Tensione para Kuvendit në ditën 54 të protestës

Debat për territorialen PD bllokon foltoren, PS kalon direkt në votim

3

Nga Jona Cenameri

Në ditën e saj të 54-tër, protesta u zhvendos para Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa brenda godinës zhvillohej seanca plenare e planifikuar si e fundit për këtë sesion parlamentar.  

Por me një vendim të Konferencës së Krytarëve, 30 korriku u shtua në kalendarin e punimeve si seanca përmbyllëse e këtij sesioni. 

Jashtë salle, tubimi shoqërohej me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Protestuesit hodhën në drejtim të efektivëve vezë, domate, patate, shishe plastike me ujë dhe sende të tjera, ndërsa në disa momente tentuan të largonin gardhet metalike dhe të çanin kordonin e sigurisë.

Policia reagoi duke përdorur ujë me presion, spraj djegës me piper, gaz lotsjellës apo dhe lëndë të tjera irrituese për të larguar turmën nga perimetri i sigurisë. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi në Kuvend se policia kishte përdorur dy produkte irrituese profesionale, të përdorura edhe në SHBA dhe BE.

Kuvendi

Tensionet nuk munguan as brenda në sallë. Në Kuvend, një nga çështjet kryesore ishte reforma territoriale. Me 82 vota kundër dhe 27 pro, mazhoranca rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për zgjatjen me 3 muaj të mandatit të komisionit të posaçëm. Në seancë nuk u miratua një hartë e re territoriale dhe as ndryshimi i numrit të bashkive; ishte parashikuar vetëm paraqitja e gjetjeve të palëve. 

Prezantimi i raportit të mazhorancës nga Arbjan Mazniku u pengua nga bllokimi i foltores prej deputetëve të opozitës, ndërsa Kuvendi ndërpreu diskutimet dhe kaloi drejtpërdrejt te votimet e rendit të ditës. 

Kuvendi miratoi gjithashtu aktin normativ për ndryshimin e buxhetit të shtetit, që përfshinte bonusin prej 5 mijë lekësh për pensionistët, si dhe fondin prej rreth 4.2 milionë eurosh për organizimin e koncertit të Kanye West. 

Me votat e mazhorancës u miratuan edhe rezolutat për veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të pavarura, mes tyre SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Avokati i Popullit.

Masat e sigurisë

Që para fillimit të protestës, zona rreth Kuvendit ishte rrethuar me gardhe metalike dhe forca të shtuara policore. Perimetri i sigurisë ishte më i gjerë se në protestat e mëparshme dhe shtrihej nga Rruga e Elbasanit, përgjatë pedonales pranë Kuvendit, deri në zonën e Ministrisë së Brendshme.

Masat e zgjeruara shmangën kontaktin e drejtpërdrejtë të protestuesve me shumicën e deputetëve, të cilët hynë në Parlament kryesisht nga hyrjet anësore. Protestuesit i pritën me thirrjet “Nuk na përfaqësoni”, “Parlament i krimit”, “Polici e krimit”, “Deputetë frikacakë”, “Poshtë qeveria”, “Arrestoni Ramën”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.

Momentet e para të tensionit u regjistruan kur disa protestues hoqën një pjesë të gardhit metalik dhe tentuan të kalonin kordonin e policisë. Në drejtim të efektivëve u hodhën vezë, domate, patate, shishe plastike, etj, pavarësisht thirrjeve të disa pjesëmarrësve për të shmangur sulmet ndaj policisë.

Policia përdori ujë me presion, spraj me piper, gaz lotsjellës dhe lëndë irrituese për të shpërndarë protestuesit, ndërsa pamjet e publikuara treguan persona që kërkonin ndihmë për irritim të syve, vështirësi në frymëmarrje dhe shqetësime në lëkurë.

Krahas episodeve të tensionit, pati edhe përpjekje për të ulur konfliktin. Në një moment, protestuesit u dhanë lule punonjësve të policisë, ndërsa pjesëmarrës të tjerë kërkuan që përballja të mos drejtohej ndaj efektivëve.

Bilanci i të lënduarve

Ministria e Shëndetësisë raportoi se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në Spitalin Universitar të Traumës u paraqitën gjithsej 17 persona: 11 protestues dhe 6 efektivë policie.

Në QSUT u paraqitën 10 protestues. 3 prej tyre morën ndihmën e nevojshme dhe u larguan nga spitali sipas këshillës së mjekëve. 4 po trajtohen në Urgjencën e QSUT-së, ndërsa 3 të tjerë në shërbimin e Toksikologjisë.

Në Spitalin Universitar të Traumës po marrin shërbim mjekësor 6 efektivë policie dhe 1 protestues. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të 17 personat janë jashtë rrezikut për jetën.