.

.

Lufta pa zhurmë për gështenjën

Nga Artan Rama
Fotografitë: Atdhe Mulla.

Nuk është e lehtë të merret me mend se kush po lufton për mbrojtjen e grumbullit pyjor të gështenjës së Tropojës nga sulmi i një ushtrie milionëshe insektesh, të ashtuquajtura aziatike, të cilat, prej tre vjetësh, i hanë gjethet. Ajo është Mirjeta Imeraj, një mësuese biologjie 33 vjeçare, që së bashku edhe me pak gra të tjera, po organizon një tjetër ushtri insektesh, edhe më shumë milionëshe, por këtë radhë një ushtri të dobishme, e cila do të hajë insektin e dëmshëm aziatik.
Ato po mbarështojnë brenda një laboratori të thjeshtë me mijëra e me mijëra larva të cilat, kur shndërrohen në insekte të rritura, nën kujdesin e tyre çiftohen dhe pasi ushqehen për dy deri në tri ditë, lëshohen nëpër plantacionet e gështenjës e nëpërmjet nuhatjes shkojnë dhe vendosen në galet e infektuara të pemës, aty ku strehohen larvat e insektit të dëmshëm.

“Jemi në mes të procesit”, - tregon Mirjeta. “Ky është viti i dytë dhe kemi katërfishuar numrin e insekteve të lëshuara. Për ne lëshimi në terren është një moment lumturie”​

“Jemi në mes të procesit”, – tregon Mirjeta. “Ky është viti i dytë dhe kemi katërfishuar numrin e insekteve të lëshuara. Për ne lëshimi në terren është një moment lumturie”
Por ky grup i vogël vajzash dhe grash nuk është i vetëm në këtë betejë. Tri institucione: Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës kanë bashkuar energjitë për të shpëtuar gështenjën e Tropojës.
Situata është serioze.
Pothuajse gjysma e gështenjave të rrethit janë prekur nga insekti, i cili menjëherë sapo fillon vegjetacioni sulmon biskun dhe ha gjethen, duke frenuar fotosintezën. Të rënduara prej vitesh nga mungesa e shërbimeve, nga temperaturat e larta dhe nga thatësira që ka pushtuar tokën, gështenjat e Tropojës e kanë ulur ndjeshëm prodhimin. Prekja edhe nga insekti mund të jetë goditja përfundimtare.

“Këtë vit prodhimi nuk i kaloi treqind tonë, ndërkohë që Tropoja nuk bie nën një mijë e pesëqind tonë”, thotë Valter Milushi, një tregtar lokal.

“Këtë vit prodhimi nuk i kaloi treqind tonë, ndërkohë që Tropoja nuk bie nën një mijë e pesëqind tonë”, thotë Valter Milushi, një tregtar lokal.
Prodhimi i përgjithshëm ka rënë ndjeshëm. Në pesë vitet e fundit eksportet janë pakësuar tri herë. Mungesa e furnizimit është plotësuar nga importi, i cili për të njëjtën periudhë u dyfishua, natyrisht, kundrejt një çmimi më të lartë të frutit në treg. Dy prej grumbujve më të mëdha, Shkodra dhe Tropoja, sipërfaqet e të cilave arrijnë së bashku gjysmën e sipërfaqes kombëtare të gështenjës, janë prekur në një shkallë të lartë. Prekja ka mbërritur në Shqipërinë e Mesme. Më poshtë, Pogradeci me sipërfaqe të konsiderueshme të gështenjës, ka shpëtuar. Mund të gëzohemi për momentin.
Deri tani janë shpenzuar një milion euro për spërkatje, por insekti i dëmshëm është shtuar. Nuk ka asnjë garanci se shtimi i parave mund të përmirësojë situatën. Çfarë mund të bëhet më shumë? Le të provojmë diçka tjetër, ndryshe!

“E rëndësishme është që të vazhdosh”, - thotë Mirjeta. “Janë me qindra familje që ushqehen nga gështenja. Falë saj, unë, vëllezërit dhe motra ime mbaruam shkollat; siguruam konviktin, fjetjen”

“E rëndësishme është që të vazhdosh”, – thotë Mirjeta. “Janë me qindra familje që ushqehen nga gështenja. Falë saj, unë, vëllezërit dhe motra ime mbaruam shkollat; siguruam konviktin, fjetjen”
Në të dalë të qytetit verior të Bajram Currit, aty ku fillon masivi pyjor i gështenjës, Mirjeta drejton punën në laboratorin e saj modest; jo shumë i sofistikuar, por plot energji. Dy dhoma të vogla janë shndërruar në hapësira për mbarështimin e mijëra insekteve. Këtu nuk ka kompjutera. As Wi-Fi. E vetmja teknologji, nëse mund të quhet e tillë, janë dy frigoriferë. Fokusi nuk është modernizimi, por përkushtimi. Qëllimi: eliminimi i vatrave të infeksionit, ripërtëritja e pemës dhe rikthimi i prodhimit.
Skuadra ndan punën në përputhje me fazat e zhvillimit të insektit. Mirjeta numëron individët femra. Fatjona, një mësuese e ciklit të ulët, numëron meshkujt. Më tej, dy banore të tjera, që mbështeten financiarisht nga tregtarët vendas të gështenjës, vijojnë me çiftimin. Pas dymbëdhjetë orësh insektet lëshohen në terren. Raporti i popullatave femra-meshkuj është një me dy në favor të femrave dhe secila prej femrave prodhon shtatëdhjetë vezë. Ndërkohë që popullsia e insektit të dëmshëm, ai i cili dëmton gështenjën, si rrallë herë, përbëhet njëqind për qind vetëm nga femra, të cilat prodhojnë një qind e pesëdhjetë vezë të papllenuara. Pra, dyfishin.
Lëshimi insekteve në terren ka filluar. Ky është viti i dytë. Hedhjet janë më të shumta. Do të duhen, së paku, gjashtë vjet që të fillojë ripërtëritja.

 “Kjo që po ndodh nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, me babë e gjysh e katragjysh”, - thotë Shkëlzen Seci, një fermer nga Markaj. “Me prodhimin e një vjeshte jetoje dy vite, madje as nuk i mblidhja të gjitha, se jemi ngushtë edhe me forcën punëtore”,  rrëfen ai.

 “Kjo që po ndodh nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, me babë e gjysh e katragjysh”, – thotë Shkëlzen Seci, një fermer nga Markaj. “Me prodhimin e një vjeshte jetoje dy vite, madje as nuk i mblidhja të gjitha, se jemi ngushtë edhe me forcën punëtore”,  rrëfen ai.

Humbja e prodhimit

Por Shkëlzeni nuk është i vetëm. Bashkëfshatarë të tjerë ndajnë të njëjtin trishtim dhe keqardhje për humbjen e prodhimit të gështenjës dhe jo vetëm.
“Kjo është fikje”, – thotë Hamit Novaku. “Prodhimi ka rënë shtatë dhjetë për qind. Shumë gjëra të pashpjegueshme po ndodhin. Në oborrin tem fiku është bërë mos me e xanë me duar. Si shpjegohet?! Ne s’kemi pasur fik, nuk e mbante toka. U thajte! Ka filluar dafina të rritet shumë mirë”.

“Nuk është vetëm miza por edhe klima”, shpjegon Valter Milushi.

“Nuk është vetëm miza por edhe klima”, shpjegon Valter Milushi. “Vjet në Gash, rreth 600 ha ende të paprekur nga insekti, nuk nxorën prodhim. Më kujtohet se në 2018 patëm frut boll, por kur u formua bohçja në shtator, nuk pati lagështirë dhe fruti na u prish në dorë, ndërsa e mblidhnim.

Klima

Në fakt, shtatori i 2018 kishte rezultuar vërtet i thatë.
Instituti i Gjeoshkencës (IGJEO), referoi reshje jashtëzakonisht të ulëta në këtë periudhë, në raport me mesataren tridhjetë vjeçare (1961-1990). Ndërkohë, në një vështrim më të gjerë reshjet e shtatorit, muaj gjatë të cilit formohet fruti i gështenjës, ishin rritur në tetë vitet e fundit, krahasuar me normën shumëvjeçare, por ato ishin ulur në gusht, përgjatë së njëjtës periudhë, krahasuar me mesataren shumëvjeçare (1961-1990).

“Rritja e temperaturës në mars zgjon insektin e dobishëm parakohe. Nëse ndodh kështu, ai do të ngordhë, pasi nuk ka me se të ushqehet”.

Por mungesa e reshjeve po shoqërohet nga ngritja e temperaturave. Për Ramiz Metaliajn, pedagogun e insekteve (Entomolog në Universitetin Bujqësor të Kamzës), pas të cilit fshihet hartimi i strategjisë së luftës biologjike kundër insektit të dëmshëm, rritja e temperaturave gjatë muajit mars, pikërisht kur fillon vegjetacioni, është një periudhë delikate dhe nëse nuk tregohet kujdes mund të shkatërrojë përpjekjet e deritanishme.
“Rritja e temperaturës në mars zgjon insektin e dobishëm parakohe. Nëse ndodh kështu, ai do të ngordhë, pasi nuk ka me se të ushqehet”. Më pas, profesori fillon të shpjegojë më me hollësi një proces mbreslënës, ku shkenca dhe teknologjia, të kombinuara së bashku, bëjnë çudi.

Lufta ndaj fenomenit

“Me anë të laboratorit ne i krijojmë dy favore predatorit: e para që ai të dalë në kohën e duhur, pra sinkronizojmë kohën e daljes së predatorit me fillimin e zhvillimit të larvave të dëmtuesit dhe nga ana tjetër e ushqejmë që ta fuqizojmë për të qenë i aftë të luftojë fuqishëm në terren. Objektivi është që të rritet numri insekteve të dobishme mbi trefishin e insekteve të dëmshme, në mënyrë që të arrihet ekuilibri i popullatave”.

Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike “Copernicus” (C3S), raportoi këtë vit, se Europa pati marsin më të nxehtë të regjistruar, me një temperaturë mesatare të ajrit në sipërfaqe prej 6.03ºC, ose 2.4ºC mbi mesataren mujore të tridhjetë viteve të fundit. Sipas IGJEO, mesatarja e temperaturave mesatare të ajrit në një prej vendmatjeve meteorologjike në afërsi të masivit pyjor të gështenjës në Tropojë, në tre marset e fundit, ka qenë më shumë se dyfishi i normës shumëvjecare (1960-1990).
Ndaj dhe grupi i Mirjetës, krahas punës për mbarështimin e insektit, po përballet edhe me vështirësitë që sjell ndryshimi i klimës. Përmes dy frigoriferëve ato përpiqen të kontrollojnë ciklin e jetës së larvave, në varësi të ndryshimit të kushteve atmosferike, duke bërë të mundur hedhjen në natyrë të insektit në kohën  e përshtatshme.
Skuadrës sapo i është bashkuar një agronome e re, Arlinda Rupa nga Shkodra. FAO po mendon të zgjerojë mbështetjen edhe në Shkodër. Por gjeografia dhe shpërndarja e grumbujve janë të ndryshme. Sfidat mbeten të mëdha. Edhe mbështetja duhet të jetë e tillë.
“Nuk kena rrugë tjetër”, – buzëqesh Mirjeta, mësuesja dhe aktivistja që po mbron gështenjën dhe vendin e saj, Tropojën. “Natyra po na mban peng”.