.

.

Rrenat e Ballkanit IX

1

Ambasada Amerikane në Tiranë paralajmëroi rrezik nga lufta Izrael- Iran

Fakt shpjegues: Ambasada Amerikane në Tiranë – njëkohësisht me të gjitha ambasadat Amerikane në gjithë botën – njoftoi qytetarët e saj për ndërprerje të udhëtimeve dhe mbyllje të përkohshme të hapësirës ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme dhe për mundësinë për protesta kundër qytetarëve dhe interesave të SHBA-së jashtë vendit.

2

Sulmet kibernetike në rajon u rritën me 200%

Fakt shpjegues: Gjatë mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin në Kuvendin e Shqipërisë, kryetari i komisionit Erion Braçe deklaroi se Ballkani Perëndimor po përballet me rritje të ndjeshme të incidenteve kibernetike dhe se krahasuar me vitin 2023 sulmet u rritën me 200% brenda dy viteve.

3

Yuri Kim vijon të punojë për Departamentin e Shtetit

Fakt shpjegues: Më 11 korrik 2025, mediat shqiptare pretenduan se ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim ishte mes 1300 të pushuarve nga puna nga Departamenti i Shtetit në SHBA si pasojë e një vendimi të administratës Trump. Në fakt znj.Kim prej Marsit 2025 u zhvendos nga pozicioni i zv.asistentes së sekretarit të shtetit në një pozicion më të ulët si “këshilltare e lartë për Efiçencën dhe Llogaridhënien” në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike, pozicion të cilin e mban edhe sot.

4

Irani po i kthen agjentët e Izraelit të lidhur pas raketave

Fakt shpjegues: Në rrjete sociale qarkulloi një imazh që dukej se tregonte një njeri të lidhur pas një rakete, shoqëruar me pretendimin se ishte agjent izraelit i kapur në Iran dhe i lidhur me raketën iraniane për t’u dërguar mbrapsht në Izrael. Faktoje verifikoi se imazhi ishte i krijuar me AI.

5

Putin vijon të mos e njohë Kosovën

Fakt shpjegues: Në një takim me drejtuesit e agjencive më të mëdha të lajmeve në botë, presidenti rus Vladimir Putin zgjodhi të justifikojë luftën në Ukrainë me një precedent të njohur: Kosovën. Lajmi u përhap në mediat shqiptare duke ngritur pikëpyetje nëse Putin tashmë e njeh Kosovën, por ekspertët tregojnë se kjo nuk është hera e parë që presidenti rus përdor rastin e Kosovës si justifikim për sulmet e dhunshme ndaj Ukrainës.

6

Rusia vendosi ndërprerjen e energjisë dhe internetit në orët e natës për të rritur lindshmërinë

Fakt shpjegues: Një artikull i publikuar në disa media shqipfolëse pretendon se Rusia po ndërpret energjinë elektrike dhe internetin çdo natë pas orës 22:00 për të rritur lindshmërinë në vend. Në të vërtetë, qeveria ruse nuk ka ndërmarrë një nismë të tillë dhe këtu bëhet fjalë ende për një propozim të një deputeti dhe jo për një ligj të ri.

7

Qeveria ukrainase e Zelensky largohet nga Kievi dhe vendoset në Ukrainën perëndimore

Fakt shpjegues: Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se qeveria ukrainase po përgatitet të evakuohet nga Kievi në Ukrainën perëndimore, duke u interpretuar si një pranim i mundshëm i humbjes së luftës nga Ukraina. Sipas Qendrës ukrainase për Luftën Kundër Dezinformimit, dokumenti është tërësisht i sajuar.

8

Presidentit amerikan Donald Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, dhe trafikantit Jeffrey Epstein janë fotografuar duke u përqafuar

Fakt shpjegues: Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon një përqafim mes presidentit amerikan Donald Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, dhe famëkeqit Jeffrey Epstein. Faktoje verifikoi se imazhi është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).