Si paraqitet sot situata në shkollat dhe fakultetet e Tiranës?

Verifikimet e Faktojes nuk tregojnë normalitet të plotë në shkolla, ndërsa pedagogë dhe sindikata e punonjësve të universiteteve rreshtohen krah studentëve.

34
Universiteti Politeknik i Tiranës, 19 tetor 2026

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi mëngjesin e 19 tetorit se mësimi kishte nisur normalisht në mbi 1 400 shkolla në vend, duke u bërë thirrje prindërve të kenë besim te mësuesit. 

“Gjatë fundjavës kemi qenë në komunikim pa pushim me sistemin tonë arsimor që java të rifillojë në të gjitha shkollat, ku ju presin krahëhapur mësuesit, drejtuesit, oficerët e sigurisë, punonjësit socialë. Jemi të gjithë në krye të detyrës”, u shpreh Kumbaro përmes një videoje. 

Një verifikim i stafit të Faktojes në terren në gjimnazet dhe fakultetet në Tiranë mëngjesin e kësaj të hëne, tregon një situatë ndryshe nga ministrja.  

Mësimi nuk ishte ndërprerë në të gjitha institucionet, por as nuk po zhvillohej normalisht për të gjithë nxënësit dhe studentët, siç sugjeron deklarata e Kumbaros.

Referuar verfikimeve në terren në një pjesë të shkollave, vetëm një pjesë e studentëve po marrin pjesë në mësim. 

Gjimnazet- një pjesë në mësim, të tjerët në bojkot

Mëngjesin e 19 tetorit, oborri i gjimnazit “Petro Nini Luarasi” ishte bosh. Pranë derës me kangjella ndodhej vetëm roja i sigurisë.

Sipas tij, mësimi po vijonte normalisht. Madje, për t’i dhënë më shumë besueshmëri asaj se çfarë po thoshte, ai nuk lejoi që një vajzë e cila erdhi rreth orës 09:40 të futej në ambientet e shkollës. 

“Ke ardhur me vonesë”, i tha prerazi ai. 

Vajza, gjimnaziste në vitin e dytë, e pyetur nga Faktoje, tha se në klasën e saj, vetëm një pjesë e studentëve po zhvillonin mësim.

“Klasa ime por dhe ato paralel janë ndarë në dy grupe, një pjesë e shoqeve janë zhvendosur tek Liqeni Artificial. Në drekë ata do takohen me nxënës nga gjimnaze të tjerë dhe do marshojmë drejt qendrës, ku do nisim sërish protestën”, tha ajo, e cila shtoi se dëshironte të ishte pjesë e grupit që ishte pjesë e mësimit, për shkak se siç tha, mungesat do të shënoheshin si të pajustifikueshme nga mësuesit. 

Gjimnazi Petro Nini Luarasi, 19 tetor 2026

Edhe një nxënëse tjetër e pyetur nga Faktoje, nga po i njëjti gjimnaz, tha të njëjtën gjë. 

Sipas saj, nxënësit kanë rënë parimisht dakord nëpër grupe të hapura në Whatsapp, që një pjesë të zhvillojnë mësim dhe një pjesë të bojkotojnë për të nisur në mesditë protestën. 

Megjithatë, ajo shtoi se disa nga nxënësit që kanë zgjedhur të bëjnë mësim, nuk e kanë bërë këtë zgjedhje si formë strategjie por sepse kanë dashur të zhvillojnë mësim normalisht. 

Situatë e ngjashme u konstatua edhe në gjimnazet “Partizani” dhe “Sami Frashëri”. Oborret e shkollave ishin bosh, ndërsa përmes xhamave dalloheshin nga larg siluetat e disa nxënësve që qëndronin brenda, në korridore.

Pranë oborrit të gjimnazit “Partizani”, një prind që kishte shoqëruar vajzën e tij iu drejtua një prej mësuesve të pranishëm, për ta pyetur nëse duhej ta sillte vajzën për të marrë pjesë në mësim. 

Mësuesi ia la në dorë zgjedhjen, ndaj prindi vendosi të largohej bashkë me të bijën.

Nga gjimnazet e verifikuara në terren, më shumë lëvizje kishte te “Ismail Qemali”. 

Një pjesë e nxënësve qëndronin jashtë kangjellave, përgjatë rrugës kryesore, ndërsa të tjerë ndodheshin brenda ambienteve të shkollës. Pranë grupit të mbledhur jashtë ishte edhe një oficer sigurie.

Gjimnazi “Ismail Qemali”, 19 tetor 2026

Nxënësit që qëndronin jashtë i thanë Faktoje se do t’i bashkoheshin protestës së paralajmëruar për mesditën.

Universitetet votojnë për bojkot

Në Universitetin e Mjekësisë, auditoret ishin bosh. 

Në godinën ku zhvillohet mësimi nuk kishte studentë në leksione, por vetëm të rinj që po kryenin regjistrimet, pjesë e fazës së tretë të A1Z.

Ndërsa në godinën tjetër, brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), studentë të viteve të treta, të katërta dhe të pesta të Mjekësisë ishin ulur në stolat jashtë, në pritje të vendimit të senatorëve për vijimin e mësimit.

Në grupet e komunikimit të studentëve, ku në disa vite numri arrin në 400–500 veta, shumica ishte shprehur pro bojkotit, nëpër disa polle online (votime) me përjashtim të rreth 10 studentëve. 

Vendimi përfundimtar u mor nga senatorët, të cilët vendosën bojkotimin e mësimit.

Në orën 12:00, studentët e Mjekësisë vendosën t’i bashkohen marshimit drejt Ministrisë së Arsimit. 

Ata kanë njoftuar se do të marrin me vete maska dhe solucion fiziologjik, për t’u ardhur në ndihmë protestuesve që mund të kenë nevojë për ndihmën e parë. Kjo, pavarësisht se, sipas studentëve, policia kishte sulmuar dje (18 tetor) këndin ku ofrohej ndihma e parë.

“Ne do bëjmë tonën për t’u ardhur në ndihmë studentëve”, thanë ata për Faktoje.al.

Bojkoti i mësimit mendohet që për momentin të jetë pa afat por vendimi për këtë do të merret nga senati në një moment të dytë. 

Në universitetet e tjera rreth Tiranës, ashtu si në gjimnaze, studentët po zhvillonin mësim pjesërisht. 

Një pjesë e tyre ishin ulur në kafenetë rreth universiteteve ndërsa një pjesë ishin në auditore. 

Ata që kanë vendosur për bojkot, do t’i bashkohen protestës në mesditë, e cila pritet që si në ditët e tjera, të zhvillohet sërish në qendër. 

Fakulteti i Drejtësisë, 19 tetor 2026

Ndërsa tek “Universiteti Politeknik”, të rinjtë në një grafitti kishin shënuar me spry, me shkronja kapitale “BOJKOT”. 

556 pedagogë firmosin deklaratën në mbështetje të studentëve

Ndonëse një pjesë e pedagogëve kanë vijuar drejt auditorëve për të vijuar normalisht leksionet, një pjesë tjetër e tyre kanë dalë krah studentëve.

Një grup pedagogësh ka nisur më 18 tetor 2026 një deklaratë publike në mbështetje të studentëve dhe kundër dhunës së ushtruar ndaj tyre gjatë protestave.

Në deklaratë kërkohet që kryeministri Edi Rama të dëgjojë kërkesat e studentëve, të hapë rrugë për qetësimin e situatës dhe, ndër të tjera, kërkohet edhe dorëheqja e tij dhe krijimi i një qeverie kujdestare. 

Pedagogët i bëjnë gjithashtu thirrje policisë dhe institucioneve të ndalojnë çdo akt dhune ndaj studentëve, përfaqësive diplomatike të reagojnë për respektimin e të drejtave të qytetarëve, si edhe protestuesve të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private.

Nisma vijon të mbledhë mbështetje. Formati po shpërndahet në formën e një dokumenti përmes Google Docs.

Deri tani, më 19 tetor, deklarata përfshin 556 pedagogë, ndërsa lista e nënshkruesve vazhdon të shtohet.

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve thërret marshim 

Në mbështetje të studentëve dhe kundër dhunës ndaj protestuesve, ka reaguar edhe “Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH)”.

Reagimi më i fundit është thirrja për një marshim solidariteti më 20 tetor, ora 10:00, përpara Universitetit Politeknik të Tiranës, me moton “Stop dhunës ndaj studentëve”.

Më herët, më 15 tetor, Sindikata kishte thirrur një takim kombëtar të profesoratit në mbështetje të studentëve, ndërsa që më 13 tetor kishte publikuar një deklaratë ku kërkonte dialog institucional, respektimin e së drejtës së protestës dhe zgjidhje konkrete për kërkesat e studentëve.

Përfundim

Faktoje e kategorizon si pjesërisht të vërtetë deklaratën e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, se mësimi po vijon normalisht dhe i qetë në në shkollat e vendit. 

Verifikimi në terren në disa gjimnaze dhe universitete të Tiranës tregoi se procesi mësimor nuk ishte ndërprerë plotësisht, por as nuk po zhvillohej normalisht për të gjithë nxënësit dhe studentët. 

Ndërsa një pjesë e tyre ishin në klasa dhe auditore, të tjerë zgjodhën bojkotin dhe përgatiteshin t’i bashkoheshin protestës.