Katër vjet më parë, në zgjedhjet e 2021, kandidatët që u lanë në pjesën e pasigurt të listave u përballën në një garë të brendshme për të thyer herësin me qëllim përfshirjen në Kuvend.

Beteja zhvillohej mes kandidatëve të së njëjtës parti apo koalicioni, duke e bërë garën brenda llojit një sfidë më vete.

Më 11 maj 2025, dinamika e garës ka ndryshuar. Përveç atyre që ndodhen në listën e mbyllur dhe e kanë të sigurt mandatin, kandidatët në listën e hapur vazhdojnë të konkurrojnë mes njëri-tjetrit brenda partisë apo koalicionit, por me rregulla të reja.

Risia e këtij viti është edhe përfshirja e votës së diasporës, e cila, ndonëse nuk sjell përfaqësues të dedikuar për shqiptarët jashtë vendit, ajo do të shpërndahet në 12 qarqet e vendit sipas origjinës së votuesve.

Ky element ka shtuar interesin për ndikimin e votës së emigrantëve në rezultatin final. Ndaj dhe nxitja për të votuar nga ana e tyre është rritur ndjeshëm nga partitë kryesore politike duke e trajtuar atë si “kalë beteje” të këtyre zgjedhjeve

Faktoje.al në bashkëpunim me ekspertin Ilir Brasha ka bërë një përllogaritje mbi numrin e mandateve që mund të dalin nga vota e diasporës, duke u bazuar fillimisht në herësin e vitit 2021 dhe në të dhënat e sondazheve më të fundit. Aktualisht, e vetmja matje e opinionit publik mbi zgjedhjet e 11 majit 2025 është Barometri i Euronews Albania, i cili po jep një orientim mbi pritshmëritë dhe balancat e forcave politike në garën për zgjedhjet e 11 majit.

Përllogaritja

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, Shqipëria do të aplikojë sistemin proporcional rajonal, ku vendi është i ndarë në 12 qarqe zgjedhore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore apo edhe numrin e mandateve për secilën zonë, përcaktohen nga Kodi Zgjedhor.

Kuvendi do të përbëhet sërish nga 140 deputetë, për një periudhë 4 vjeçare.

Mandatet e deputetëve ndahen në bazë të numrit të popullsisë në secilin qark, ndërsa votat e emigrantëve (edhe pse në një numër të konsiderueshëm) duket se do të kenë një ndikim të kufizuar për shkak të shpërndarjes së tyre nëpër qarqe.

Për të kuptuar se sa mandate mund të prodhojë vota e emigrantëve, Faktoje.al përmes ekspertit Ilir Brasha ka analizuar dy skenarë bazuar në:

  • 1. Herësin për mandat në secilin qark nga zgjedhjet e vitit 2021 (numri i votave të nevojshme për të fituar një mandat deputeti)
  • 2. Ndarjen e votave sipas partive, duke iu referuar sondazhit të fundit të Barometrit mbi përqindjet e partive, për dy sisteme:

A) Nëse në vend do të aplikohej sistemi proporcional kombëtar me një zonë zgjedhore dhe b) Sistemi aktual zgjedhor për 12 qarqe  

   TiranaAL
PS35.2%39.1%
PD24.6%27.8%
Shqipëria Bëhet5.7%5.1%
Mundësia4.4%3.9%
Lëvizja Bashkë2.8%2%
Nisma Thurje1.5% 
PL1%1.4%
Tjetër0.9%1.7%
Të pavendosur23.9%19%

Tabelë përmbledhëse e prirjes së votës – Barometri për muajin Shkurt 2025

Pse sondazhet?

Pse sondazhet e fundit dhe jo votat që janë marrë para katër vitesh? Eksperti Ilir Brasha shprehet se sondazhet janë baza mbi mendimin qytetar që kemi aktualisht për partitë pjesëmarrëse në zgjedhje.

Për momentin ato janë shpërndarja e votave më reale që mund të kemi (e cila mund të ndryshohet) nisur edhe nga fakti që numri i të pavendosurve nga sondazhet është rritur ndjeshëm krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Numri i zgjedhësve

Janë 245,975 zgjedhës nga diaspora të cilëve u është miratuar kërkesa nga KQZ për të votuar në zgjedhjet e 11 majit. 

Nëse të gjithë të regjistruarit si votues të jashtëm do të votonin dhe nëse bëjmë një krahasim të votës së tyre me herësin e deputetit për secilin qark të vitit 2021, rezulton se votat e emigrantëve (si bllok i vetëm që nuk do ndaheshin mes partive) do të prodhonin plot 20 deputetë

Tabela si më poshtë:

QarkuNr Mandate
Tiranë4
Fier3
Elbasan2
Durrës2
Korçë2
Vlorë2
Shkodër1
Berat1
Lezhë1
Dibër1
Gjirokastër1
Kukës0
Total20

Mandate deputetësh, bazuar në herësin 2021, pa shpërndarje votash në parti

Sistemi aktual

Por situata ndryshon nëse i referohemi legjislacionit që do të aplikohet në zgjedhjet e 11 majit.

Nëse marrim parasysh ndarjen e votave sipas partive, bazuar në sondazhin e Shkurt 2025 të Barometrit, votat e emigrantëve do të prodhonin vetëm tre mandate të plota, përkatësisht: Në Tiranë 2 mandate (1 për PS-në dhe 1 për PD-në) dhe 1 mandat të sigurt në Fier për PSIlir Brasha

Referuar sistemit zgjedhor aktual, nëse marrim parasysh ndarjen e votave sipas partive, bazuar në sondazhin e Shkurt 2025 të Barometrit, eksperti Ilir Brasha llogarit se votat e emigrantëve do të prodhonin vetëm tre mandate të plota, përkatësisht: Në Tiranë 2 mandate (1 për PS-në dhe 1 për PD-në) dhe 1 mandat të sigurt në Fier për PS

Mandatet shtesë 

Në qarqet e tjera, votat e emigrantëve nuk janë të mjaftueshme për të siguruar një mandat të plotë, por ndihmojnë potencialisht për shtim mandatesh për partitë kryesore, duke qenë  faktor kyç në shpërndarjen përfundimtare të vendeve në Kuvend, gjithnjë nëse do të votonin të gjithë emigrantët e rregjistruar zyrtarisht.

Kjo do të thotë se edhe pse në shumicën e qarqeve votat e emigrantëve nuk janë të mjaftueshme për mandate të drejtpërdrejta apo të sigurta, ato luajnë një rol vendimtar në garën për mandate shtesë.  

Avantazhi

Me pak fjalë, nëse një parti ka siguruar avantazh tek votat e emigrantëve, atëherë ky element mund të jetë më i rëndësishëm se diferenca e vogël që mund të ekzistojë në vota midis partive brenda Shqipërisë. Pra, votat e emigrantëve mund të ndihmojnë një parti të fitojë një mandat e cila ndryshe do ta kishte humbur pikërisht për atë diferencë të vogël votash.

Referuar logjikës sa më sipër, eksperti Ilir Brasha sjell një tabelë përmbledhëse mbi ndikimin e votës së emigrantëve për secilin qark

Vota që ju nevojiten dy partive kryesore për të shtuar një mandat deputeti sipas qarkut dhe numri i emigrantëve i rregjistruar për zgjedhje

Referuar shifrave të përpunuara, PS-ja mund të sigurojë mandate shtesë në Elbasan, Dibër dhe Tiranë, ndërsa PD-ja mund të përfitojë në Shkodër, Berat, Gjirokastër, Vlorë por edhe Fier edhe pse kjo e fundit duket pak e vështirë për tu arritur.

Tiranë    – 2 mandate të plota + 1 mandat shtesë

Fier       – 1 mandat i plotë + 1 mandat shtesë

Elbasan    – 1 mandat (shtesë)

Durrës     –  1 mandat    (…)

Vlorë     –  1 mandat     (…)

Shkodër   – 1 mandat    (…)

Berat      – 1 mandat      (…)

Dibër – 1 mandat        (…)

Gjirokastër- 1 mandat   (…)

Gjithsej 12 mandate

Proporcionali

Referuar sondazhit të Barometrit për muajin Shkurt (që përfshin edhe subjekte politike të reja në rritje nga anketimet) nëse në vend do të aplikohej sistemi proporcional kombëtar, vota e diasporës do të siguronte 15 mandate deputetësh, konkretisht 8 për PS, 6 për koalicionin e PD-së dhe 1 për koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”

Votat e tjera të emigrantëve, që nuk prodhojnë deputetë, sipas Brashës, do të shkonin për të ndihmuar partinë për të fituar mandate të tjera me diferenca të vogla me votat e votuesve brenda Shqipërisë

Përfaqësimi 

Parimisht ekspertët besojnë se më të favorizuarat për të marrë më shumë vota nga jashtë janë ato parti, që kanë më shumë emra kandidatësh nga diaspora.

A u ndoq ky parim nga dy partitë kryesore? Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi  pak kohë më parë se nga lista e kandidatëve për deputetë 7 prej tyre janë nga diaspora. Nga një vëzhgim i listës nga Faktoje rezulton se asnjë prej tyre nuk është në listën e mbyllur. E njëjta situatë edhe nga PS-ja. Kjo e fundit ende nuk ka nxjerrë shifër as mbi përfaqësimin e diasporës në listën e kandidatëve.

Rëndësia

Edhe pse votat e emigrantëve nuk krijojnë një numër të madh mandatesh të drejtpërdrejta, (gjithnjë nisur nga projeksionet e deritashme), ato sërish mbeten të rëndësishme në këto zgjedhje për të ridimensionuar balancat e deritashme mes partive. Kjo sepse në disa qarqe, ku diferenca mes partive për një mandat është e vogël, votat nga diaspora mund të jenë faktor vendimtar.

Artikulli paraprakCIA nuk redaktoi vetëm Izraelin në dosjet e vrasjes së Kennedy
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.