Duke dënuar dhunën në protestat e fundit në vend, Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pretendoi se pas personave të maskuar që drejtojnë protestën, qëndrojnë individë të rekrutuar për qëllime të caktuara nga organizatorët e vërtetë të saj, brenda dhe jashtë vendit.
“Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste, brenda e jashtë vendit”, – theksoi kryepolici gjatë një konference për mediat.
Sipas tij, nga personat e ndaluar gjatë natës së dytë të protestave, një numër shumë i vogël ishin studentë.
Sipas tij, gjatë tri ditëve të protestave janë plagosur 71 punonjës policie, disa prej të cilëve kanë pësuar dëmtime të rënda.
Kreu i policisë theksoi se e drejta për të protestuar nuk justifikon sulmet ndaj institucioneve dhe qytetarëve.
“ Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë për të sulmuar institucionet dhe qytetarët”, deklaroi Hita, duke theksuar se përgjegjësia për aktet e dhunës është individuale.
Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve në protesta që të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të mos lejojnë dëmtimin e pronës publike dhe private.
Hita mbrojti gjithashtu veprimet e forcave të rendit, duke deklaruar se reagimi policor ka qenë në përputhje me nivelin e dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve publike.
“Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e policisë me dobësinë. Ligji do të zbatohet me vendosmëri, pa përjashtim”, u shpreh ai.






