Nga zgjedhja e drejtuesve të institucioneve të pavarura e deri tek transparenca për fondet publike, që përfiton Kuvendi/  Dokumenti analitik (i ekspertëve) në komisionin “Xhafaj”

Draft-dokumenti lidhet me tre fusha objekt i punës së komisionit “Xhafaj”; Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i Ligjit

209
Ne foto: Kryetari i komisionit anti-korrupsion, Fatmir Xhafaj ne takimin e pare me ekspertet

Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj, kryetar i komisionit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin”, njoftoi të premten se ekspertë të nivelit të lartë (të atashuar pranë këtij komisioni) ishin angazhuar në hartimin e një drat-dokumenti analitik voluminoz. (Rreth 700 faqe, 12 Komponentë/kapituj dhe rreth 20 Nënkomponentë). “Nuk jemi përfshirë në procesin e hartimit. U kemi thënë (ekspertëve) merrni raportet ndërkombëtare të BE dhe DASH. Çfarë thonë raportet për tre fusha? Ata kanë bërë një skanim…”, tha Xhafaj të premten e javës së kaluar

Draft-dokumenti, që lidhet me tre fusha objekt i punës së komisionit; Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i Ligjit, është bërë tashmë publike, përmes një faqe të posaçme të Kuvendit masl.al.

Për të tri shtyllat, Fatmir Xhafaj dhe anëtarët e PS-së në komisionin anti-korrupsionin (opozita ende nuk merr pjesë në komision) kanë inicuar prej javës së kaluar tryeza të hapura publike, që gjithsej do të jenë 12.  Moderimi, si dhe prezantimi i draftit dhe çështjeve të shtruara për debat e konsultim publik, është parashikuar të bëhet nga vetë ekspertët që kanë punuar mbi draftin.

Ne foto: Eksperte nga tryezat e hapura publike lidhur me dokumentin analitik

Xhafaj ka njoftuar paraprakisht se në këto tryeza janë ftuar të marrin pjesë grupet e interesit, institucionet ligjzbatuese, përfaqësues të shoqërisë civile e komunitetit të biznesit, profesionistë të fushës etj.

“Në përfundim të këtij procesi të gjerë konsultimi vlerësimet, komentet, gjetjet dhe propozimet e mbledhura do t’i jepen grupeve të ekspertëve për t’i reflektuar në Dokumentin Analitik dhe vetëm në përmbyllje të këtij procesi drafti do t’i kalojë komisionit për diskutim e miratim”, është shprehur më herët Xhafaj. Kjo është rruga që do të ndiqet. Ndërkohë Faktoje.al do të sjellë në vijimësi pjesë të përmbledhjes ekzekutive duke u fokusuar në të tria shtyllat.  Njëra prej tre tyre është sundimi i ligjit ku Faktoje.al sot (e hënë 11 nëntor) po sjell gjetjet kryesore në të cilën përfshihen edhe institucionet e pavarura, zgjidhja në rast bllokimesh, roli që ato do të kenë në raport me Kuvendin dhe jo vetëm.

Sundimi i ligjit

“Sundimi i ligjit” si katepori është ndarë në tre aspekte:

1.“Funksionet e Kuvendit” ku përfshihen: funksioni ligjvënës; mbikqyrës, koordinues dhe monitorues i Kuvendit me qëllim respektimin e parimit kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve; efektiviteti, transparenca dhe Llogaridhënia e vetë Kuvendit; zgjedhja e institucioneve të pavarura.

2.“Të drejtat e njeriut” ku përfshihen: garantimi i të drejtës së pronës; e drejta e informimit dhe mbrojta e të dhënave personale; procesi i rregullt ligjor;  forcimi i institucioneve të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile në mbrojtje të të drejtave të njeriut; edukimi ligjor i publikut.

3.“Konsolidimi i reformës në drejtësi” ku përfshihen:  pananësia dhe pavarësia e sistemit gjyqësor; llogaridhënia; cilësia dhe profesionalizmi; eficensa dhe aksesi në shërbimet e sistemit gjyqësor; mirëqeverisja dhe transparenca e sistemit gjyqësor).

Ekspertët

Në hartimin e kapitullit mbi sundimin e ligjit vihet re se janë përfshirë një grup ekspertësh të nivelit të lartë nga Universitete Publike dhe Jo Publike, institucione të pavarura si Avokati i Popullit apo komisioneri për të drejtën e informimit, ekspertë nga shoqëria civile dhe bizneset, por jo nga gjyqësori dhe prokuroria.

Duke u ndalur tek Reforma në Drejtësi, Fatmir Xhafaj më herët është shprehur se shtyllat e reformës së miratuar në 2016, janë të panegociueshme:“Zbatimi i saj mbetet një domodoshmëri për jetësimin e parimit themelor kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet tre pushteteve, si dhe për të garantuar një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm, llogaridhënës, transparent, eficient, profesional dhe të barabartë për të gjithë qytetarët”

Foto nga puna e anetareve te PS ne komisionin anti-korrupsion

Disa nga gjetjet kryesore (të veçuara nga Faktoje.al) lidhur me sundimin e ligjit

FUNKSIONET E KUVENDIT, ROLI MBIKËQYRËS DHE MONITORUES

  1. ÇËSHTJE PËR ZGJIDHJE/DREJTIMET E NDËRHYRJEVE (disa prej tyre)

Për forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj qeverisë dhe institucioneve të pavarura dhe përmirësimin e funksionimit të këtyre institucioneve në përputhje me standardet e BE-së analiza trajton nevojën e ndërhyrjve në disa drejtime:

– Takime periodike midis Kuvendit, institucioneve të pavarura dhe qeverisë për përditësimin e platformës ndërinstitucionale on-line për rekomandimet e institucioneve të pavarura;

– Zbatimi i mekanizmit ndërinstitucional “Qeveri – Kuvend – Institucione të Pavarura” për monitorimin sistematik të rekomandimeve;

– Shtimi i seancave dëgjimore për shqyrtimin e raporteve të institucioneve të pavarura.

 2. EFEKTIVITETI, TRANSPARENCA DHE LLOGARIDHËNIA E VETË KUVENDIT

Disa nga çështjet për zgjidhje:

-Rritja e kapaciteteve të komisioneve parlamentare. Mund të vlerësohet propozimi për rritjen e numrit të komisioneve të përhershme parlamentare duke i rindarë ato në më shumë grupe (me më pak anëtarë), në përputhje me qasjen krahasimore me vendet e BEsë.

-Forcimi mekanizmave të mbikëqyrjes së Kuvendit për zbatimin e ligjeve që miraton. Kjo mund të përfshijë krijimin e komisioneve të posaçme parlamentare për monitorimin e reformave kyçe, si dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet e pavarura mbikqyrëse.

 Rritja e transparencës financiare për të adresuar problemet me menaxhimin e fondeve publike që përfiton Kuvendi.

 -Shmangia e miratimit të akteve normative për ndryshime të vazhdueshme të ligjit vjetor të buxheti  

3. ZGJEDHJA E INSTITUCIONEVE TË PAVARUARA

Për të adresuar sfidat që lidhen me procesin e zgjedhjes së drejtuesve të institucioneve të pavarura në Shqipëri, mund të propozohet një grup ndërhyrjesh strukturore dhe ligjore të ngjashme me modelet që përdoren në vende të ndryshme evropiane

-Krijimi i një kornize ligjore për emërimet të bazuara në meritë

 Legjislacioni duhet të përcaktojë qartë kritere të përvojës profesionale të matshme, kredenciale akademike të rëndësishme për fushën përkatëse dhe integritet të lartë, të verifikuar përmes një procesi të ngjashëm me vetingun gjyqësor. Për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent, duhet të krijohet një sistem uniform për nominimin, vetingun dhe emërimin e drejtuesve të institucioneve.

 -Forcimi i pavarësisë së procesit të emërimit

Krijimi i komisioneve të pavarura të përzgjedhjes për emërimin e drejtuesve të institucioneve të pavarura do të ndihmonte në minimizimin e ndikimit politik në proces. Këto komisione mund të përbëhen nga anëtarë jopartiakë, përfshirë ekspertë nga akademia, shoqëria civile dhe gjyqësori, duke siguruar një vlerësim të drejtë dhe objektiv të kandidatëve.

– Mekanizmat për zgjidhjen e bllokimeve politike në emërime

Legjislacioni duhet të parashikojë mekanizma zhbllokues për të zgjidhur bllokimet politike në procesin e emërimit. Nëse partitë politike dështojnë të arrijnë një marrëveshje për emërimin e një drejtuesi të institucionit, një institucion apo komision neutral mund të ndërhyjë për të lehtësuar një zgjidhje.