Jona Cenameri
Për herë të parë, Shqipëria po pret mbledhjen e Platformës Europiane të Autoriteteve Rregullatore (EPRA), rrjeti më i madh i rregullatorëve të medias në Europë. Në konferencën e 63-të të saj, organizuar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, marrin pjesë delegacione nga 42 vende europiane për të diskutuar sfidat e tregut mediatik, platformat digjitale dhe standardet europiane për median audiovizive.
Në hapje të konferencës, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, prezantoi strategjinë e institucionit për periudhën 2024-2026 dhe ndryshimet ligjore që synojnë harmonizimin e legjislacionit shqiptar me kuadrin europian, përfshirë EMFA, AVMSD dhe DSA.
Ajo u ndal edhe te regjistri i transparencës së pronësisë së medias audiovizive, që sipas AMA-s identifikon përfituesit fundorë të mediave dhe është publikisht i aksesueshëm.

Krasniqi tha se gjatë 5 viteve të fundit AMA ka marrë rreth 550 vendime, mbi 60% unanimisht.
Sipas saj, institucioni ka vendosur 38 gjoba për shkelje të përmbajtjes dhe 44 të tjera për pirateri televizive, me një vlerë totale mbi 80 milionë lekë.
Në konferencën e EPRA-s në Tiranë u diskutua edhe aksesueshmëria e personave me aftësi të kufizuara në transmetimet audiovizive.
Konferenca e EPRA-s zhvillohet në një moment kur debati për pluralizmin mediatik, sigurinë e gazetarëve dhe transparencën e tregut të medias mbetet ende i hapur në Shqipëri.






