100 persona, mes tyre 42 të punësuar në zyrat e shtetit kanë përfituar nga amnistia penale e vitit 2024 edhe pse ishin të dënuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Informacioni i mundësuar nga SPAK për Faktoje nuk përputhet me deklarimin e ministrit të drejtësisë Ulsi Manja gjatë interpelancës parlamentare.
Jona Plumbi
Ligji i amnistisë penale dhe përfituesit prej saj sollën debat të gjerë mes politikbërësve dhe opinionit publik. Shkak ishin deklaratat politike për ata që do të përfitonin nga kjo amnisti, duke u përqëndruar tek të dënuarit nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Në një përballje parlamentare mes deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj dhe ministrit të drejtësisë Ulsi Manja – ku i pari i kërkoi të dytit informacion mbi përfituesit nga amnistia që i përkisnin këtij grupimi njerëzish – ministri bëri kthesë pas nga deklarata e mëhershme ku siguronte se ‘nëpërmjet këtij ligji nuk amnistohet asnjë person i dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar’.
Gjatë interpelancës Manja deklaroi ndër të tjera se ‘Nga kjo amnisti përfituan lirimin e menjëhershëm 18 të dënuar nga GJKKO sipas nenit 75/a gërma a e kodit të procedurës penale (në datën 24.04.2024). Ndërsa 2 prej tyre [të dënuarve nga GJKKO] janë liraur pas kësaj date. Nga ata 20 që kanë përfituar nga amnistia me ulje dënimi dhe që janë dënuar nga GJKKO për vepra penale korruptive si ushtrim i ndikimit të paligjshëm, shkelje e barazisë në tendera apo shpërdorim detyre në ndonjë rast janë shtetas të zakonshëm ose nëpunës në shërbim publik janë vetëm 8.’
Faktoje kërkoi informacion nga SPAK, Ministria e Drejtësisë dhe GJKKO për përfituesit nga amnistia që i përkasin të hetuarve nga SPAK dhe të dënuarve nga GJKKO. Mes tre institucioneve, i vetmi që ktheu përgjigje ishte Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion.
Përgjigjja e ardhur në datë 16 Maj nga SPAK tregon se të liruar nga amnistia pas dënimit për ‘ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’ janë 40 persona, mes të cilëve 28 qytetarë dhe 12 punonjës shtetërorë. Ndërsa, përfitues të uljes së dënimit për shkelje të barazisë në tendera janë dhjetë persona, si dhe tre të tjerë të dënuar për shpërdorim detyre.
“Referuar veprave penale në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme, rezulton se përjashtohen nga vuajtja e dënimit sipas nenit 3 të ligjit “Për Dhënie Amnistie” vetëm personat e dënuar për veprën penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’ (neni 245/1 i Kodit Penal).
Për vitin 2023, janë 18 persona të dënuar për veprën penale të parashikuar nga neni 241/1 të Kodit Penal. Për vitin 2024, janë 22 persona të dënuar për veprën penale të parashikuar nga neni 245/1 të Kodit Penal.”
– tha SPAK për Faktoje.
Informacioni i mundësuar nga SPAK, përpunuar nga Faktoje, tregon se në total janë liruar nga amnistia 40 të dënuar. 60 të tjerë të dënuar nga GJKKO kanë përfituar ulje dënimi nga kjo amnisti. Përfitues në total janë 100 persona deri tani.
Gjithashtu, nëse përfituesit nga amnistia i ndajmë sipas veprës penale për të cilën janë dënuar, numrat përsëri nuk përputhen me deklaratën e ministrit, i cili pretendon vetëm 8 përfitues të dënuar për vepra penale kundër veprimtarive shtetërore të kryera nga shtetasit ose punonjës shtetërorë në shërbim publik.
Sipas amnistisë penale 2024, krimet kundër autoritetit të shtetit, ndër të tjera janë edhe veprat penale:
- Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike (244)
- Shpërdorimi i detyrës (248)
- Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike (258)
- Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike (259)
Në fakt, sipas të dhënave të referuara nga SPAK, shohim se për veprat e mësipërme, përfitues në total kanë qenë 33 persona. Prej tyre 23 të punësuar në zyrat e shtetit.
Nëse këtu përfshihet edhe dënimi për ushtrim të paligjshëm ndaj pesonave që ushtrojnë funksione publike që citon ministri, shifra shkon në 73 (prej të cilëve 35 të punësuar në zyrat e shtetit).
Sa i përket funksioneve, informacioni i SPAK konfirmon për Faktoje se nuk ka asnjë funksionar të lartë apo të zgjedhur vendor që të përfitojë nga amnistia në fjalë.
Nëse heqim nga numri i përfituesve qytetarët e thjeshtë, grafiku i përfituesve të ndarë sipas funksioneve shtetërore është si më poshtë:
Të dhënat e mundësuara mund të jenë subjekt përditësimi – njoftoi SPAK Faktojen – pasi ato janë në koordinim me institucione të tjera si Drejtoria e Burgjeve, Shërbimi i Provës apo GJKKO për vendime që marrin formën e prerë para datës 31.03.2024.