SPAK për 2025: 1.1 mln euro pasuri të sekuestruara të zyrtarëve të lartë vetëm 100 mijë të konfiskuara

Kallëzimet në SPAK nga subjektet politike për vitin 2025 ranë me rreth 50%.

38

Për vitin 2025, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) ka arritur të bllokojë pasuri të konsiderueshme të zyrtarëve të lartë të hetuar për korrupsion, por vetëm një pjesë e vogël ka kaluar përfundimisht në pronësi të shtetit, duke treguar diferencën mes pasurive të bllokuara dhe atyre të provuara ligjërisht përmes vendimit të formës së prerë

raportin e saj vjetor të punës depozituar në Kuvend, SPAK njofton se për veprën penale të korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë u sekuestruan pasuri me vlerë rreth 1.1 milion euro, ndërkohë ato të konfiskuara janë rreth 100,000 euro.

SPAK thotë në raportin vjetor se intensifikoi luftën kundër korrupsionit duke njoftuar rritje të hetimeve me (+17.7%), procedime të reja ndaj zyrtarëve të lartë, 18 (nga 30 nën hetim) janë dërguar në gjykatë ndërsa 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë

Procedimet

Në vitin 2025, SPAK hetoi 27 procedime (të mbartura dhe të regjistruara rishtazi) me 30 zyrtarë të lartë (nën hetim/të pandehur) për korrupsion.

Hetimet , sipas SPAK, zbuluan korrupsion të strukturuar në prokurime, legalizime pronash, polici dhe dogana, ku zyrtarët favorizonin procedurat për përfitime monetare, manipulonin dokumentet dhe shmangnin kontrollet, duke cenuar konkurrencën dhe transparencën.

Bien kallëzimet nga politika

SPAK vëren se bashkëpunimi institucional për hetime të filluara me referime nga Policia e Shtetit u rrit me rreth 70%, ndersa nga institucionet publike me rreth 15%.  Por vërehet gjithashtu se kallëzimet nga subjektet politike dhe personat juridikë kanë ranë përkatësisht me rreth 50% dhe 75%.

“Arresti me burg”

SPAK ka nje përgjigje edhe për debatin që po mëshon kryeministri Edi Rama lidhur me numrin e lartë të masës së sigurimit “arrest më burg”

SPAk njofton se përdorimi i “arrestit me burg” ra me rreth 53.4%, duke u zhvendosur drejt masave alternative. Lidhur me korrupsionin (për vitin 2025) kjo masë zë vetëm 3.45% të personave nën hetim (nga 5% në 2024), ndërsa për krimin e organizuar 21.4% (nga 31% në 2024).

Sfidat

SPAK njofton se përballet me sfida në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, ku gjithashtu retorika politike e mediatike, sipas saj, mund të ndikojë në perceptimin publik dhe mund të shërbejë si factor nxitës për rritjen e kërcënimeve nga krimi i organizuar.

Prokuroria e Posaçme vëren gjithashtu ndër radhë se ndërhyrjet ligjore apo institucionale që kufizojnë pavarësinë e tij do të përbënin rrezik serioz për funksionin kushtetues të SPAK dhe shtetin e së drejtës.