“Na erdhi mandati para shtatë muajsh se shtëpia ka hyrë në projekt. Shteti duhet të na dëgjojë, paguajmë taksat dhe duhet të biem në dakordësi. Kemi kundërshtuar dhe tani e kanë lënë në heshtje. Në diskutimin që bëmë me kryeministrin na tha që do të rishikohen, do të të rikorrigjohen, do të rivlerësohen. Po këto janë vetëm fjalë, në letër nuk kishte gjë. Kryeministri kishte një letër përpara që bënte vetëm piktura, jo të shënonte me pika problemet tona dhe zgjidhjen”, thotë për Faktoje 72-vjeçari Mehmeti.
Projekti TID i financuar nga AADF (Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim) planifikon një investim në vlerën 6.7 milionë dollarë. “AADF synon të krijojë një plan menaxhimi të integruar i cili do të rigjallërojë qendrën historike të Durrësit dhe do të restaurojë objektet e pasurisë kulturore. Objektivi kryesor është krijimi i një modeli të suksesshëm TID i cili do të shfrytëzojë potencialin për turizëm të qytetit të Durrësit”, thuhet në faqen zyrtare të AADF, në lidhje me projektin TID.
“Banorët duan të kuptojnë vlerën e shtuar, kush është interesi publik, nëse realisht trashëgimia kulturore pasurohet me gërmimin dhe me zbulimin e shtresëzimeve të reja, apo kemi të bëjmë me një projekt që ka si qëllim vetëm prishjen dhe mbyllet aty”, ngre shqetësimin drejtuesi i Amfora.al, Geri Emiri.
Arkitektja Entela Koja (Spahivogli), në një qëndrim për Faktoje.al ngre shqetësimin mbi përputhshmërinë e projektit TID Durrës me Planin e Përgjithshëm Vendor të Durrësit (PPV 2022), i cili përbën dokumentin bazë dhe detyrues për zhvillimin e territorit. “Ekzistojnë paqartësi lidhur me bazën planifikuese mbi të cilën është hartuar PDV-ja për projektin TID dhe me mënyrën se si ajo lidhet me strukturën urbane të parashikuar në planin rregullues të qytetit”, thotë arkitektja. Një tjetër çështje, sipas saj, lidhet me ndryshimin e qasjes së ndërhyrjes urbane në zonën historike.