Në përfundim të Samitit të Komunitetit Politik të mbajtur në Tiranë,  Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se siguria dhe riarmatimi janë prioritete kyçe për Evropën përballë “kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia”.

Ajo paralajmëroi se Rusia nuk është vetëm “një rrezik për Ukrainën”, por për të gjithë Evropën, duke përdorur mjete si “sulmet kibernetike dhe dezinformimi për të minuar demokracitë evropiane”.

Riarmatimi

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama,  kryeministrja Frederiksen u shpreh se riarmatimi i Evropës duhet të jetë prioritet absolut, pasi, sipas saj, pa kapacitete mbrojtëse, vendet evropiane mbeten të pambrojtura dhe të brishta.

“Nuk mund të fitosh një luftë pa armë, është thjeshtë e pamundur. Me përvojën që kemi vitet e fundit, nëse nuk jemi të gatshëm të mbrojmë veten, nëse nuk jemi të aftë të mbrojmë veten atëherë jemi shumë të brishtë”, tha ajo.

Por Kryeministri Edi Rama nga ana e tij kerkoi që të shkohet “përtej armatimit”.

“…Unë besoj se kjo është njëra anë e medaljes, ana tjetër lidhet me emrin e vetë Europës. Europa ka qenë gjithmonë përfaqësuese e disa gjërave që të tjerët i kanë pasur zili dhe mes tyre është aftësia për të parashikuar paqe të përhershme, për ta projektuar atë. Dhe kapaciteti për të shtyrë në kërkim të paqes edhe të pamundur dhe vetë BE, është produkt praktikisht i një ëndrre fëmije, të cilën ndoshta askush s’do ta besonte, por ja që ndodhi. Armiq për vdekje u bënë aleatë strategjikë, e kështu me radhë, ndaj besoj që po, na duhet t’i bëjmë të gjitha ato për të cilat është folur për mbrojtjen, por të mos harrojmë po kështu që kemi dhe një shpirt që na duhet ta mbrojmë, jo vetëm territorin dhe kemi një të ardhme që duhet ta ndërtojmë”, tha Rama duke iu pergjigjur njekohesisht një gazetari të huaj se në këtë deklaratë te tj nuk kishte asnjë kontradite me homologen e Danimarkës.

“Nuk ka asnjë kontradiktë këtu dhe sic e tha Mette jeni shumë socialist edhe ndoshta nuk jemi socialistët më të mire, duke qenë se fitojmë zgjedhjet shumë, por ky është këndvështrimi im”, tha Rama, edhe pse u kundërshtua (duke qeshur) nga kryeministrja Frederiksen se nuk ishte socialiste, por “socialdemokrate”.

Samiti

Samiti i VI i Komunitetit Politik Europian, i krijuar vetëm tre vite, dhe i mbajtur për herë të parë në Tiranë, kishte fokus kryesor sigurinë dhe paqen. Liderët europianë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, dhanë mesazhe të qarta kundër luftës në Ukrainë, folën për sanksione ndaj Rusisë si dhe kërkuan bashkëpunim për rritje të kapaciteteve mbrojtëse të Europës.

Nga thirrja e Edi Ramës për një “Aleancë përtej armatimit”, mbështetur edhe nga Presidenti francez Emmanuel Macron, te siguria  e Ursula von der Leyen se Evropa “është zgjuar”, e deri tek kerkesa e Presidentit turk Rexhep Tayip Erdogan se për Gazën duhet gjithashtu veprim ndërkombëtar, Samiti në thelb, (përmes fjalimeve të mbajtura), theksoi nevojën se siguria nuk është vetëm një nevojë ushtarake, por edhe një dimension i gjerë politik dhe ekonomik, që mbi të gjitha kërkon bashkim.

Imazhi që (s) ka lidhje me integrimin

Lidhur me zhvillimet ne Shqipëri, shumica e liderëve gjatë tryezës së ngritur enkas për ta, përshëndetën zgjedhjet e majit 2025, edhe pse pak kilometra larg vendit ku u zhvillua samiti, Partia Demokratike protestoi për “zgjedhje të vjedhura”. Permes një spektakli mikëpritje (në fillim të Samitit) ku u përdor dendur AI, Shqipëria fitoi imazhin dhe tregoi se i ka kapacitetet logjistike, por edhe sigurinë për të organizuar evente të përmasave të tilla.

Sa për integrimin në BE, ajo është një tjetër rrugë që nuk kish lidhje me tapetin e shtruar sot në sheshin “Skënderbej” për të pritur 47 drejtues brenda dhe jashtë Europës.“Nuk u martuam sot”, tha Rama kur u pyet nga gazetarët shqiptarë nëse u diskutua për integrimin e Shqipërisë.

“…Mund edhe të zgjerohemi, por që sigurisht, ky proces do duhet të varet nga meritokracia dhe shpresojmë shumë që gjatë presidencës tonë do të marrim disa hapa të tjerë. Nuk ishte pjesë e rendit të ditës sot, po të gjithë e kuptojnë se sa e rëndësishme është kjo çështje, si edhe të gjitha përpjekjet që janë bërë”, tha kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen.

Ditë me shi por me ushqim të mirë

Një ditë me shi ku nuk mungoi humori i kryeministrit Rama për delegacionin britanik duke përzier motin e keq me mikpritjen tradicionale shqiptare. “Shiu jo i brendshëm dhe këmbëngulës ishte sjell nga delegacioni britanik dje në mëngjes. Më vjen keq. Sa herë largohuni nga Europa qani”, tha Rama. Nuk mungoi as ‘thumbi’ britanik. “…Kur zbrita nga avioni dje në mëngjes ishte diell, kështu që zërat se moti ishte faji i britanikëve është i gabuar”, ia ktheu kryeministri i Mbretësisë së Bashkuar Keir Starmer.       

Artikulli paraprakSamiti i “Madh”, dyqane të kyçura dhe qytetarë të bllokuar
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.