Rikthimi i protestës para Kuvendit me bilanc më të rëndë, 23 të shoqëruar

Protesta e 33-të u zhvillua sot me tensione të larta para Kuvendit, përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe masa të forta sigurie.

14
Foto e shkeputur nga LSA

Nga Jona Cenameri 

Protesta para kryeministrisë u rikthye sërish këtë të enjte para Kuvendit, në ditën e saj të 33-të, me një nivel më të lartë tensioni se tubimet e mëparshme.

Pas përplasjes së parë të 30 qershorit para Parlamentit, protesta e sotme u zhvillua nën masa të shtuara sigurie dhe u shoqërua me konfrontime mes protestuesve dhe policisë, sulme me vezë e miell ndaj deputetëve, përdorim uji dhe spraji për shpërndarjen e turmës, si dhe shoqërimin e 23 personave në polici.

Që në mëngjes, godina e Kuvendit ishte rrethuar me gardhe metalike, forca të shtuara policie, automjete të blinduara dhe autobot me ujë, ende pa nisur zyrtarisht protesta, masa që shtriheshin deri tek ministria e Brendshme

Masat  

Tubimi ishte paralajmëruar për në orën 10:00, por qytetarët nisën të mblidheshin më herët pranë Parlamentit dhe në pedonalen përreth.

Thirrja “Parlamenti i krimit” mbizotëroi gjatë gjithë protestës, ndërsa herë pas here dëgjoheshin edhe slogane si “Bashkohuni me ne”, “Arrestoni Ramën”, “Rama burg, Berisha burg”, “Nuk na përfaqësoni” dhe “Opozitë e shitur”.

Protesta nuk kishte vetëm një ritëm. Në disa momente ajo ngjante si tubim i organizuar me thirrje politike kundër qeverisë; në të tjera, si një përplasje e vështirë për t’u kontrolluar mes qytetarëve, policisë dhe deputetëve që hynin ose dilnin nga Kuvendi.

Moskoordinimi

 Aktivistë dhe protestues bënë vazhdimisht thirrje kundër dhunës, duke kërkuar që përballja të mos ishte me policinë, por me institucionin dhe deputetët. Megjithatë, tensioni, mungesa e koordinimit dhe provokimet në terren bënë që këto thirrje të mos mjaftonin për të shmangur përshkallëzimin.

Tensionet nisën që me mbërritjen e deputetëve për seancën plenare. Disa prej tyre u përballën me protestuesit pranë hyrjeve të Kuvendit, në lokale rreth Parlamentit dhe në zonën e Toptanit, ku u kritikuan ose u qëlluan me vezë e miell.

foto nga protesta e dates 2 korrik (LSA)

Përplasjet

Makina e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u godit po ashtu me vezë e miell, ndërsa konfrontime pati edhe me deputetë të tjerë të mazhorancës dhe opozitës, teksa hynin ose dilnin nga Parlamenti apo ndodheshin në ambientet përreth.

Deputetët e Partisë Demokratike që hynë në Kuvend nuk u qëlluan me vezë apo miell, por u pritën me thirrje si “Nuk na përfaqësoni” dhe “Opozitë e shitur”. Tensione pati edhe ndaj figurave të tjera opozitare që iu afruan protestës, mes tyre Adriatik Lapaj dhe Redi Muçi, të cilëve disa protestues u kërkuan të largoheshin.

Disa protestues arritën të afroheshin brenda perimetrit të sigurisë pranë Kuvendit, nga ku nisën të qëllonin me vezë drejt deputetëve socialistë. Pas ndërhyrjes së policisë, disa persona u shoqëruan.

Deri në këtë fazë të raportimit, 23 persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit dhe janë dërguar në disa komisariate të Tiranës, mes tyre Komisariati nr. 1, nr. 3 dhe nr. 4. Nga të dhënat e mbledhura deri më tani, raportohet gjithashtu për 9 efektivë policie të lënduar gjatë përplasjeve.

Numri i qytetarëve të lënduar nuk mund të përcaktohet ende me saktësi. Nga pamjet e protestës janë parë momente përplasjeje dhe përdorimi force nga policia ndaj protestuesve, ndërsa disa qytetarë thanë se ndaj tyre është përdorur gaz lotsjellës dhe spraj me piper. Disa prej tyre shfaqën shqetësime gjatë tubimit dhe u ndihmuan me ujë nga të pranishmit. Në të paktën një rast, një efektiv policie u pa duke i ardhur në ndihmë një protestuesi të moshuar.

Pamjet nga protesta tregojnë episode dhune dhe përdorimi force nga më shumë se një drejtim. Në disa video shihen protestues që godasin me sende të forta dhe thyejnë një makinë policie, ndërsa në pamje të tjera shihen efektivë që godasin me shkop gome një protestues teksa e kanë vënë poshtë. Këto episode u pasuan me akuza të ndërsjella për përdorim dhune gjatë protestës.

Foto gjate protestes 2 korrik (LSA)

Thirrjet

Në të njëjtën hapësirë ku ndodhën përplasjet, pati edhe momente që tregonin kompleksitetin e situatës në terren. Disa protestues u kërkonin policëve “t’i bashkoheshin popullit”. Pak metra më tej, të tjerë protestues kërkonin të mos hidhej më gurë ndaj policisë, ndërsa turma zhvendosej herë drejt gardheve metalike, herë drejt rrugëve anësore dhe komisariateve.

“E kemi me Parlamentin, jo me policinë”, u dëgjua të thuhej mes protestuesve, ndërsa të tjerë bënin thirrje: “Jo me gurë policisë” dhe “Jo me mjete të forta”.

Por situata u përshkallëzua kur protestuesit u konfrontuan me policinë dhe hoqën një pjesë të gardhit metalik. Në drejtim të efektivëve u hodhën vezë, shishe dhe gurë. Policia përdori ujë dhe spraj për të shpërndarë protestuesit dhe për të mundësuar daljen e deputetëve dhe ministrave nga ambientet e Kuvendit.

Shoqërimet

Pas shoqërimeve, protesta u shpërnda në disa pika të Tiranës. Një pjesë e qytetarëve u drejtuan drejt komisariateve ku ndodheshin të shoqëruarit, duke kërkuar lirimin e tyre.

Aktivistë dhe protestues u bënë thirrje të pranishmëve të filmonin dhe raportonin vetë nga terreni, duke argumentuar se linjat editoriale të disa mediave nuk po pasqyronin, sipas tyre, të gjithë dinamikën e protestës. Kjo bëri që shumë prej zhvillimeve të ditës të qarkullonin paralelisht në rrjete sociale përmes videove të qytetarëve dhe pamjeve nga media.

PD  

Ndërkohë, brenda Kuvendit, seanca plenare nisi me rreth 30 minuta vonesë dhe u zhvillua pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike. Deputetët demokratë hynë fillimisht në Parlament, por më pas u larguan, në zbatim të vendimit të grupit parlamentar për bojkotimin e seancës.

Grupi parlamentar i PD-së e argumentoi bojkotin me refuzimin e mazhorancës për të futur në kalendar katër projektligje që, sipas opozitës, lidhen drejtpërdrejt me kërkesat e protestuesve: shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.

Sipas demokratëve, mazhoranca kishte refuzuar më herët edhe kërkesën për debat parlamentar mbi protestën dhe mbi rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë. PD argumentoi se zhvillimi i seancës nën masa të shtuara policore dhe pa adresuar kërkesat e qytetarëve e dobëson rolin përfaqësues të Parlamentit.

Në sallë ishin deputetët e mazhorancës dhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi. Ky i fundit tha se i vinte turp të hynte në Kuvend ndërsa jashtë protestuesit thërrisnin “Parlamenti i krimit” dhe kërkoi dorëheqjen e mazhorancës.

PS

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, dënoi aktet e dhunës ndaj policisë dhe deputetëve socialistë, ndërsa tha se Kuvendi do të vijojë të ushtrojë mandatin deri në vitin 2029. Ai pretendoi se protesta po merrej peng nga individë me precedentë penalë dhe nga ndikime të huaja, ndërsa shtoi se mazhoranca është e gatshme të dialogojë me ata që i quajti “protestuesit e vërtetë”.

“Jo sot, por çdo ditë, deri në maj 2029 ky Kuvend do vazhdojë të ushtrojë mandatin që i kanë besuar qytetarët”, tha Balla.

Seanca parlamentare  

Seanca plenare u mbyll rreth dy orë më pas, me miratimin vetëm me votat e socialistëve të tre projektligjeve dhe një projektrezolute, mes tyre ndryshimet për funksionimin e administratës shtetërore, ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar dhe marrëveshjen e garancisë me BERZH për projektin e nënstacionit të OSHEE-së në Tiranë.

Reagimet

Pas përplasjeve, reagimet politike u ndanë mes dënimit të dhunës ndaj policisë dhe deputetëve nga përfaqësues të mazhorancës, dhe akuzave të opozitës për dhunë policore ndaj protestuesve.

Kryeministri Edi Rama shkroi se “protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë” i kishte lënë vendin “filmit të vjetër të konfliktit, sherrit e dhunës”, duke bërë dallimin mes qytetarëve që, sipas tij, protestuan për kauza të drejta dhe atyre që u përfshinë në akte dhune.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës dy efektivë policie të lënduar gjatë përplasjeve dhe e cilësoi goditjen ndaj tyre si sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi policinë për dhunë ndaj protestuesve dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të personave të shoqëruar. Berisha publikoi pamje të një protestuesi të dëmtuar dhe pretendoi se ndaj qytetarëve janë përdorur gaz lotsjellës, spraj dhe mjete të tjera për shpërndarjen e tyre.

Protesta e 2 korrikut shënoi një tjetër moment tensioni në raportin mes qytetarëve protestues, Kuvendit dhe forcave të rendit. Në krahasim me tubimin e 30 qershorit, sot ndryshimi kryesor ishte prania më e fortë policore që para nisjes, përplasjet më të gjera në zonën përreth Parlamentit, përdorimi i ujit dhe sprajit për shpërndarjen e protestuesve, si dhe bilanci më i rëndë i shoqërimeve.