kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës elektorale të vitit 2013.

Nga premtimi për TVSH zero te propozimi për 6%…pas 13 vitesh

Heqja e TVSH-së për ushqimet e shportës bazë ishte kali i betejës elektorale të socialistëve në 2013. 

Premtimi i bujshëm i kryeministrit Edi Rama nuk u përmbush për më shumë se një dekadë. 

Në vitin 2025, deputetët e Partisë së Lirisë depozituan në Kuvend një projektligj që parashikonte uljen e TVSH-së në 5% për 23 produkte ushqimore bazë, mes tyre buka, mielli, qumështi, vezët, vaji, orizi, mishi dhe frutat e perimet. 

Projektligji u diskutua në Komisionin e Ligjeve, ku përfaqësuesit e PL-së argumentuan se ulja do të lehtësonte kostot e jetesës për familjet dhe pensionistët. 

Por, përfaqësuesit e shumicës socialiste kundërshtuan nismën, duke argumentuar se ajo do të ndikonte në të ardhurat publike dhe balancat e buxhetit. Në fund, projektligji u rrëzua në parim me tetë votat e anëtarëve të shumicës.

Tashmë, një vit më vonë, pas shumë debateve të përsëritura mbi taksimin e ushqimeve, qeveria propozon që TVSH-ja për një listë produktesh bazë të ulet në 6%. 

Ndryshe nga premtimi i vitit 2013 për eliminimin e plotë të taksës, propozimi i ri parashikon një normë të reduktuar, por jo zero.

Ndaj, premtimi i kryeministrit Rama konsiderohet pjesërisht i mbajtur. 

Norma standarde e TVSH-së rritet në 21%

Por krahas uljes së propozuar për produktet e shportës ushqimore, paketa fiskale parashikon rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%. 

Kjo do të thotë se për transaksionet dhe produktet që i nënshtrohen normës standarde, norma tatimore do të jetë një pikë përqindjeje më e lartë, nëse ndryshimi miratohet dhe hyn në fuqi.

Sipas relacionit, rritja synon të kompensojë një pjesë të humbjeve të të ardhurave që pritet të krijohen nga aplikimi i normës së reduktuar për ushqimet bazë dhe të sigurojë qëndrueshmërinë e të ardhurave buxhetore.

“Rishikimi i shkallës standarde të tatimit mbi vlerën e shtuar, nëpërmjet përcaktimit të saj në masën 21%, synon të balancojë efektin negativ në të ardhurat buxhetore si rrjedhojë e aplikimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së për produktet ushqimore bazë, duke mundësuar kështu bazë të qëndrueshme të të ardhurave publike për të përballuar detyrimet buxhetore dhe për të mbështetur financimin e shërbimeve publike, investimeve dhe prioriteteve të zhvillimit ekonomik”, thuhet në relacion.

TVSH-ja për turizmin rritet nga 6% në 10%

Një tjetër ndryshim i parashikuar në projektligj lidhet me sektorin e turizmit. Norma e reduktuar e TVSH-së për këtë sektor propozohet të rritet nga 6% në 10%.

Norma prej 6% është aplikuar për sektorin e turizmit që prej vitit 2017. 

Me ndryshimin e propozuar, bizneset dhe shërbimet që përfshihen në skemën përkatëse do t’i nënshtrohen një norme katër pikë përqindjeje më të lartë, nëse projektligji miratohet në këtë formë.

Qeveria e përfshin këtë ndryshim në paketën e ndërhyrjeve që synojnë të balancojnë efektet financiare të uljes së TVSH-së për ushqimet bazë. Rritja e normës për turizmin pritet të sjellë të ardhura shtesë në buxhet, duke kompensuar pjesërisht humbjet që lidhen me lehtësimin tatimor për produktet ushqimore.

Efekti neto në buxhet, minus 1.6 miliardë lekë

Sipas përllogaritjeve të paraqitura në relacionin e projektligjit, miratimi dhe zbatimi i ndryshimeve parashikohet të ketë një efekt financiar neto negativ për buxhetin e shtetit, në rreth 1.6 miliardë lekë.

Në ndarjen sipas masave, rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% vlerësohet të sjellë rreth 10.6 miliardë lekë të ardhura shtesë. 

Nga ana tjetër, ulja e normës së TVSH-së për produktet e shportës ushqimore nga 20% në 6% parashikohet të ulë të ardhurat buxhetore me rreth 12.8 miliardë lekë.

Ndërkohë, rritja e normës së reduktuar të TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% vlerësohet të sjellë rreth 614 milionë lekë të ardhura shtesë.

Projektligji është pjesë e paketës fiskale për vitin 2027 dhe ndryshimet e propozuara do të duhet të kalojnë procedurat përkatëse të miratimit përpara se të zbatohen.

Artikulli paraprakE pabazë përfshirja e trupave izraelite në protestat në Tiranë
Megi Iskurti
Megi Iskurti ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Komunikimi/Gazetari dhe masterin shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Është vlerësuar me certifikatë ekselence si studentja me rezultatet më të larta akademike në Departamentin e Gazetarisë në Kolegjin Universitar “Bedër”. Ka pesë vite përvojë në median online Gazeta Si, ku ka mbuluar kryesisht çështje të ekonomisë dhe gjeopolitikës. Në Faktoje.al merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Është gjithashtu fituese e disa çmimeve të para në konkurse të eseistikës, të folurit publik dhe në konferenca studentore.