Edhe dita e shtatë e protestës u shoqërua me përplasje mes të rinjve dhe policisë. Situata u përshkallëzua pranë Gjykatës së Apelit, ku protestues të maskuar sulmuan dyert e godinës me sende të forta dhe thyen xhamat.
Disa prej tyre arritën të hynin brenda ambienteve të gjykatës, ku shkaktuan dëme materiale. Në momentin e sulmit, disa punonjës u larguan nga godina.
Policcia njoftoi se 5 protestues janë vënë në pranga (A. P., 37 vjeç, S. R., 32 vjeç, L. D., 20 vjeç, P. P., 24 vjeç dhe një i mitur 16 vjeç.), ndërsa 15 të tjerë janë në kërkim.

Në fakt, protesta kishte nisur në mënyrë paqësore, me këngë dhe valle para Ministrisë së Arsimit. Por rreth orës 12:30, situata ndryshoi, pasi protestuesit nisën të hedhin gurë në drejtim të efektivëve të policisë. Në përgjigje, uniformat blu përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Menjëherë pas përshkallëzimit të situatës, autoboti dhe tre furgonë policie avancuan drejt protestuesve, duke i detyruar ata të tërhiqeshin në drejtim të ish-parkut “Rinia” dhe bulevardit.
Përmes megafonëve, efektivët u bënë vazhdimisht thirrje grave dhe fëmijëve të largoheshin nga rruga, ndërsa paralajmëruan përdorimin e gazit lotsjellës dhe të ujit për shpërndarjen e turmës.
Policia nuk i lejoi protestuesit të rigrumbulloheshin, duke i ndjekur në rrugët ku ata zhvendoseshin. Përplasje të tjera u shënuan në parkun “Rinia”, ku, sipas raportimeve, policia ndërhyri papritur ndaj protestuesve, në momentin kur disa prej tyre po pushonin.
Gjatë këtyre përplasjeve, një protestues u tentua të shoqërohej nga policia, por ndërhyrja dhe presioni i protestuesve të tjerë bënë që ai të lirohej.



Gjatë pasdites, policia lejoi kalimin e protestuesve në bulevard, ndërsa dhjetëra efektivë dhe automjete policie u pozicionuan përpara godinës së Kryeministrisë, në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë.






