Nga Sebi Alla Kodi i ri Penal tashmë është një hap larg miratimit, por më parë duhet të kalojë nga “paradhoma” e Brukselit për të marrë një miratim. Ky ka qenë premtimi i Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, në prezantim e Kodit të ri Penal, një Kod që nisi si ide, e madje u tha se u ngritën edhe grupe pune që në vitin 2019, por u finalizua në mesin e kësaj vere. Në dy pikat ku priten ndryshime thelbësore është lirimi parakohe me kusht i të dënuarve përjetë dhe “zhvlerësimi” i nenit të “shpërdorimit të detyrës”, nga zyrtarë publik, duke e kaluar gati si kundravajtje penale. “Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por në rrethanat ku jemi është edhe i pashmangshëm”, tha ministri Manja.
Ekspertët
Ai gjithashtu këtë Kod të ri nuk e cilëson si produkt qeverie, por nga grupe ekspertësh nën drejtimin e Arben Rakipit, aktualisht kreu i Shkollës së Magjistraturës. “…Autorësia do të mbetet në pronësi të grupit të punës në çdo fazë të konsultimit publik. Më pas drafti do të marrë vulën e certifikimit në Bruksel dhe vetëm atëherë ministria e Drejtësisë dhe qeveria do të vijojë me procedurat e miratimit parlamentar me shumicë të cilësuar”, theksoi Manja.
Ndryshimet
Por çfarë parashikon Kodi i ri Penal dhe a është si qëllim zbutja e masave të sigurisë apo dënimeve për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës dhe gjithashtu një pikë e diskutuar shumë edhe lirimi me kusht i të dënuarve me burgim të përjetshëm për krime të rënda?
Liri për të dënuarit përjetë?
Nga fundi i deklaratës së tij, Arben Rakipi, ndërsa vlerësoi punën e bërë dhe nevojën sipas tij të ndryshimeve në Kodin Penal, përmendi edhe një pikë e cila lë shteg për shumë diskutime. “Ne kemi pasur në ligj disa pengesa që lidhen me lirimin parakohe me kusht sa lidhet me burgimin e përjetshëm. Ne dolëm në përfundimin që “Po”, mund të aplikojmë lirimin parakohe me kusht për dënimin me burgim të përjetshëm. Është një propozim shumë i guximshëm, debati ka qenë i fortë” tha Rakipi. Faktoje.al duke iu referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve zbuloi se aktualisht në burgjet e vendit janë 200 të dënuar përjetë, pjesa më e madhe e tyre të vendosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, 114 të dënuar. Nëse në Kodin e ri miratohet kjo nismë, atëherë çdo të dënuari përjetë i lind e drejta që t’i drejtohet gjykatës për lirimin e parakohshëm me kusht. Edhe pse kriteret pritet të specifikohen, ideja e lirimit të të dënuarve përjetë që kanë marrë vendim të formës së prerë për këtë masë ka hapur debate të forta. Edhe pse janë 200 të dënuar me masën ekstreme që parashikon dënimi penal, disa prej tyre janë emra të njohur të botës së krimit, ose bandave të konsideruara kriminale nga të gjithë shkallët e gjyqësorit, madje edhe nga Gjykata e Starsburgut…. “Këtu mpleksen shumë gjëra, një pjesë së cilës janë viktima, procesi i edukimit, paqja sociale, shkalla e kriminalitetit në vend. Nisur nga besimi që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë përmirësohen, nëse kushtet me të cilët vendosen edhe puna me ta është e efektshme”, tha Rakipi ndërsa justifikoi përfshirjen e këtij propozimi në Kodin e ri Penal.
Detyra e shpërdoruar
Në një reagim për Faktoje.al, avokati Ermal Hamataj shprehet se për ndryshimet në Kodin e Ri Penal fillimisht u thirrën grupe interesi, përfaqësues të prokurorive, dhomës së avokatëve, apo edhe të Komitetit të Helsinkit, por sipas tij jo të gjitha propozimet u morën në konsideratë. Një nga pikat ku priten ndryshime në Kodin e ri Penal është akuza e shpërdorimit të detyrës, e referuar përkatësisht në nenin 248 të Kodit Penal aktual. “Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”
Ndryshimet
Me ndryshimet e reja, ky nen pritet të ketë ndryshime thelbësore. “Neni që i referohet shpërdorimit të detyrës është në pragun e kundravajtjes penale. Duke ecur me këtë ndryshim, mund të shuhet si dënim penal me burgim”, tha avokati Hamataj. Në piketat e përcaktuara për ndërhyrjet në Kod të publikuara dje nga Ministria e Drejtësisë thuhet: “Shtimi i llojeve të dënimeve alternative të dënimit me burgim për vepra penale të lehta, si dhe i dënimeve plotësuese”. Pikërisht ky citim mund të kalojë veprën e “shpërdorimit të detyrës” si vepër të lehtë penale. “Kemi për herë të parë të parashikuar institutin e lajthimit (gabimit) në faktin që përbën vepër penale, si dhe listimi i pasojave të tjera që buron nga kryerja e veprës penale” citohet në një nga pikat e Kodit të ri. Pikërisht koncepti “lajthim” mund të interpretohet për zyrtarët e lartë publik në kryerjen e një veprimi ose mosveprimi që ka sjellë për pasojë shpërdorimin e detyrës.
Të miturit nevojë për Kodin e ri
Një e mirë në Kodin e ri cilësohet në masë është rishikimi i dënimeve për të miturit, duke aplikuar forma të dënimeve alternative, pa masë represive siç është burgu. “Prioritizohet rehabilitimi dhe riintegrimi i të miturve të përfshirë në krim, duke harmonizuar në këtë mënyrë qëllimet dhe përcaktimet me Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, dhe ligjet e tjera për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”, thuhet në kod. Po ashtu një pikë mjaft e rëndësishme e cila aktualisht mban qindra të mitur dhe të rinj në burgje lidhet edhe me trafikimin apo përdorimin e lëndëve narkotike, duke mos bërë ndarjen specifike për sasinë dhe llojin e lëndëve narkotike. “Përcaktimi i përgjegjësisë penale për mbajtjen e lëndëve narkotike sipas sasisë dhe llojit të lëndës”, citohet një tjetër pikë në draftin e Kodit të ri Penal.
Kodi i ri në sesionin e ri…!
Mëdyshjet për qëllimet e ndryshimeve në Kodin Penal janë ende, ndonëse drafti i paraqitur ka vendosur vetëm piketat ku do ndërhyhet, miratimi i tij duket më pranë, pasi të kalojë për “konsultim publik”. Për të kryer ndryshimet në Kodin Penal ose Civil, nevojiten 84 vota. Aktualisht PS ka 83 vota, ndërsa aleatja e saj jo zyrtare PSD, e deklaruar publikisht pro nismave të qeverisë, ka tre vota. Ideja për ndryshimet në Kodin e ri Penal nisën që në vitin 2019, me të njëjtët ekspertë, përfshi edhe drejtuesin Arben Rakipi, por vetëm në muajt e fundit është finalizuar. Nëse kodi i ri do të kalonte për miratim në Parlament në mandatin e kaluar, ai rrezikohej që të rrëzohej, pasi PS nuk kishte votat e mjaftueshme për të kapur shumicën e cilësuar (84 vota). Nevojiteshin votat e opozitës, e cila nuk kishte dhënë dakordësi paraprake për këto ndryshime në Kodin Penal. Tashmë gjithçka është mjaft më e lehtë për mazhorancën e cila ka votat e duhura për të miratuar Kodin e ri Penal.