Mandati “Xhaçka”/ Venecia foli por kush e dëgjoi?! Gjykata Kushtetuese: Vendimet janë detyruese  

Komisioni i Venecias thekson detyrimin e parlamentit, për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese

304
Ne foto: Deputetja e PS, Olta Xhaçka

Më 13 Shtator të këtij viti, Kuvendi pamundësoi dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhacka, pas abstenimit në shumicë nga ana e deputetëve të PS-së.

Në muajin shtator, kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Niko Peleshi, u shpreh pas votimit ka një paqartësi se kush prevalon, detyrimi i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese apo vullneti i shprehur nga çdo deputet i Kuvendit.

PS iu drejtua Komisionit të Venecias me disa pyetje që në thelb lidhen me faktin se cilat standarde rregullojnë mandatin e një deputeti dhe në cilat rrethana një deputet mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar.

Komisioni i Venecias përcolli opinionin në fillim të javës.

Komisioni i Venecias thekson në thelb detyrimin e institucioneve shtetërore, përfshirë parlamentin, për të respektuar Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese si element kyç i shtetit të së drejtës.

Venecia vëren gjithashtu se, si rezultat i  natyrës detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të gjitha autoritetet janë të detyruara t’i zbatojnë ato në mënyrë efektive.

Sipas Venecias, ky respektim nuk duhet të kushtëzohet nga vota e një shumice parlamentare.

Venecia vëren se, Parlamenti nuk mund t’i referohet parimit të ndarjes së pushteteve për të refuzuar respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në kuadër të  kompetencave që i jep Kushtetuta.

Venecia vendosi gjithashtu se Kushtetuta mund të përjashtojë disa çështje nga vendimmarrja parlamentare, por nëse Kushtetuta përcakton fuqinë e parlamentit për të vendosur mbi një çështje të caktuar, përmbajtja e kësaj vote duhet të përcaktohet lirisht nga secili deputet dhe nuk mund të diktohet

Komisioni trajtoi standardet ndërkombëtare mbi papajtueshmërinë, si dhe praktikën shtetërore në këtë fushë, duke përfshirë rolin e organeve legjislative dhe gjyqësore. Komisioni përcaktoi “papajtueshmërinë” si një situatë që pengon deputetët të përmbushin mandatin e tyre për shkak të konflikteve me një funksion tjetër, publik ose privat. Normalisht, sipas Venecias, personat që gjenden me dy funksione të papajtueshme duhet të zgjedhin njërin prej tyre. Nëse nuk e bëjnë këtë, pasoja zakonisht është humbja e mandatit.

Politika

PD e PS e interpretuan vendimin e Venecias sipas logjikës politike që kanë ndjekur deri më tash, të dyja duke iu referuar paragrafeve të ndara që vetë Venecia kishte hartuar.

Nënkryetari i PD-së, Gazment Bardhi citoi paragrafet lidhur me detyrimin e Kuvendit për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, qëndrimi i mazhorancës ishte puç kushtetues ndaj shtetit ligjor.

Lulzim Basha tha se pas vendimit të Venecias Kuvendi duhet të mblidhet për t’i hequr mandatin Xhackës

Por tjetër interpretim i dha PS. Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, deputetja e PS-së, Klotilda Bushka tha  se, bazuar asaj që kishte shkruar Venecia,  Kuvendi nuk është i detyruar të votojë në mënyrë të caktuar. Ajo gjeti paragrafe të tjera kur iu referua parimit të cituar nga Venecia se lirshmëria e deputetëve për të votuar sipas bindjeve të tyre është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare

Po sipas Venecias mandati i deputetit është i lirë dhe i parevokueshëm dhe deputeti nuk mundet ligjërisht të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar.

Nënvizohet gjithashtu një tjetër paragraf se, Kuvendi dërgon për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese cështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti vetëm kur konstatohet se deputeti vetë përdor pasuri të shtetit dhe fiton prej tyre.

Rastet e tjera i shqyrton vetë Kuvendi

Gjykata Kushtetuese, po sipas Venecias,  nuk mund të krijojë normë të re, vecse të interpretojë normat kushtetuese, paragrafi

Gjykata Kushtetuese

Faktoje.al iu drejtua qysh në fillim të tetorit zyrës së marrëdhënieve me Publikun në Gjykatën Kushtetuese se, nisur nga pretendimi i PS, a kishte paqartësi se kush duhet të prevalonte (pas votimit abstenues në Kuvend për mandatin “Xhaçka”), detyrimi i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese apo vullneti i shprehur nga çdo deputet i Kuvendit?

Pas insistimit të vazhdueshëm nga Faktoje, Kushtetuesja u përgjigj në datën 6 dhjetor, thuajse në kohë paralele me diskutimin në Venecia.

Përpos qëndrimit të rikujtuar për Faktoje se, “çdo interpretim ligjor jashtë procesit që zhvillohet në gjykimin kushtetues është jashtë kompetencës dhe fushës së veprimit të Gjykatës Kushtetuese ”, në fund Gjykata Kushtetuese vjen me një përgjigje shteruese se, në bazë të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuesese, vendimet e saj kanë fuqi detyruese të përgjithshme, janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim  

screenshot e pergjigjes se Gjykates Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese vendosi të mërkurën e 10 korrikut (2024) të detyrojë Kuvendin që të dërgojë për shqyrtim pranë kësaj gjykate  mocionin për papajtueshmërinë e mandatit të Olta Xhaçkës me argumentin se, askush nuk është mbi ligjin.

Rasti “Xhaçka” ka mbi dy vjet që është object debati mes mazhorancës  dhe opozitës.  Vetë Olta Xhaçka, kur ende mbante detyrën e Ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, është shprehur gjatë një debati në Kuvend se, nuk ka shkelur ligjin dhe për pasojë nuk është në konflikt interesi, sa i përket pretendimit të dhënies së statusit investitor strategjik bashkëshortit të saj dhe dhënies në përdorim të brigjeve të detit po në favor të familjarëve të saj.