Ish-shefja e SHISH, akuza gazetares Klodiana Lala në GJKKO. AGSH: Shantazh

Përplasja në hyrje të GJKKO-së ndez reagime të forta: AGSH dhe deputetë të opozitës dënojnë deklaratat ndaj gazetares Klodiana Lala dhe kërkojnë hetimin e episodit.

21
Mikrofonët e mediave drejtuar ish-shefes së SHISH, Vlora Hyseni

Çështja “Vlora Hyseni–Ergys Agasi” vijon të prodhojë tensione të forta politike dhe institucionale.

Teksa gazetarja Klodiana Lala e pyeste për skandalin me Ergys Agasin, Hyseni iu përgjigj me akuzë, duke e pyetur për takime të pretenduara me agjentë serbë në një hotel të Tiranës.

Përplasja e ish-drejtoreshës së SHISH me gazetaren në hyrje të GJKKO-së, solli reagimin e ashpër i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Me një deklaratë, AGSH dënoi ashpër shantazhin drejt gazetares dhe duke i kërkuar Hysenit të tërheqë menjëherë deklaratën si dhe i bën thirrje SPAK ta hetojë me seriozitet këtë episod shantazhi ndaj Lalës.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me termat më të ashpër shantazhin dhe sulmet e të dyshuarës së SPAK, ish-shefes së SHISH Vlora Hyseni ndaj gazetares Klodiana Lala. Çdo i dyshuar i drejtësisë duhet të janë llogari vetëm përpara drejtësisë ndërsa shantazhet ndaj gazetarëve nuk mund të tolerohen. AGSH i bën thirrje Zonjës Hyseni  që të tërheqë menjëherë deklaratat e saj ndërsa e nxisim Strukturën e Posaçme që të shikojë me seriozitet këtë episod shantazhi nga ana e saj ndaj një gazetareje”, shkruan AGSH.

Pas përplasjes së Hysenit me gazetaren Lala, reaguan disa deputetë të opozitës, mes tyre Sali Berisha, Tritan Shehu, Belind Këlliçi, të cilët e dënuan deklaratën e ish-shefes së SHISH-it.

Kreu i PD-së, u shpreh se sulmi verbal i Hysenit ndaj gazetares, duke aluduar për takime të sajat me agjentë serbë në Tiranë, është shpifje dhe hakmarrje e ish-shefes së SHISH për të vërtetat që gazetarja zbulon për publikun e gjerë.

“Që SHISH ka pasur në përgjim gazetarë, e kam konstatuar para jush. Por kjo gjë nuk u ka pëlqyer gazetarëve. Kjo është një shefe ordnere. Që t’u përgjigjesh gazetarëve në atë mënyrë, dëshmon se është hakmarrëse e verbër. Shpif për një gazetare që sulmon atë dhe padronin e saj. Në rast se ka pasur takime, se kë takon ti dhe se çfarë është në agjendë, s’ka lidhje me bashkëpunimin”, – tha Berisha.

“Hyseni kërcënon gazetarët. Loja është hapur, është më e gjerë se lidhjet me krimin dhe narkotrafikun, ka rënë siguria kombëtare. Ka rënë besueshmëria para NATO-s. Agjenturat të çojnë te krimi dhe e anasjellta”, u shpreh Tritan Shehu.