Nga Marjo Brakaj
Pas 12 vitesh në pushtet, kryeministri Edi Rama u kërkoi shqiptarëve një mandat të katërt qeverisës me premtimin-slogan “Shqipëria 2030 në BE”.
Kartën elektorale të “Ëndrrës europiane” deri në vitin 2030, paraprirë nga “përmbyllja me sukses e negociatave deri në vitin 2027”, Edi Rama e “monopolizoi” duke argumentuar se “Partia Socialiste është e vetmja forcë që mund ta fusë vendin në Bashkimin Evropian”.

“Me thjesht një votë për mua dhe PS më 11 maj, çdo prind ka në dorë t’u japë fëmijëve të vet pasaportën e qytetarit shqiptar të Bashkimit Europian, e të mos i lerë të rriten si qytetarë të dorës së dytë në mes të Europës”, postonte në faqen e tij në “Facebook” kryeministri Edi Rama më 20 mars 2025, teksa ende nuk kishte nisur zyrtarisht fushata elektorale për 11 majin.
Premtimi për integrim evropian që i dha Partisë Socialiste një mandat të katërt dhe 83 mandate deputetësh, u përfshi në programin qeverisës 2025-2029.
“Deri në vitin 2027 përmbyllim negociatat, në vitin 2028 nënshkruajmë Traktatin e Anëtarësimit dhe në vitin 2030 Shqipëria hyn me dinjitet në familjen europiane”, thuhet në dokumentin 55-faqësh.

Një vit pas premtimit të fushatës, në mars 2026, Shqipëria ka hapur me një hap të kënaqshëm të gjashtë grup-kapitujt e përbërë nga 33 kapituj në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.
Megjithatë, Shqipëria është e ndërgjegjshme se nuk arrin dot të përmbyllë me sukses të 33-kapitujt e negociatave me “Unionin”.
Dokumentet që “Faktoje” disponon tregojnë se për pjesën dërrmuese të kapitujve, (22 të tillëve) Shqipëria ka kërkuar “kohë shtesë” për përmbushjen e kushteve.
Siguria ushqimore
Një prej tyre është siguria ushqimore, pjesë e grup-kapitullit 5 “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”.
“Shqipëria kërkon një periudhë tranzitore prej 4 vitesh nga data e anëtarësimit në Bashkimi Evropian ose deri në vitin 2034, për zbatimin gradual të kërkesave të kushtëzimit dhe standardeve për “Sigurinë ushqimore”, shkruhet në kërkesën që pala shqiptare i ka dërguar Komisionit Evropian.
KLSH
Problematikat me sigurinë ushqimore në Shqipëri nuk janë thjesht perceptim. Gjatë vitit të shkuar në një raport auditi në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit në Tiranë, por edhe në institucionet e tjera të ndërlidhura me këtë autoritet, KLSH nxjerr në pah problematika në drejtim të aftësive garantuese të sigurisë ushqimore nga institucionet përgjegjëse.
“Nga auditimi i veprimtarisë së AKU lidhur me identifikimin e pesticideve në produktet ushqimore, u konstatuan mangësi në marrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë ushqimore”, thuhet në raport.
Edhe më shumë kohë kërkon Shqipëria nga “unioni” në drejtim të detyrimeve legjislative dhe atyre zbatuese në terren për garantimin e cilësisë së ujit të pijshëm.
“BE-ja merr në konsideratë se Shqipëria ka kërkuar një periudhë tranzitore për t’u përjashtuar nga zbatimi i plotë i Neneve 5, 14 dhe Aneksit I, Pjesa A dhe C të Direktivës (BE) 2020/2184 mbi cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor deri në vitin 2040 ose për një periudhë 10-vjeçare pas datës së anëtarësimit në BE”, thuhet në kërkesën që pala shqiptare i ka dërguar Komisionit Evropian.
Uji i pijshëm
I njëjti shqetësim ngrihet edhe për sigurinë e ujit të pijshëm. Jo vetëm ai në rubinet… as uji i ambalazhuar nuk është i sigurt!
Në këtë përfundim del Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e auditit “Cilësia dhe çertifikimi i ujit të pijshëm që hidhet në treg për qytetarin” të publikuar vitin e shkuar.
“Analizat për ujin e pijshëm të ambalazhuar nuk realizohen plotësisht sipas kërkesave ligjore. Laboratorët nuk janë të akredituar, kapacitetet janë të kufizuara dhe nuk përfshihen të gjithë ndotësit e detyrueshëm. Plani i analizave nuk përmbushet, ndërsa legjislacioni nuk pasqyron standardet më të reja të BE-së. Si rrjedhojë, mbikëqyrja e produktit ujë i ambalazhuar paraqitet e pa mbuluar”
Mbetjet e Paketimit
Për të përmbushur të gjitha detyrimet për menaxhimin e mbetjeve të paketimit të produkteve vendi ynë kërkon edhe 10 vite të tjera nëse anëtarësimi në familjen evropiane do të realizohet në 2030-n.
“Shqipëria ka kërkuar një periudhë tranzitore për t’u përjashtuar nga zbatimi i plotë i Neneve 50 dhe 52 të Rregullores për Paketimin dhe Mbetjet e Paketimit (BE) 2025/40, deri në vitin 2040 ose për një periudhë 10-vjeçare pas datës së anëtarësimit në BE” thuhet në dokumentet “non paper”, që qarkullojnë në kancelaritë e Komisionit Evropian.
Ujërat e zeza
Trajtimi i ujërave të zeza gjithashtu mbetet një sfidë edhe më e madhe, e cila nuk përmbushet dot nga Shqipëria para vitit 2050.
“BE-ja merr në konsideratë se Shqipëria ka kërkuar një periudhë tranzitore për t’u përjashtuar nga zbatimi i plotë i Nenit 3 (1), Nenit 4 (1), Nenit 5 (2), Nenit 6 (1) dhe Nenit 7 të Direktivës mbi trajtimin e ujërave të zeza urbane në vitin 2027, deri në vitin 2050 ose për një periudhë 20-vjeçare pas datës së anëtarësimit në BE,” raporton Komisioni Evropian.
Mjedisi
Sipas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që vendi të përparojë në këto drejtime është e nevojshme të rritet financimi.
“Fondet e pamjaftueshme të alokuara dhe mungesa e investimeve kanë kufizuar përmbushjen e detyrimeve monitoruese të mjedisit për Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, duke pamundësuar monitorimin e të gjithë stacioneve të monitorimit, treguesve të përcaktuar në PKMM, si dhe substancave prioritare”, thuhet në raportin e auditit mbi “Masat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse për eliminimin e derdhjes së ujërave të përdorura në Lumin e Lanës në Tiranë”.

“Faktoje” i drejtoi një kërkesë për informacion Komisionit Evropian lidhur me këto dhe duzinën tjetër të kërkesave për “periudha tranzitore” që Shqipëria i ka dërguar “Unionit”.
“Bashkimi Evropian rikujton qëndrimin e tij të përgjithshëm negociues se masat tranzitore janë të jashtëzakonshme, të kufizuara në kohë dhe në fushëveprim, dhe shoqërohen me një plan me faza të përcaktuara qartë për zbatimin e acquis-it. Ato nuk duhet të përfshijnë ndryshime në rregullat apo politikat e BE-së, të cenojnë funksionimin e duhur të tyre” , thuhet në përgjigjen e komisionit.
Basti i vështirë
Realizimi i premtimit për anëtarësimin e plotë në vitin 2030 mbetet një bast i vështirë për ish-kryenegociatorin e Shqipërisë Zef Mazi.
“Është mirë të kesh objektiv, por ai ka lëvizur nga viti 2027, fillimisht dhe i lidhur me zgjedhjet, në vitin 2030, me pasaportë europiane. Ka disa elemente thelbësore: niveli i përgatitjes reale të vendit nga skaji në skaj, pasi 70 për qind e acquis zbatohet në pushtetin lokal; niveli i përafrimit të legjislacionit dhe krijimi i mekanizmave të plotë, përfshirë përgatitjen e stafeve për ta zbatuar atë kudo, uniformisht, harmonishëm. Qëndrim i mençur është të mos flasësh për objektiva me data, por të punohet. Unë e dëshiroj, por jam skeptik, duke njohur modestisht edhe situatën brenda në BE dhe qëndrimet e shteteve,” argumenton Mazi.
Mendim të ngjashëm ndan edhe Ilda Zhulali, diplomate me karrierë mbi 20-vjeçare, aktualisht drejtuese e Departamentit të Politikës së Jashtme në Partinë Demokratike.
“Hapja e shpejtë e të gjithë grupeve dhe kapitujve brenda vetëm 13 muajve nga nisja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë përbën një rekord në historikun e zgjerimit të BE-së dhe sigurisht meriton të vlerësohet dhe përcon entuziazëm në ecurinë e procesit. Por hapja e kapitujve dhe mbyllja e tyre janë dy procese thelbësisht të ndryshme në kompleksitet: hapja kërkon harmonizim fillestar, ndërsa mbyllja kërkon zbatim të plotë të reformave dhe miratim nga të gjitha vendet anëtare”
“Faktoje” analizoi ndërkohë të dhënat e një dekade të Raporteve të Progresit, raportet që përgatiten nga ekspertët e Brukselit dhe që vlerësojnë progresin e vendeve anëtare vit pas viti, duke u përqendruar te grup-kapitulli i parë, “themeloret”. Të dhënat tregojnë se interesi i Tiranës zyrtare nuk ka qenë fort i lartë për të realizuar shumë nga kushtet e progresit drejt anëtarësimit.

“Të mbyllësh një kapitull është më e rëndësishme se të hapësh shumë njëherësh. Kjo punë nuk bëhet mirë kur nuk ka një institucion të plotë, të dedikuar, të specializuar, me staf të përhershëm, të përgatitur mirë, të qëndrueshëm, diplomatiko-teknik, etj. Entuziazmi deklarativ politik me fjalë të ngjyrosura nuk i bën drejtësi reale objektivit. Kryeministri ndoshta përsëri e lidh vitin 2030 me zgjedhjet e vitit 2029”, argumenton Mazi.
Ndërsa për Ilda Zhulalin: “Puna duhet të vijojë në kapitujt themelorë – në fushën e gjyqësorit me vettingun në apel, pozicionet vakante në gjykata, SPAK-u duhet të shtojë ritmin e punës për ndjekjen e zyrtarëve të lartë, në administratën publike duhet miratuar ligji i ri i shërbimit civil, etj. Sigurisht puna duhet të ecë shpejt dhe në ndryshimet legjislative: harmonizimi me acquis-in e tregut të brendshëm, miratimi i Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës, transpozimi i direktivave mjedisore, plotësimi i parakushteve për programin IPARD III në bujqësi”
Për pedagogun Ilir Aliaj, kjo mund të konstatohet edhe në raportin e progresit të vitit të shkuar të Komisionit Europian për Shqipërinë.
“Shikoni raportin e fundit të Komisionit Europian për progresin e Shqipërisë dhe togfjalëshi më i përhapur është ‘korrupsion i madh’. Nga ana tjetër mungon lufta ndaj krimit te organizuar”, thotë ai.
Edhe në drejtim të kushtit tjetër, atij për uljen e numrit të azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria ka ende punë për të bërë
“Po t’i referohemi statistikave, Shqipëria mbetet vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, vendi ka nivele shumë të larta të të riatdhesuarve nga Gjermania, Britania e Madhe apo edhe vendet e tjera të Bashkimit Europian”, argumenton politologu Bledar Milaqi.
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare Alban Dafa, nga Instituti për Media dhe Ndërmjetësim thotë se rruga për në BE është e dy anshme.
“Qe prej 2016, ‘detyrat e shtëpisë’, pra kriteret që duhet të plotësohen përpara se të kapërcehen pengesat e shumta në rrugën e anëtarësimit, kanë qenë gjithnjë në ndryshim e sipër. Këto ndryshime kanë ndodhur pjesërisht për shkak të tendencës së vendeve anëtare të BE-së për të ngadalësuar procesin e zgjerimit të ‘unionit’ dhe pjesërisht për shkak të lojërave politike e mungesës së vullnetit të qartë të udhëheqësve politikë shqiptarë për të realizuar reformat për të cilat zotohen”, thotë Dafa.
Vonesa me raportin IBAR
Ndërkohë Shqipëria ka ngecur në Bruksel, mes Komisionit dhe Këshillit të Bashkimit Europian. Edhe pse qeveria e unionit thotë që vendi ynë i ka plotësuar kushtet për të marrë një raport pozitiv të vlerësimit të standardeve të funksionimit të shtetit të së drejtës, luftës anti-korrupsion dhe krimit të organizuar, si dhe funksionimit të demokracisë, disa vende anëtarë të BE janë skeptike, duke mos i dhënë ende dritën jeshil e Shqipërisë për të vijuar me mbylljen e kapitujve.
“Raporti i vlerësimit të ndërmjetëm IBAR është diskutuar në Bruksel. Disa shtete mendonin se nuk duhej të ishte paraqitur, por u pranua pasi Rama bëri vetëm hapin e parë për të mbyllur çështjen ‘Balluku’, që ka rëndësi të madhe politike. Raporti IBAR ka rëndësi thelbësore për të ecur drejt mbylljes së kapitujve, së paku të fillohet me një. Ai po vlerësohet nga shtetet e BE-së dhe vendimi politik do merret në Këshill.
Në diskutimin e parë, gjashtë shtete kanë mbajtur qëndrimin e mëparshëm kritik ndaj vendit tonë, e kanë quajtur largimin e Ballukut vetëm hapin e parë, paraqitjen e raportit IBAR të parakohshëm, ndërsa tre shtete e kanë mirëpritur paraqitjen e raportit”, sqaron ish-kryenegociatori Mazi.
“Marrja e IBAR-it kushtëzon mbylljen e çdo kapitulli dhe përbën sfidën më të rëndësishme sot për sot”, argumenton në anën tjetër diplomatja Zhulali.
Këshilli Europian
Në dy takimet e fundit të 6 dhe 13 marsit grupi i punës në Këshillin e Bashkimit Europian nuk ka gjetur dakordësinë e vendeve anëtare për të lejuar Tiranën zyrtare që të kalojë në një stad tjetër të negociatave.
“Shtetet anëtare i drejtuan disa pyetje Komisionit Europian në lidhje me IBAR dhe morën përgjigjet e nevojshme. Pra, ishte thjesht një shkëmbim pikëpamjesh, pa përfundime operative në këtë fazë”, konfirmoi për “Faktoje” Këshilli Europian pas një kërkese për informacion.
Për shkak të kësaj situate, Brukseli konfirmon se takimet e COELA-s për piketat e ndërmjetme të Shqipërisë do të vijojnë në javët në vijim.
“IBAR shërben si bazë për të ashtuquajturin draft-pozicionin e përbashkët të përkohshëm të BE, të cilin Komisioni tashmë ua ka paraqitur shteteve anëtare dhe për të cilin diskutimet në COELA do të vazhdojnë në javët dhe muajt në vijim”, njofton Këshilli Europian.
Por para se të trokasë në dyert e Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të jetë gati. Për një “po” në vend të një “jo-je”, vendi duhet fillimisht të integrohet institucionalisht dhe ekonomikisht.
Kriteret
“Kriteret e Kopenhagës rëndom paraqiten si dy kolona të veçanta – politike dhe ekonomike – por në realitet ato janë të ndërthurura në mënyrë organike, ku secili dimension është njëkohësisht parakusht dhe produkt i tjetrit.
Një gjyqësor i pavarur nuk është vetëm kërkesë e sundimit të ligjit, është kushti themelor për një ekonomi tregu funksionale, sepse pa zbatim kontratash, pa mbrojtje prone dhe pa garanci për zgjidhje të drejtë të mosmarrëveshjeve, investimet serioze nuk ndodhin; ndërsa korrupsioni në prokurimin publik ose tatime shton kosto të padukshme që ulin konkurrueshmërinë e ekonomisë” , argumenton ekonomisti Ilir Ciko.
Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion mbi këto pikëpyetje Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatores, znj.Majlinda Dhuka si dhe Kryeministrisë, por nuk mori një përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.
Standardet
Shqiptarët duhet të presin edhe 70 vite të tjera për të arritur cilësinë e jetesës së popujve europianë. Në këtë përfundim ka arritur Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pasi ka analizuar ritmet e rritjes ekonomike, reformat e ndërmarra dhe nivelin e të ardhurave për frymë.
“Kur flasim për konvergjencën ekonomike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duhet të jemi realistë: ekziston një hendek i madh që ndan ekonominë tonë nga standardet e BE-së. Për ta mbushur këtë hendek, nevojiten reforma të thella, investime strategjike dhe harmonizim gradual me rregullat dhe politikat e BE-së”, argumenton akademiku Selami Xhepa.
Nga gati 46 mijë euro në vendet europiane, në Shqipëri të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri, pra raporti mes Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe popullsisë, është aktualisht në nivelin e 8.800 eurove. Kjo në një kohë që rritja ekonomike e vendit ka qenë në nivele të kënaqshme.
“Nga ana tjetër, tregues pozitivë makroekonomikë si rritja ekonomike 3.7%, papunësia në 8.7%, inflacioni 2.3%) marrin kuptim vetëm nëse qytetarët ndjejnë përmirësime konkrete në mirëqenien e familjeve të tyre, në të kundërt mbështetja për integrimin brehet, sikurse ndodhi në Kroaci ku vetëm 43% e votuesve dolën në referendumin për anëtarësimin.
Përvoja rajonale tregon një rrezik të dyfishtë që Shqipëria duhet të shmangë: reforma politike pa efekte reale ekonomike për familjet shqiptare, ose rritje ekonomike pa reforma institucionale që akumulojnë përfitimet ekonomike në pak duar të zgjedhura”, shton Ilir Ciko
Hendeku mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian shtrihet edhe në të tjera drejtime. Nga 3.9 euro/orë që mesatarisht merr një i punësuar në vend, në BE paga mesatare në euro është plotë 16.8 euro apo 4.4 herë më e lartë.
“Fatkeqësisht tregu shqiptar vijon të jetë i deformuar për të qenë si duhet pjesë e tregut të Bashkimit Europian, pikërisht për faktorin e dytë. Përqëndrimi i aktivitetit ekonomik në pak kompani dominuese që kontrollojnë dhe abuzojnë me pozitën e tyre në treg është tashmë i provuar prej kohësh, dhe mjerisht, ende dhe sot i pandryshuar.
Sundimi i ligjit krijon premisat për ekonomi të shëndetshme, ekonomia e shëndetshme krijon bazën për institucione të forta, institucionet e forta garantojnë të drejtat, dhe të drejtat e garantuara legjitimojnë procesin dhe janë çelësi ‘magjik’ për derën me mbishkrim Europë“, argumenton ekonomisti Selami Xhepa.
Në fund të ditës, ëndrra e Shqipërisë për një “pasaportë europiane” në dorën e çdo qytetari nuk është vetëm çështje datash apo premtimesh elektorale. Ajo është një garë me kohën, ku reformat e thella, investimet strategjike dhe harmonizimi gradual me standardet e BE-së duhet të ecin paralelisht me pritshmëritë e qytetarëve.






