.

.

Barbullojë, aty ku përmbytja nxori zbuluar varfërinë

Reportazh në fshatin Barbullojë të Lezhës. Qindra hektarë tokë të përmbytur dhe dhjetëra banesa të dëmtuara rëndë. Mall e pasuri që u përpi në pak orë.
Nga Sebi Alla/ foto Atdhe Mulla
Tërësisht e dorëzuar para vërshimit të ujit që i ka përmbytur atë pak pasuri, Marjana qëndron në portën e shtëpisë, aty ku “shteti” i la në prag tre litra vaj; një oriz; një makaronë dhe një sheqer. Kaq është ndihma për këtë familje dhe disa të tjera në fshatin Barbullojë të Bashkisë Lezhë, në zonën ku përmbytja ka shkaktuar dëme të mëdha, veçanërisht në dru frutorë, vreshtari dhe bimësi.

“Kemi gjashtë ditë nën ujë. Na është bërë dëm i madh në shtëpi me divane e pajisje të tjera të lagura dhe dalë jashtë përdorimit”.

“Kemi gjashtë ditë nën ujë. Na është bërë dëm i madh në shtëpi me divane e pajisje të tjera të lagura dhe dalë jashtë përdorimit”, thotë Marjana Gegaj, ndërsa me vështirësi mbllaçitet në ujin që i ka shkuar deri në gju.
Me sytë tek një kasolle pranë oborrit të shtëpisë, 63-vjeçarja vërtitet përqark duke u kujdesur për dy derra dhe 20 pula (pasurinë më të madhe që ka).

“Të paktën shpëtova gjënë e gjallë, por kemi vështirësi me ushqimin e tyre pasi uji na i dëmtoi”.

“Të paktën shpëtova gjënë e gjallë, por kemi vështirësi me ushqimin e tyre pasi uji na i dëmtoi”, thotë Marjana, ndërsa numëron hallet që ka, duke jetuar e vetme me tre vëllezër në moshë, dy prej të cilëve edhe me sëmundje të shëndetit mendor dhe të paralizuar.

Të gjithë me një hall

Në Barbulloja banorët mbesin me sytë nga qielli, ndërsa herë pas here lundrojnë në internet për t’u njohur me parashikimin e motit. Edhe Prenga jeton në ankthin e dëmit të shkaktuar dhe pasigurinë që e keqja mund të vijë sërish, ndoshta edhe më shumë.
Mundi dhe djersa e shumë viteve iu rrënua nga përmbytja në pak orë. “Kam 600 rrënjë hardhi, 250 rrënjë ullinj dhe dy dynym jonxhë që më është dëmtuar shumë”, thotë Prenga, ndërsa pranon se dëme në banesë për fat nuk kishte. “Kjo ishte përmbytje nga shteti, jo nga natyra”, thotë ai, ndërsa shton se prej katër vitesh kanalet kulluese nuk janë pastruar nga struktura të pushtetit vendor, por vetë fshatarët janë munduar ta mirëmbajnë duke hequr ledh dhe mbetje të tjera aq sa munden.

“I bëj thirrje shtetit që sadopak të na dëmshpërblejë për dëmet që kemi pësuar”.

“I bëj thirrje shtetit që sadopak të na dëmshpërblejë për dëmet që kemi pësuar”, sugjeron Prenga, ndërsa shpjegon më tej se kjo thirrje u ka mbetur.
Por besim se llogaritë e dëmeve për secilën familje do jenë të drejta dhe se do ketë dëmshpërblim nuk ka.
Për të një “fuqi” më të madhe mund të ndikojë… “I bëj thirrje ndërkombëtarëve që të hedhin një herë sytë nga Edi Rama dhe Belinda Balluku që e kanë lënë Shqipërinë në këtë gjendje”-thotë Preng Shtoni.

Përmbytje nga hiçi

Në ditën e pestë të përmbytjeve në këtë fshat të gjithë të japin një shpjegim të çuditshëm mbi arsyet e përmbytjeve. Ata thonë se peshkatarët e Vainit bllokuan disa muaj më parë me inerte një pjesë të lagunës për peshkim dhe Drini me prurjet e vrullshme të ditëve të fundit përmbyti Barbullojën dhe disa fshatra të tjerë.
Dëme të mëdha ka edhe Gjelina Gjoka, një grua me shumë halle shëndetësore të saj dhe bashkëshortit. Vetë ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale në gji, ndërsa bashkëshorti prej gjashtë vitesh jeton me pasojat e një trompoze në tru.

“Nuk kemi ku shkojmë. Shohim me dhimbje vetëm pasojat që na la përmbytja me divane e atë pak orendi që kishim. Sa për tokën lakra, presh e çdo bimë tjetër është dëmtuar plotësisht”.

“Nuk kemi ku shkojmë. Shohim me dhimbje vetëm pasojat që na la përmbytja me divane e atë pak orendi që kishim. Sa për tokën lakra, presh e çdo bimë tjetër është dëmtuar plotësisht”, thotë ajo. Banesa, një shtëpi njëkatëshe në ndërtim e sipër ngjan si rrënojë kur lagështia ka kapur muret dhe uji ka nisur të krijojë habitatin e tij duke rrethuar gjithçka.

“Vetëm me burrin jetojmë këtu se s’kemi ku shkojmë tjetër. Me shumë mund, por edhe atë mund na e mori lumi".

“Vetëm me burrin jetojmë këtu se s’kemi ku shkojmë tjetër. Me shumë mund, por edhe atë mund na e mori lumi”, rrëfen Gjelina që edhe ajo si fqinja Marjanë “hairin” shtetit deri më tani ia ka parë me një pako të vogël ushqimore.

U kujtuan për Hidrovorin

Në lënie të Barbullojës, në pjesën jugore të saj situata është vërtetë alarmante, ndërsa një pjesë tjetër e fshatit nuk ka pësuar ende përmbytje, por frika është e madhe. Vënia në funksion të plotë e Hidrovorit të Vainit është thelbësor në situatën e përmbytjeve në zonat rurale të Lezhës.
 Prania e një ekskavatori të madh është tregues se po punohet me intensitet për të mos kaluar në fatkeqësi edhe më të mëdha dhe përmbytje që do sillnin pasoja të konsiderueshme. Në Hidrovor po punohet për thellimin e basenit dhe vënien në funksion të plotë të të gjitha pompave.
Niveli i ujit është gati në limite për të dalë nga shtrati dhe depërtuar në toka dhe banesa edhe në fshatin Rrilë.
Prej disa vitesh Lezha kishte dalë nga harta e përmbytjeve, duke vendosur në “gjumë” edhe strukturat vendore që sikurse na thanë banorët prej katër vitesh nuk kishin ndërhyrë në pastrimin e kanaleve kryesore kulluese dhe vendosjen e disa argjinaturave qoftë edhe me mbetje të ngurta përgjatë rrjedhës së Drinit dhe veçanërisht në kilometrat e fundit të grykëderdhjes së tij, aty ku rreziku i daljes nga shtrati duke shkaktuar përmbytje është i madh.

Fonde me pikatore

Përmbytjet e fundit në Lezhë nuk janë surprizë natyrore. Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet për parandalimin e fatkeqësive në këtë bashki janë minimale. Transfertat e pakushtëzuara për Bashkinë Lezhë rriten nga 2025 në 2026 me rreth 83 milionë lekë, por shpërndarja është e pabarabartë.
Ujitja dhe kullimi, zëri më kritik për një bashki të ekspozuar ndaj përmbytjeve, trajtohet si dytësor. Vetëm 2.7 milionë lekë shtesë. Një rritje modeste përballë nevojave reale për kanalet e bllokuara, argjinaturat që kërkojnë mirëmbajtje dhe sistemet e shpërndarjes së ujit që dorëzohen sa herë nis sezoni i reshjeve.
Përmbytjet e fundit në Lezhë nuk janë surprizë natyrore. Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet për parandalimin e fatkeqësive në këtë bashki janë minimale. Transfertat e pakushtëzuara për Bashkinë Lezhë rriten nga 2025 në 2026 me rreth 83 milionë lekë, por shpërndarja është e pabarabartë.
Ujitja dhe kullimi, zëri më kritik për një bashki të ekspozuar ndaj përmbytjeve, trajtohet si dytësor. Vetëm 2.7 milionë lekë shtesë. Një rritje modeste përballë nevojave reale për kanalet e bllokuara, argjinaturat që kërkojnë mirëmbajtje dhe sistemet e shpërndarjes së ujit që dorëzohen sa herë nis sezoni i reshjeve.

“Do Zoti qetësohet gjendja se po të jetë për shtetin kemi mbaruar”.

Rrugët, pyjet, administrimi i territorit, të gjitha funksione që lidhen drejtpërdrejt me parandalimin e fenomeneve natyrore, mbeten thuajse të ngrira. Ndërkohë, rritja më e madhe shkon te pagat, me afro 25 milionë më shumë se një vit më parë.
Përmbytjet e Barbullojës dhe fshatrave të tjera tregojnë se investimet nuk mund të presin, sepse natyra nuk fal vonesa. “Do Zoti qetësohet gjendja se po të jetë për shtetin kemi mbaruar”, thotë me bindje Frrok Gjoka, duke qarë hallin për shkatërrimin e orendive dhe mbytjen e disa shpendëve.