Pak më shumë se dhjetë vjet pas anëtarësimit të Sllovenisë në Bashkimin Evropian, ish-eurodeputeti slloven Jelko Kacin u shpreh atëbotë (2004) se vendi i tij, edhe pse kishte shpresuar në një proces të shpejtë negociatash, u përball me vonesa për shkak të kushteve të vendosura nga BE. “Kur ne filluam negociatat besuam se do t’i kryenim me një të kërcitur të gishtave”, do të shprehej ai.
Sot, më shumë se dy dekada pasi Shqipëria mori (fillimisht) statusin e vendit kandidat (2014) dhe pas hapjes zyrtare të negociatave, vendi ndodhet në një fazë të re, atë të hapjes së grup- kapitujve.
Kryeministri Edi Rama shprehet se Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së brenda pak vitesh, duke i numëruar madje me “gishtat e dorës”.
“Shqipëria ka në tryezë një plan të dakordësuar me Bashkimin Europian për të mbyllur negociatat brenda vitit 2027”, thotë Rama.
Ai e identifikon këtë proçes me veten e tij dhe Partinë Socialiste si e vetmi mjet që e çon Shqipërinë në BE, duke përjashtuar de facto alternativat e tjera, sipas tij, si të paafta.
Afatet
Por sa i mundur është për Shqipërinë afati i vendosur? Drejtori Ekzekutiv i EMA-s, Gledis Gjipali, thotë për Faktoje.al se synimi për të mbyllur gjithë procesin e negociatave brenda 2027 është ambicioz, por i arritshëm.
“Ambicioz për shkak të historisë së procesit të integrimit të Shqipërisë, ku krahasimisht me vendet e rajonit vendit tonë i janë dashur më shumë vite për të arritur etapat e ndryshme të tij. Që me negociatat për MSA-në, (2003 deri me 2006, dhe hyrja në fuqi në 2009 e saj), e më pas me aplikimin për anëtarësim, ( i bërë në 2009, por statusi si vend kandidat u arrit vetëm në 2014, dhe nisja e negociatave në 2024) Shqipëria ka pasur shumë pengesa që kanë ngadalësuar rrugëtimin e saj”, thotë ai.
Rëndom, kryeministri Rama e paraqet Shqipërinë si shembull frymëzues në krahasim me vendet e tjera në rajon, por rrugëtimi i secilit vend (Mali i Zi, Serbi, Maqedoni e Veriut), sipas ekspertit Gjergji Vurmo, është i veçantë.
Rasti i vetëm
Eksperti për integrimin, Gledis Gjipali, thotë se asnjë vend i mëparshëm nuk ka mundur t’i përmbyllë negociatat brenda një periudhe 3 vjeçare, (referuar proceseve që një vend duhet të ndjekë si Shqipëria). Ai mund ta krahasojë deri diku procesin me zgjerimin e madh të BE-së (2004) me vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore, por sërish procesi, sipas tij, është ndryshe nga 20 vjet më parë
Krahasimi
Kryeministri Rama ka përmendur Finlandën si vendin që e ka thyer këtë rekord.
Por Drejtori Ekzekutiv (njëherazi themeluesi) i Elevate Consulting, Gjergji Vurmo, thotë për Faktoje.al se procesi i përshpejtuar i anëtarësimit të Finlandës bashkë me dy vendet e tjera (Austri dhe Suedi) lidhet me arritjet ekonomike të këtyre vendeve dhe jo vetëm.
“Të tre vendet filluan zyrtarisht negociatat në Shkurt 1993 dhe i përfunduan në Mars 1994. Brenda të njëjtit vit u nënshkruan dhe ratifikuan traktatet e anëtarësimit dhe nga 1 Janar 1995 u bënë zyrtarisht anëtare të BE”, thotë Vurmo. Sipas tij, rasti i Shqipërisë është i ndryshëm, pasi edhe nëse anëtarësohemi, BE-ja mund të vendosë masa shtesë në disa fusha të veçanta.
Situata gjeopolitike
Nuk kemi vende të ngjashme, por ka një element të rëndësishëm që e favorizon Shqipërinë këto kohë.
“Situata gjeopolitike është në favor të Shqipërisë ndërkohë që reforma të rëndësishme të ndërmarra kanë dhënë fytet e tyre, duke e bërë vendin tonë partner më të besueshëm përballë BE-së dhe vendeve të saj anëtare. Tashmë vendi ynë ka barrën të provojë se mund t’i arrij standardet e kërkuara duke thelluar reformat dhe zbatimin e tyre pasi nuk ka pengesa të jashtme ndaj procesit”, thotë Gjipali.
Edhe Vurmo mbështet të njëjtën tezë: “Aktualisht mund të themi se Shqipëria mundet potencialisht të përfitojë pikërisht nga një moment i tillë i volitshëm gjeopolitik në rajon dhe më gjerë. Sigurisht këtu nuk duhet mohuar edhe progresi i vendit në disa aspekte, po aq sa duhen njohur edhe sfidat tona”. Precedenti kur zgjerimi nuk ka qenë vetëm çështje teknike, por edhe qëllim strategjik dhe gjeopolitik është i përsëritshëm
Vurmo sjell ndërmend se, historia e BE ka njohur edhe më herët raste të tilla anëtarësimi ku elementi gjeo-politik (më shumë sesa ai i përmbushjes se kritereve teknike) ka luajtur një rol të posaçëm, si rasti i Greqisë apo ai i Spanjës.
Arritja
Thënë kjo, dhe duke marrë të mirëqenë vullnetin politik të vendeve anëtare, teorikisht, sipas Vurmos, është e mundur që vendi të përmbyllë negociatat deri në fund të 2027-ës dhe të nënshkruajë dhe ratifikojë traktatin e anëtarësimit deri në 2030-ën, ku me siguri, sipas tij, do të kërkohen periudha tranzitore më të gjata (pas 2030-ës) për politika të caktuara.
Kushtet
Shqipëria duhet të zbatojë reforma të thella në fusha kyçe si sundimi i ligjit, ekonomia dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Kohëzgjatja e negociatave me BE-në varet nga shpejtësia e këtyre reformave dhe përafrimi me legjislacionin e BE-së. Çdo kapitull negociues konsiderohet i mbyllur vetëm kur të gjitha vendet anëtare janë plotësisht të kënaqura me progresin dhe procesi përfundon kur të gjithë kapitujt janë mbyllur zyrtarisht nga Këshilli Evropian.