VALBONA DAVIDHI
Tymi që mbuloi Fierin dhe beteja gjashtëditore për shuarjen e zjarrit në fushën e mbetjeve në Sheq të Madh, solli zgjidhjen e pritur prej vitesh për banorët e Fierit, dërgimin e mbetjeve drejt inceneratorit të ri. U desh ndotja masive e ajrit nga retë e tymit toksik, që emergjenca mjedisore e shpallur 5 vjet me parë të merrte fund.
Po përse u desh një katastrofë mjedisore në Fier, për të dërguar mbetjet drejt inceneratorit?
Dita e parë e djegies së mbeturinave në landfilldin Sheq i Madh në Fier
Flakët që përfshinë landfilldin e mbetjeve në Sheq të Madh një javë më parë, shkaktuan një re gjigande që mbuloi qytetin dhe rrethinat.
“Kemi jetuar mes tymit, jemi sëmurur, askush se vriste mendjen për ne”,- tha Drita Kulari, që banon pranë fushës së mbetjeve.
Reja e tymit që mbuloi qytetin e Fierit, korrik 2021
Më të prekur janë banorët e lagjes Sheq i Madh, të cilët kanë bashkëjetuar me tymin dhe blozën për vite të tëra.
“Kur ndizej fusha këtu, gjethet e pemëve nxiheshin”,- na tregon Sandër Dashi, banor i kësaj zone.
Shkak i zjarrit dyshohet të jenë bërë temperaturat e larta të cilat në kombinim me gazin metan që lëshojnë mbetjet, shkaktojnë zjarr.
Reja e tymit në qytetin e Fierit
Megjithëse inceneratori i ri, që ka kushtuar 21.3 milionë euro, sipas Kryeministrit Rama do të mbyllte plagët mjedisore kancerogjene të fushave të plehrave që digjen, situata në Fier mbeti e pazgjidhur.
Inceneratori gati që në prill, por mbetjet digjeshin në fushë
“Gati Impianti ultramodern i Përpunimit të Mbetjeve në Fier, që do të mbyllë të tjera plagë mjedisore kancerogjene, fushat e plehrave që prej dekadash të tëra digjen në natyrë, në krejt qarkun e Fierit”- ishte postimi i kryeministrit Rama më 4 prill 2021, ku do të publikonte një video 8-minutëshe me pamjet e inceneratorit të ri.
Edhe pse kaluan 4 muaj që nga ajo ditë, mbetjet vijuan të digjeshin në qiell të hapur, deri sa situata doli jashtë kontrollit në datën 27 korrik.
Djegia e mbetjeve në Fier, 27 korrik 2021
Zgjidhja emergjente, që erdhi nga katastrofa mjedisore
Ditën e hënë, më 2 gusht, kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi njoftoi se mbetjet urbane po dërgohen në incenerator.
“Dua të ndaj me ju lajmin e shumëpritur: atë të të nisjes nga puna të inceneratorit të Fierit”- deklaronte kryetari i Bashkisë Fier.
Po përse duhej një katastorfë mjedisore që mbetjet të dërgoheshin drejt inceneratorit të Fierit?
Në lidhje se përse mbetjet nuk dërgoheshin në inceneratorin e ndërtuar në fshatin Verri, po vijonin ende të digjeshin në fushën, bashkia e Fierit deklaron se infrastruktura për t’i transportuar mbetjet nuk ishte ende gati.
“Nuk kishim infrastrukturën gati, mjetet e transportit të mbetjeve duhet të jenë specifike ndaj nuk kemi filluar ende të dërgojmë mbetjet në incenerator. Duhet të kemi parasysh se inceneratori është 10 km larg fushës së mbetjeve. Po përfundon ndërtimi i një pike grumbullimi pranë ish-Azotikut e cila do të shërbejë si stacion për transportimin e plehrave që grumbullohen nga fshatrat, në Verri aty ku ndodhet inceneratori”,- u shpreh për Faktoje, Arjan Ndreu drejtori i Ndërmarrjes së Pastrimit në Bashkinë Fier.
Si u zgjidh ngërçi për dërgimin e plehrave në incenerator?
“Ne biseduam me firmën dhe ramë dakord që me mjetet e tyre dhe shpenzimet e tyre të bëhet transporti i mbetjeve në incenerator. Kemi lënë një hapësirë provizore pranë fushës së mbuluar tashmë me dhè për grumbullimin e mbetjeve nga ku do të transportohen për në Verri,” tha kryetari i bashkisë, Armando Subashi për Faktoje.
Aktualisht mbetjeve në Fier u është dhënë një zgjidhje provizore, cilat janë hapat që ka ndërmarrë bashkia për të përballuar zgjidhjen përfundimtare?
“Infrastruktura aktuale që kemi ka kosto të lartë ndaj ne planifikuam tre hapa, të cilat i kemi mbuluar edhe me buxhetin përkatës. E para, është hapja e një pike grumbullimi pranë ish-Azotikut për transportimin e mbetjeve drejt inceneratorit në Verri. Jemi duke e përfunduar këtë. E dyta është blerja e një traileri me përmasa dhe teknologji moderne, që do të zëvendësojë 10 makinat teknologjike, që kemi aktualisht për transportin e mbetjeve. Kemi hapur dy herë procedurën për tender, por firmat kanë pasur mangësi në dokumentacion. Këto ditë do të hapim procedurën e tretë. Vlera e kësaj makinerie shkon deri në 60 mijë euro.
Tenderi për blerjen e mjeteve teknologjike, Bashkia Fier
E treta është rruga. Ka një pjesë rruge nga Kallmi në Verri të pashtruar dhe kjo e bën të vështirë kalimin e mjeteve teknologjike. Kemi planifikuar 15 milionë lekë të reja për ndërtimin e kësaj rruge, tenderin e së cilës do ta çelim së shpejti”, – tha Subashi për Faktoje.
Faktoje konsutoi buxhetin e Bashkisë Fier për vitin 2021, për të parë nëse këto investime janë parashikuar si zëra në buxhet.
Investimet e Bashkisë Fier për vitin 2021
Fusha e mbetjeve në Fier, një emergjence mjedisore
Fusha e mbetjeve të Fierit është shpallur emergjencë mjedisore në vitin 2015.
Vendim i Këshillit Bashkiak Fier, që shpalli emergjencën mjedisore në vitin 2015
Ajo është hapur 50 vjet më parë dhe shërbente për grumbullimin e mbetjeve urbane të qytetit në atë kohë me 20 mijë banorë. Tani kjo ‘bombë’ mjedisore grumbullon mbetjet e një bashkie me 200 mijë banorë, çka ka bërë që të dalë jashtë funksionit.
Qyteti i Fierit, korrik 2021
Çdo vit në periudhën verës, fusha e mbetjeve digjej në pjesë të ndryshme dhe vatra të vogla, duke lëshuar tym dhe erë të keqe, por në temperatura tejet të larta si ato të kësaj vere, situata ka dalë jashtë kontrollit.
Reja e tymit që u çlirua prej gjashtë ditësh nga fusha e mbetjeve mbërriti deri në Patos dhe fshatrat e Roskovecit, ndërsa është parë deri në Novoselë.
Reja e tymit në qytetin e Fierit
Situata e krijuar me mbetjet në Fier ka sjellë edhe reagimi e opozitë. Më 30 korrik, përmes deputetit të Partisë Demokratike, Luan Baçi, i cili ka akuzuar kreun e Bashkisë Fier, për afera në lidhje me inceneratorin. Ai thekson se PD e ka dërguar çështjen në SPAK.
“Inceneratori u tha se ishte gati që në maj, por bashkia nuk i dërgoi mbetjet atje. PD ka bërë denoncimin në SPAK për inceneratorin dhe presim të bëhet transparencë për këtë çështje”, tha deputeti i Partisë Demokratike.