Kryeministri Edi Rama shpalli emrat e ri të kabinetit qeveritar plot 17 (përfshi edhe një ministri virtuale me AI) me një raport për herë të parë të barabartë 8 gra dhe 8 burra. Por nuk ndoqi të njëjtën rrugë për përzgjedhjen e tyre.

Kryeministri Rama nuk “lëshoi” bashkëpunëtoret e tij ndër vite gra, disa qysh prej kohës kur ishte në krye të bashkisë.

Belinda Balluku është një prej tyre.

Ajo do të vijojë të mbajë detyrën e Zv/Kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Një tjetër bashkëpunëtore (qysh kur Rama drejtonte bashkinë) Albana Koçiun, e çon nga Shendetësia tek ministria e Brendshme duke u renditur e para grua në krye të këtij dikasteri.

Ogerta Manastriliun e ktheu aty ku filloi bashkëpunimin e parë me të kur (Rama) ishte në krye të bashkisë.

Me jetëgjata nga gratë në qeverinë e tij, Rama e propozoi Manastirliun në garën për bashkinë e Tiranës.

Rama konfirmoi në qeverinë e tij një tjetër bashkëpunëtore të vjetër Mirela Kumbaron duke e cuar nga Turizmi tek Arsimi, ndërsa futi në qeveri Elisa Spiropalin në krye të ministrisë së Jashtme.

Foto nga LSA

Në krye të shëndetësisë, Rama çoi sërish një grua, e panjohur për publikun, por jo në fushën e saj, mjekja radiologe, Evis Sala.

Të konfirmuar në detyrë mbeten edhe “dyshja” të cilave Rama u ka besuar drejtimin e negociatave me BE-në; Majlinda Dhuka dhe Adea Pirdeni.     

Delina Ibrahimaj mbetet gjithashtu në kabinet dhe shkon në një dikaster (të riorganizuar), ajo e Ekonomisë dhe Inovacionit (nga posti i Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen).

Nuk u përmend në asnjë fjalë të tij ministrja e larguar (bashkë me dikasterin pa portofol) tashmë për Rininë dhe Femijët, Bora Muzhaqi.

Ministrat e larguar   

Ervin Hoxha, Igli Hasani, Ulsi Manja, Anila Denaj, Bora Muzhaqi,  Arbjan Mazniku dhe Ogerta Manastirliu nuk do të jenë më ministra të kabinetit të ri. Janë konfirmuar në detyrë Petrit Malaj, Ministër i Financave dhe Pirro Vengu tek Mbrojtja, Blendi Gonxhja do te vijojë ministër i një dikasteri të riroganizuar; Kultura, Turizmi dhe Sporti.

Nga bashkitë në ministri

Në disa ministri vërejmë emra të rinj me sfond profesional apo drejtues vendor. Në drejtimin e Mjedisit vjen një emër i ri me profil teknik, Sofjan Jaupaj. Tek Bujqësia propozohet gjithashtu një emër i ri për qeverinë qendrore, por jo për punët vendore, Andis Salla (kryetari i bashkisë së Cërrikut).

Një tjetër ish-kryetar bashkie (i Beratit) i cili aktualisht ka marrë mandatin e deputetit, Ervin Demo, është emëruar ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, ndërsa ish-deputeti Toni Gogu do të jetë ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.  

Besfort Lamallari do të jetë ministri i ri Drejtësisë i cili mbajti frymën kur u propozua (ndoshta pa dijeninë e tij) nga kryeministri Edi Rama. Deri më tani, ai mbante detyrën e zv-ministrit të Brendshëm.

Për herë të parë, Rama propozon një ministri virtuale  “Diella” (e padegjuar askund më parë) krijuar nga Inteligjenca Artificiale, me qellim rritjen e ritmit të proceseve të qeverisjes.

Objektivat e reja

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Kryeministri Edi Rama foli për të paktën pesë objektiva të reja që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e Kuvendit dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Rama paralajmëroi reformë kushtetuese për uljen e numrit të deputetëve, nga 140 që është aktualisht, në të paktën 101, për një eficencë më të mirë parlamentare sipas tij.

Rama njoftoi gjithashtu se do të miratohet  një ligj organik për Kuvendin, për t’i garantuar pavarësi financiare, status të qartë për deputetët dhe një administratë me funksionale. Ai lajmëroi gjithashtu ndërtimin e një godine të re për Kuvendin.

Për herë të parë, kryeministri foli për një reforme të dytë territoriale qysh prej asaj që u përgatit 10 vjet më parë nga vetë mazhoranca, asokohe opozita e bojkotoi.  

Rama foli për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar që do të përgatisë reformën e re territoriale në funksion të përshtatjes me objektivat e BE-së dhe nevojave të qeverisjes vendore. Në krye të këtij komisioni pritet të jetë Arbian Mazniku i cili deri sot mbante detyrën e ministrit për Pushtetin Vendor.

Me fillimin e sesionit të ri parlamentar (nesër) Rama paralajmëroi reformë te re zgjedhore përmes ngritjes së një komisioni të posaçëm për adresimin sipas tij të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Rama foli gjithashtu për harmonizimin e ligjit për komisionet hetimore, në përputhje me juris-prudencën e Gjykatës Kushtetuese, (një beteje e vjetër e opozitës) për të siguruar, sipas tij, balancë mes shumicës qeverisëse dhe opozitës.

Debati më i madh në këtë drejtim lidhet me mbrojtjen që mazhoranca i bëri mandatit të Olta Xhaçkës.  

Ende pa shpallur emrin e Niko Peleshit si kryetari i ri i Kuvendit, kryeministri Rama foli për riorganizim të 11 komisioneve parlamentare, ku 7 prej tyre do të jenë në drejtimin e mazhorancës, ndërsa 4 opozitës. Rama tha se ky raport reflekton peshën e forcave parlamentare në Kuvendin e ri.

Për programin e ri qeverisës, Rama tha se një sintezë të ketij dokumenti do ta diskutojë dhe miratojë në Kuvend ditët në vijim.

Komision etike për bashkitë  

Duke marrë si shembull Vloren sepse “ajo bie në sy më shumë se gjithë të tjerët”, kryeministri Edi Rama propozoi ngritjen e komisioni të etikës “me deputetë, përfaqësues të Partisë Socialiste në çdo bashki”. Ky komision, sipas tij, do të luftojë  fenomenin e nepotizmit.  

”Kush është bërë deputet për të sistemuar në punë shteti familjarët dhe kushërinjtë duhet ta dijë që sot, nuk do jetë më fare i mirëpritur në grupin parlamentar nëse do shfaqet si personazh nepotik i pakorrigjueshëm dhe komisioni i etikes do bëjë pikërisht këtë, do caktojë kornizën dhe kufijtë…”, tha ai

Ftesa për demokratët

Rama foli gjithashtu për hapje të partisë përtej kufijve partiak deri tek demokratët. Qëllimi, sipas tij, është një “bashkim patriotik” me qytetarët dhe profesionistët, jo mbyllja e partisë si “tavolinë byreku” ku nuk lejohet askush.

“Nuk na duhet më ne vota e tyre, por dëshira dhe energjia e tyre për të punuar duke dhënë përmes punës së tyre një kontribut sado të vogël dhe natyrisht duke mbajtur ndershmërisht në punë veten dhe pastaj ushqyer familjen e tyre në këtë kalim historik, na duhet dhe na duhet që çke atë punë dhe ne do ta ndjejnë sinqerisht dobinë e kësaj hapjeje”, tha Rama

Artikulli paraprakKëto versione të celularëve antikë janë krijime artistike
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.