.

.

Home Aktualitet Komisionin “Xhafaj” po e “refuzon” drejtësia  

Komisionin “Xhafaj” po e “refuzon” drejtësia  

0
Komisionin “Xhafaj” po e “refuzon” drejtësia  
Ne foto: Komisioni parlamentar i posaçem per luften kunder korrupsionit.

Në fund të muajit maj, Kuvendi i Shqipërisë miratoi vetëm me votat e PS-së ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”

Ky komision është ngritur “për të drejtuar dhe koordinuar një proces të thelluar reformimi”, që në thelb ka luftën kundër korrupsionit.

Opozita nuk merr pjesë në komision, duke e parë me dyshim nismën

Kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj ka vijuar punën mbi garancinë e shprehur prej tij se, “i gjithë procesi do të ndërtohet mbi gjithëpërfshirjen”.

Në foto: Fatmir Xhafaj, Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin”

Në funksion të këtij qëllimi, komisioni, me votat e 6 anëtarëve të PS-së, ka miratuar ngritjen e një grupi pune me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë ku të ftuar janë edhe institucionet e drejtësisë dhe ato të pavarura.

Mërkurën e 2 tetorit, Gjykata Kushtetuese i kthen një përgjigje zyrtare kërkesës së Xhafajt për të dërguar ekspertë te saj pranë komisionit

Në foto: Përgjigja zyrtare e Gjykates Kushtetuese per komisionin e posaçem parlamentar anti-korrupsion

Edhe pse e përgëzon nismën, Gjykata Kushtetuese vëren se, “për shkak të funksionit të saj, nuk mund të marrë pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjbërëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrim të funksionit të saj në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, përveç rastit të ndryshimeve në Kushtetutë dhe ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Kjo nuk është përgjigja e fundit refuzuese. Pa kaluar as 24 orë një institucion i rëndësishëm i drejtësisë, SPAK, ka dërguar një shkresë zyrtare.

Prokurorët e Posaçëm njoftojnë se gjatë një mbledhje të thirrur për këtë kërkesë,  “në mënyrë unanime nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert“

“Institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij”, SPAK

“Institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të  Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit.  Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme, cilësoi se është e gatshme për të  ofruar kontributin e saj  përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.

Instituti i Studimeve Politike vlerëson në një analizë të saj për këtë çështje se praktika e punës, sipas të cilës, institucionet e drejtësisë, të pavarura dhe kushtetuese duhet të dërgojnë përfaqësues për të qenë pjesë teknike e komisionit, “përbën zhvillim shqetësues dhe rrezikon të cenojë pavarësinë e institucioneve të pavarura dhe të vetë ekspertëve të tyre, si dhe krijon perceptimin se institucionet e pavarura duhet të japin llogari përpara një Komisioni politik”

Previous article Eksperimenti optik me monedhën 100 lekëshe nuk provon tokën e sheshtë
Next article 2024, viti rekord i zjarreve në dekadën e fundit
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.