Më 19 Korrik, dy javë pas nisjes së aksionit për lirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama njoftoi se në Tiranë do të çliroheshin rreth 20 mijë metra katrorë hapësirë publike, ndërsa puna do të vijonte edhe në qytetet e tjera, bregdet dhe zonat e mbrojtura. “Sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara”, njoftoi Rama.
Herë pas here, Kryeministri Rama publikon video të aksioneve të lirimit, si pjesë e një plani më të gjerë për administrimin e hapësirave publike kësaj here në mënyrë të ligjshme.
Kërkesat
Faktoje.al, paralelisht me shifrat e deklaruara publikisht nga kryeministri Edi Rama, i dërgoi dy kërkesa për informacion bashkisë së Tiranës konkretisht Policisë Bashkiake dhe IMT se kryeqytetit në thelb për sa sipërfaqe ishte liruar, por duke kërkuar informacione të ndryshme.
Policisë Bashkiake iu kërkua sa metër katror sipërfaqe publike ishte liruar, sa subjekte ishin gjobitur brenda katër viteve për zaptim të hapësirave publike? A ka evidenca zyrtare për shkelësit dhe a kishte pasur paralajmërime më herët ? Dhe cilat struktura brenda bashkisë ishin përgjegjëse për situatën e evidentuar pas aksionit të filluar në Tiranë?
IMT-së Tiranë iu kërkua në cilat lloje subjektesh ishin zhvilluar aksionet, pra sa bar-restorante, parkingje, apo subjekte të tjera? Sa subjekte ishin njoftuar paraprakisht dhe sa çmontime vullnetare ishin kryer?
E shkuar e harruar
“Në përgjigje të kërkesës suaj, ju sqarojmë se, duke marrë në konsideratë se marrja e detyrës si Drejtoreshë e Policisë Bashkiake ka ndodhur në muajin maj 2025, periudha në dispozicion për marrjen në dorëzim të përgjegjësive dhe organizimin e punës ka qenë e kufizuar.
Megjithatë, gjatë kësaj kohe, Policia Bashkiake ka ndërmarrë një aksion të gjerë në shkallë qyteti për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme, si pjesë e angazhimit të saj për rivendosjen e rendit urban dhe garantimin e aksesit të qytetarëve në mjediset e përbashkëta…”, thotë ndër të tjera Policia Bashkiake e Tiranës në një përgjigje të saj për Faktoje në datën 25 korrik, duke mos vënë në dispozicion evidenca për katër vitet e fundit
IMT, në anën tjetër, pas një përgjigje të vonuar për Faktoje thekson se, “për shkak të ngarkesës e ka të pamundur përpilimin e një informacioni të detajuar”.
Por vuri në dispozicion të dhëna të përgjithshme se si ishte situata aktuale në Tiranë lidhur me lirimin e hapësirave publike
Fakt
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Bashkia Tiranë njoftoi për Faktoje se deri me datë 4 shtator në kryeqytet “ishin liruar në total 1483 hapësira publike nga të cilat 1,214 çmontime vullnetare dhe 269 ekzekutime vendimesh, 56,421 m2 sipërfaqe e liruar në total, ndërkohë 1791 subjekte ishin njoftuar për të kryer lirimin vullnetar”.
Sipërfaqja e liruar (deri më tani) referuar të dhënave zyrtare të IMT Tiranë tejkaloi shifrën parashikuese të kryeministrit Edi Rama të muajit korrik ndaj dhe deklaratën e tij për 20 mijë metër katror të liruar do ta kategorizojmë të vërtetë.