Nga Sebi Alla

Arsyeja për të cilën u krijua si qytet, përfundoi që në vitin 2004, atëherë kur një set i vjetër makinerish kineze, prodhoi kallashnikovin e fundit shqiptar në Uzinën e armëve në Çekin. Sot, shpresa është ringjallur me Gramshin që njërin sy e ka nga turizmi dhe tjetrin në “thepin e pushkës”, armëve dhe e municioneve që pritet t’i prodhojnë kompani nga vende aleate, tashmë të bllokut perëndimor… “Janë të paktën 15 kompani të huaja që kanë shprehur interesin për të operuar në Republikën e Shqipërisë, në fushën e industrisë së mbrojtjes, për të cilat kemi dijeni, duke qenë se ose janë drejtuar me shprehje interesi pranë shoqërisë shtetërore “KAYO”, ose pranë Ministrisë së Mbrojtjes”, thotë në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, Ministria e Mbrojtjes dhe “KAYO” (Kompania Shtetërore për Prodhimin dhe Tregtimin e Armëve, Municioneve dhe Pajisjeve Ushtarake). Krahas Gramshit, edhe ish-Uzina e prodhimit të lëndëve plasëse në Mjekës të Cërrikut dhe Fabrika e Municioneve në Poliçan mbajnë shpresë të afërt që industria e armatimit do të vihet në punë.

Armë “made in Albania”…!

“Ka ardhur dita për t’i çelur dritat një industrie shqiptare të mbrojtjes. Shqipëria do prodhojë armë, dronë inteligjentë, anije dhe automjete ushtarake”, tha kryeministri Edi Rama, në prill të këtij viti, në një takim të zhvilluar në Rubik, edhe kjo një zonë që mund të shërbejë për linja ushtarake të prodhimit të armëve.

“Jam shpresëplotë që kontratat e para, marrëveshjet e para të bashkëthemelimit të firmosen brenda vitit të ardhshëm (2025) patjetër, ndërsa, në lidhje me prodhimin, nëse linja e prodhimit investohet relativisht shpejt pas lidhjes së kontratës, mund të them se nuk është e largët koha, kur mund të nisë prodhimi”, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, në intervistën për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.

Gatishmëria

Por a është vendi ynë gati për zhvillimin e kësaj industrie që kërkon teknologji të lartë, investime serioze, por edhe kushte specifike sigurie? Pavarësisht deklaratës dhe dëshirës maksimaliste të kreut të qeverisë për zhvillimin e industrisë ushtarake, deri më tani shpresat janë që kompani të huaja të prodhimit të armëve dhe muncioneve ta shohin Shqipërinë si vend ku mund të investohet, veçanërisht në zonat ushtarake që ofrojnë terren thuajse të gatshëm në hapësirë dhe siguri. Pjesa më e madhe e industrisë ushtarake shqiptare e ngritur para viteve 90’, elementin kryesor kishte sigurinë, ku objekte të klasifikuara të rëndësisë së veçantë vendoseshin larg zonave të banuara dhe me kushte sigurie kryesisht të terrenit të favorshme.

Në Gramsh një kompani nga Izraeli u interesua për prodhimin e predhave të kalibrit 155 mm. Sikurse mësojmë nuk e konsideruan të përshtatshëm zonën dhe po shohin mundësinë që fabrika e prodhimit të predhave të vendoset në një tjetër ish-zonë ushtarake në Burrel.

Nga SHBA tek Arabët…

Janë 15 kompani nga vende të ndryshme të botës që kanë shprehur interes në ngritjen e linjës së tyre të prodhimit në Shqipëri, por nuk ka afat konkret drejt nënshkrimit të një kontrate dhe nisjes së punës edhe pse ministri Vëngu është shprehur se kontratat e para mbyllen brenda vitit. “Shoqëritë tregtare që kanë shprehur interes për të vepruar në Republikën e Shqipërisë kanë qenë të të gjitha përmasave, nga SME, në shoqëri tregtare që janë aktorë në nivel botëror dhe këto të fundit përbëjnë mbi 50% të shoqërive që kanë shprehur interes. Vendet e origjinës janë Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha për Faktoje.al, Ministria e Mbrojtjes. Po sipas burimeve zyrtare nga KAYO: “nuk janë llogaritur në numër ato shoqëri të huaja që kanë vendosur të operojnë në bashkëpunim me shoqëri tregtare shqiptare, pasi nuk kemi pasur shprehje të drejtpërdrejtë interesi”.

Çfarë ofron Shqipëria?

Një vit më parë në Qendrën Kombëtare të Biznesit u regjistrua si subjekt me kapital shtetëror KAYO sh.a. “KAYO sh.a operon në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë, duke ofruar produkte dhe shërbime për Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe tregjet ndërkombëtare.

Kompania u themelua në vitin 2024, duke trashëguar kapacitetet prodhuese të Uzinës së Lëndëve Plasëse Mjekës, Uzinës Mekanike Gramsh dhe Kombinatit Mekanik Poliçan”, thuhet në faqen zyrtare të kompanisë. “Në përputhje me ligjin 87/2024, përveç ambienteve, Republika e Shqipërisë ofron lehtësira fiskale dhe për shoqëritë që zgjedhin të hyjnë në Joint Venture me shoqërinë shtetërore “KAYO”, ofrohen dhe mbështetje në infrastrukturën ndihmëse dhe akses në fonde për kërkim dhe zhvillim”, tha Ministria e Mbrojtjes.

Në diskutime

Zyrtarisht, Ministria e Mbrojtjes konfirmon për Faktoje.al se ka negociata me kompani të ndryshme për prodhimin e armëve dhe municioneve, tokësore dhe detare. “Aktualisht jemi duke negociuar me disa shoqëri për prodhim, armësh, municionesh, sisteme armësh, mjete luftarake detare dhe tokësore, por negociatat janë të mbrojtura nga klauzola konfidencialiteti. Informacioni do të bëhet publik në momentin që do regjistrohen shoqëritë e përbashkëta në QKB”, tha Ministria e Mbrojtjes. Sipas tyre, “kalendari i punimeve për secilën kontratë është gjithashtu konfidencial”, – “por mund të themi se brenda një horizonti kohor afatmesëm, mendojmë se do kemi linja teknologjike të ngritura dhe prodhim armësh dhe sistemesh në Republikën e Shqipërisë”.

Çekin 1965…!

Në vitin e largët 1965 në Çekin, tre kilometra larg qytetit të Gramshit, nisi funksionimin Uzina Mekanike e Armëve. Specialistë kinezë dhe shqiptarë montuan linjën e prodhimit, ndërsa punëtorët specialistë do të gjendeshin në zonat përreth dhe Cërrik. Një prej atyre mijëra punëtorëve që lanë mundin në qindra mijëra armë “prodhim shqiptar”, është edhe Shefqet Kumria, të cilin Faktoje.al e intervistoi jo shumë larg uzinës, tashmë në shijim të pensionit.

Një punë që e nisi në uzinë fare i ri dhe e përfundoi po në atë uzinë, prej së cilës dolën armë nga pushkët sportive tek kallshnikovi. Shefqeti kujton atëkohë kur ajo uzinë, ndër më të rëndësishmet në vend, prodhonte deri në 1200 kallshnikovë në muaj. “Më 16 tetor të vitit 1971 fillova punë në uzinë si frezator, pasi kisha kryer gjashtë muaj praktikë”, kujton Shefqeti. Është nga ata personazhe që e njohu uzinën në kulmin e saj të prodhimit dhe e la në gjendjen e sotme. “Fillimisht prodhuam pushkë dhjetëshe, më pas pushkë njëzetëshe, kallashnikovë, pushkë sportive dhe armë gjahu”, kujton Kumria.

Uzina

Uzina kapi kulmin e saj në vitet 80’ në prodhimin në seri të automatikut kallashnikov. “Kemi arritur të prodhojmë deri në 1200 kallashnikovë në muaj”, thotë ai, ndërsa shton se siguria në uzinë, trajtimi, ndarja e reparteve dhe i gjithë procesi monitoroheshin nga grupe specialistësh. “Uzina kishte një cikël të mbyllur nga prodhimi, montimi dhe kalibrimi i armëve”, kujton Kumria, ndërsa herë pas here shton se atëkohë edhe pse shumë e dinin se ku punoje e për çfarë punoje, askush nuk fliste dhe nuk ishin pak por afërsisht në kulmin e prodhimit rreth 1300 punëtorë që shërbenin me tre turne.   

Çekin-Gramsh 2025…!

Një rrugë e ngushtë e asfaltuar, por e parrahur mirë të fton në disa kthesa dhe përballë, mes një pylli të ngjeshur me pisha shfaqet hyrja kryesore e ish-Uzinës së Prodhimit të Armëve në Çekin të Gramshit.

Që në dukje ka një “investim viziv” me një portë të re, vendroje me objekt të rikonstruktuar dhe pak më lart brenda ambienteve një godinë e vogël e bojatisur. “Nuk lejohet të futesh”, thotë prerë një ushtar i armatosur me një kallashnikov, me gjasë i prodhuar po në atë uzinë.

Akuzat për spiunazh

Masat e sigurisë janë të larta, krahasuar me para vitit 2022, konkretisht më 20 gusht. Dy shtetas rusë, M.Z., 24 vjeç dhe S.T., 33 vjeçe, së bashku me një shtetas ukrainas, F.T., 25 vjeç, u arrestuan më 20 gusht 2022 nën dyshimet për spiunazh, pasi njëri prej tyre kishte hyrë në uzinën ushtarake në Gramsh, ka bërë disa fotografi dhe urdhrit të dy rojeve ushtarake të sigurisë për të ndaluar iu kundërpërgjigj me lëng paralizues. Të tre u arrestuan dhe kaluan në një proces gjyqësor, por pa u vërtetuar akuzat për spiunazh.

Masat

Që nga ai incident i rëndë masat e sigurisë në ish-Uzinën e Prodhimit të Armëve në Çekin janë shtuar. Mësohet se aktualisht kjo uzinë shërben për asgjesimin e armëve të kapura nga policia grupe kriminale apo individëve dhe pasi kalojnë në proces gjyqësor të formës së prerë armët e sekuestruara asgjesohen kundrejt një procesi të rregullt dhe mbatjes së procesverbaleve përkatëse nga disa institucione.

Gramshi

Ky vend i harruar sot është kthyer në shpresë për Gramshin e braktisur nga të rinjtë. Në qytet jeta duket e vakët, ndonëse një zonë e qetë, pastërti relativisht të mirë dhe me biznese të vogla që mundohen të nxjerrin diçka, sidomos nga turizmi.

“Vitin e kaluar Gramshi është vizituar nga rreth 120 mijë turistë të huaj”, thotë për Faktoje.al, nënkryetari i Bashkisë Gramsh, Tajar Bici. Sipas tij, zona mbahet nga bujqësia, blegtoria, fruti-kultura dhe biznesi i vogël, kryesisht në shërbime. “Hidrocentrali i Bajës, rruga e mirë dhe natyra e gërshetuar me objekte kulturore dhe parqe natyrore i kanë dhënë vendit një imazh pozitiv”, thotë Bici.

Braktisja

Ky qytet para viteve 90’ numëronte deri në 56 mijë banorë, të përqendruar kryesisht në uzinën e armëve në Çekin dhe “uzinën 85” për prodhimin e baterive për makineritë ushtarake, ndërsa me censusin e fundit të mbajtur në vitin 2023, Gramshi ka mbetur me 16 500 banorë.

“Rivënia në punë e industrisë ushtarake do i jepte zhvillim zonës. Ndikim të drejtpërdrejtë në punësim, turizëm dhe shtim të bizneseve të shërbimit”, thotë nënkryetari Bici.

Gramshi, Poliçani dhe Mjekësi të konsideruara si “zona strategjike ushtarake” janë në kërkim të kompanive të huaja të prodhimit të armëve, qëllimi i së cilës është siguri dhe ekonomi.