Kuvendi shkeli afatin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese për ndryshimin e ligjit për studentët e mjekësisë, pasi gjykata shfuqizoi detyrimin që ata të punojnë për 5 vjet në Shqipëri përpara se të marrin diplomën. Vakumi ligjor i krijuar nga mungesa e plotësimit të ligjit ka lënë në errësirë maturantët që aplikojnë për studime në universitetin e mjekësisë këtë vit, duke mos e ditur çfarë i pret.
Esiona Konomi
Kuvendi mbylli punimet përpara pushimeve verore pa korrigjuar ligjin e posaçëm për studentët e mjekësisë, duke thyer vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në 25 janar të këtij viti, Gjykata Kushtetuese pranoi ankimin e studentëve të mjekësisë, të mbështetur edhe nga grupi parlamentar demokrat, duke rrëzuar ndryshimet në ligj të miratuara në Kuvend nga mazhoranca, që i detyronte studentët e mjeksisë të qëndronin për 5 vjet në shërbim të shtetit shqiptar përpara se të marrin diplomën.
Gjykata çmoi se ky detyrim nuk është proporcional dhe shkel Kushtetutën.
Në vendim, ndër të tjera, Gjykata Kushtetuese vendosi se Kuvendi kishte për detyrim të miratonte ndryshimet ligjore brenda tre muajve.
Ky afat u shkel nga Kuvendi.
Marash Logu, një prej avokatëve të përfshirë në këtë betejë kushtetuese të studentëve të mjekësisë kundër qeverisë, kujton për Faktoje se vendimi i gjykatës ka hyrë në fuqi në 4 mars të këtij viti.
Kjo i linte afat Kuvendit deri në 4 Qershor për të bërë ndryshimet në ligj pas shfuqizimit të tyre nga Gjykata Kushtetuese.
Ky afat tashmë i tejkaluar ka lënë pezull studentët, sidomos ata që regjistrohen në vit të parë të cilët nuk e dinë se me çfarë rregullash loje do të hyjnë në këtë universitet dhe nëse këto kritere ju leverdisin.
Alesio, një maturant nga Fieri, tha për Faktoje se cilat do jenë afatet e reja për qëndrim të detyrueshëm në Shqipëri, nëse do ketë të tilla..
“Unë nuk di çfarë po rrezikoj. Do të doja të dija se sa vjet do të jem i detyruar të punoj për Shqipërinë. Po të kisha të qarta afatet do të mendoja nëse më leverdis të arsimohem në privat e të mos kem kufizime, apo e përballoj të kundërtën. Unë tani e mora një risk duke aplikuar qorrazi”. – Alesio, student i regjistruar në vit të parë për mjekësi.
Procesi i lënë në mes
Disa muaj pas vendimit të Gjykatës dhe thuajse në fund të afatit që i ishte lënë Kuvendit për të korrigjuar ligjin, qeveria hodhi për konsultim publik disa afate të reja.
Propozimi i ri e ul detyrimin maksimal të studentëve për të punuar për sistemin shëndetësor në Shqipëri nga 5 në 3 vjet. Pavarësisht se studentët e kundërshtuan edhe këtë propozim, qeveria e përcolli ligjin për vendimmarrje në parlament. Por deri në ditën e fundit të këtij sesioni parlamentar ndryshimet nuk u votuan.
Kuvendi u duk sikur bëri një përpjekje më 18 korrik, kur në mes të seancës plenare, u mbajt një mbledhje urgjente e Këshillit të Legjislacionit me qëllim futjen për votim të ligjit të ri për studentët e mjekësisë.
Dhurata Çupi Tyli, deputetja demokrate në krye të Këshillit të Legjislacionit, i tha Faktoje.al se “qëllimi i kësaj mbledhjeje duke ndërprerë edhe seancën plenare për disa minuta, ishte që afatet e reja për studentët të miratoheshin në dy seancat e fundit të korrikut”.
Mirëpo, deputetja demokrate nuk e ka një shpjegim se pse ky plan i përbashkët i të dyja palëve në Kuvend, nuk funksionoi duke cituar vonesa administrative.
“Administrata dhe kryetarja e Kuvendit nuk e bënë gati në kohë raportin për votim”. – tregon Çupi. Megjithëkëtë, kryetarja e Këshillit të Legjislacionit, organ përgjegjës për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në Kuvend, pohon se ka ende kohë që studentët e viteve të para të mjekësisë të mos penalizohen.
“Ndërkohë që mazhoranca vazhdon të këmbëngulë që periudha pas studimeve gjatë të cilës mjekët e rinj janë të detyruar të punojnë në Shqipëri të jetë 3 vite, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike propozon që kjo periudhë të zerohet dhe mjekët e sapodiplomuar të zgjedhin lirisht vendin ku duan të ushtrojnë profesionin e tyre. Universitetet nisin në tetor, e kjo na jep kohë që në shtator ta plotësojmë ligjin përpara vitit të ri akademik”,- tha deputetja.
Studentët në proces
Teksa deputetët po planifikojnë pushimet, studentët janë ende nën tension për të ardhmen e tyre.
Mikel Seferi, student i mjekësisë, i tha Faktoje.al se studentët e kundërshtojnë idenë e punës së detyruar.
“Kjo vonesë në vendimmarrje për shumë nga studentët krijon vështirësi në planifikimin e të ardhmes përsa i përket karrieres dhe sferës profesionale.” – tha studenti Seferi.
Edhe studenti tjetër, Zino Veleshnja ndan të njëjtin shqetësim.
“Një pjesë e studentëve mendojnë transferimin e studimeve, ndërsa maturantët aplikimin apo jo në degën e mjekësisë së përgjithshme. Të ndodhur përpara një situate të tillë, askush nuk është në gjendje të marrë vendimet e duhura për të ardhmen.”- tha studenti Veleshnja.
Në përfundim, studentët vlerësojnë se këto masa shtrënguese nuk janë efektive dhe se kërkohet një dialog i sinqertë për të zgjidhur problemet që sistemi shëndetësor ka në Shqipëri.
Në anën tjetër, rektori Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata informoi Faktojen se Kuvendi nuk i ka kërkuar asnjë mendim këtij institucioni pas shfuqizimit të afateve për punë të detyruar nga Gjykata.
“Universiteti nuk vepron pasi ligji nuk është funksional deri në ndryshimet që priten të bëhen. Nuk kemi asnjë kërkesë për mendim nga ndonjë organ në vend pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Studentët e rinj, sa kohë ligji nuk është funksional, nuk do të nënshkruajnë kontratë!”,- tha rektori Gjata.
Studentët e mjekësisë të cilët theksojnë se do e vijojnë betejën e tyre për të refuzuar cdo afat të mundshëm që i detyron ata të qëndrojnë në Shqipëri pas përfundimit të studimeve universitare në mjekësi, përpos opozitës, kanë edhe mbështetjen e organziatës së shoqërisë civile Qëndresa Qytetare, që monitoron universitetet.
Kjo organizatë ka përsëritur apelin ndaj qeverisë për ta parë më gjerë problemin e mungesës së stafeve mjekësore në spitalet Shqiptare dhe për të mos e kërkuar zgjidhjen përmes penalizimeve ndaj studentëve.
“Mbi ligjin e studentëve të mjeksisë me gjithmonë kemi mbajtur qëndrimin se qasja e shtetit duhet të jetë krijimi i kushteve për ta bërë vendin të pëlqyer dhe qëndrueshëm për mjekët e rinj nëpërmejt mbështetjes, kushteve më të mira dhe financimit të sektorit”,- tha Migen Qeraxhi.
Qëndresa Qytetare, në mbështetje të studentëve, kërkon që Kuvendi e qeveria të tërhiqen fare nga kjo nismë dhe jo ta korrigjojë atë.