Brenda 24 orësh nga depozitimi i kërkesës, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën.
Begaj shpalli dekretin për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, në një proces të diskutueshëm ligjor, kur Kushtetuesja ende nuk ka folur për padinë “Veliaj”.
Fillimisht Presidenti i Republikës sqaron se për vakancën në Tiranë, ai shqyrtoi procedurën e ndjekur nga Këshilli Bashkiak i Tiranës e më pas nga kryeministria.
Më tej, Presidenti Begaj argumenton se Këshilli i Ministrave e ka bazuar vendimin për shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut në një dispozitë të veçantë ligjore (Ligji për “Vetqeverisjen vendore”) pas mungesës 3-mujore në punë, e cila dallon sipas tij nga rasti i shkarkimit për shkelje të Kushtetutës që referon neni 115.

Për këtë arsye, Presidenti vlerëson se vendimi për shkarkimin e Veliajt nuk bie nën juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, por të Gjykatës Administrative.
Ndërkohë referuar dekretit, zgjedhje të pjesshme më 9 Nëntor do të kemi edhe në Vlorë, Berat, Tepelenë, Mat dhe Cërrik
Debatet juridike
Avokatët e Veliajt pretendojnë në padinë e tyre se çështja duhet të trajtohet në Kushtetuese, pasi lidhet me rastet e shkeljes së Kushtetutës nga një i zgjedhur nga populli dhe se, vetë legjislatori, sipas tij, ka përcaktuar se ligji ku është referuar edhe shkarkimi i tij, ka dalë edhe në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës.
Qeveria në anën tjetër e kanalizon debatin në një tjetër interpretim ligjor se, mungesa 3-mujore e kryebashkiakut, që parashikohet në pikën c të nenit 62 të Ligjit për “Vetëqeverisjen vendore” nuk lidhet me shkarkimin për shkelje të Kushtetutës (neni 115), por me një shkarkim formal thjesht mungesë paraqitje në punë, raste të cilat i shqyrton Gjykata Administrative.
Veliaj
Në të njëjtën ditë me dekretin e Presidentit Bajram Begaj, kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj është shprehur përmes një postimi në Facebook se nuk do të heqë dorë nga beteja e tij ligjore.
“Jam mirë, më i fortë e më i vendosur se kurrë në betejë me të ligën!”, komentoi Veliaj
PD
Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, tha se, përmes dekretit, Presidenti i Republikës kishte kryer puç kushtetues.
“Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës. Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues”, shkruan Bardhi