Nisma, PS frenon gjykatat të pezullojnë zyrtarët e lartë (lista)

Nisma e PS për ndalimin e pezullimit të funksionarëve të lartë nga gjykatat kundërshtohet nga PD

40
Ne foto: Nga mbledhja e grupit parlamentar te PS

Grupi parlamentar i PS-së dorëzoi të hënën në Kuvend një projektligj që synon të ndalojë gjykatat të pezullojnë nga detyra funksionarë të lartë të shtetit.

Në listën e përjashtimeve përfshihen: Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat, Presidenti i Republikës, Avokati i Popullit, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Konkretisht, PS synon të prekë nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit apo kryebashkiakut.

Sa më sipër, nisma ligjore e PS zgjeron listën e subjekteve në këtë drejtim.

Sipas relacionit, projektligji respekton Kushtetutën, balancën e pushteteve dhe parimin e proporcionalitetit.

PS argumenton se, ndryshimi nuk heq përgjegjësinë penale dhe as nuk pengon hetimin apo gjykimin.

Rama

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama tha se nisma erdhi si pasojë e një “boshllëku mendor” referuar vendimit pa vendim të gjykatës Kushtetuese për rastin “Balluku”.   

Mosvendimi, sipas Ramës, krijon pasiguri. Sipas tij, funksionet e përfshira në projektligj mbeten të cenueshme ndaj pezullimit dhe se kufiri mes pushteteve (ekzekutivit dhe gjyqësorit bëhet i paqartë).

Rama tha gjithashtu se nisma ligjore nuk lidhet me pezullimin e Ballukut.

“Rasti konkret ka rrugën e vet, nuk ka fare lidhje me pezullimin, por pezullimi është i papranueshëm dhe për këtë arsye siç e kam shpjeguar në takimin e mëparshëm, ne do merremi me pezullimin, për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në Kuvend, ndërhyrjen në territorin kushtetues të pushtetit ekzekutiv. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë dhe gurin dhe arrën për ta goditur këtë shumicë qeverisëse”, tha ai

Kryeministri njoftoi gjithashtu se kishte refuzuar tre herë dorëheqjet (sa duket të revokueshme)  nga ana e Ballukut me argumentin se dorëheqja nën presionin e gjyqësorit cenon pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.

“Unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet dhe se kur plotësohen kushtet, nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor”, tha ai.

Rama kritikoi praktikën e arrestimeve “të panevojshme” sipas tij ndërsa nënvizoi se punonjësit e administratës nuk duhet të përdoren si “mish për top” nga prokurorët për karrierë.

Ai sqaroi gjithashtu se Parlamenti do të shprehet fillimisht për imunitetin e Ballukut dhe më pas për nismën ligjore.

Berisha

Në të njëjtën ditë, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se nisma ligjore e propozuar nga PS do të shërbejë si “mburojë për korrupsionin e pushtetit ekzekutiv”.

Sipas tij, “projektligji është goditje ndaj shtetit ligjor dhe aspiratave europiane të Shqipërisë”.

Përmes këtij amendamenti, Berisha tha se, Rama dhe ministrat e tij synojnë të jenë mbi ligjin, duke u mbrojtur nga hetimi.

Anulimi i funksionit të pezullimit, sipas Berishës, i heq prokurorisë një mjet ligjor të rëndësishëm, duke e lënë imunitetin në dorën e kryeministrit.

Nisma ligjore e PS

Ishte:

Neni 242 (Kodi i Procedures Penale)

Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik

1.  Me  vendimin  që  disponon  pezullimin  e  ushtrimit  të  një  detyre  a  shërbimi  publik,  gjykata  i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to.

2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.

Bëhet:

2. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral “, shtohen fjalët:

“Presidentit të Republikës, Avokatit të Popullit, Kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”