Deri më 16 tetor, Kuvendi pritet të shqyrtojë 26 raportet vjetore të një viti më parë nga një sërë institucionesh kushtetuese dhe të pavarura, përfshirë Avokatin e Popullit, KLGJ, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK, KLSH, BSH, AMA, KQZ, ILDKPKI, AKEP, INSTAT, institucione të cilat kanë dorëzuar raportet në fund të muajit mars të këtij viti, porse fushata për zgjedhjet parlamentare të majit i shtyu në kohë duke kaluar për raportim para Kuvendit të ri.
Formalitet parlamentar
Nga raportimet, Kuvendi duhet të nxjerrë në fund rekomandimet apo vërejtjet përkatëse për tu zbatuar (normalisht) në vitin 2025 nga institucionet, kur mbeten vetëm dy muaj për mbylljen e vitit.
Dublimi
Përpos raportimit formal të këtyre institucioneve, në kalendarin e punës tre javore të Kuvendit të gjitha institucionet do të duhet të raportojnë në dy komisione njëherazi, tek komisioni përgjegjës dhe tek një komision i ngritur rishtazi ai për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale i drejtuar nga Fatmir Xhafaj

Detyrat
Më pak fjalë. kompetencat e komisionit “’Xhafaj” përfshijnë monitorimin e strategjive dhe vendimeve të Kuvendit, shqyrtimin e peticioneve qytetare dhe kontrollin post-legjislativ për të parë se si zbatohen ligjet.
Si do të funksionojë?
Gjatë konstituimit të komisionit, kryetari Fatmir Xhafaj tha se do të ketë mbledhje të përbashkëta me komisionet përgjegjëse për raportimet vjetore të disa organeve kushtetuese, atyre të ngritura me ligj si dhe institucioneve të varësisë për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024.
Mbetet e paqartë se cfarë roli konkret do të ketë ky komision mbi institucionet që do të raportojnë dhe a dublon kompetencat e komisionit përgjegjës në këtë rast.
Problematika
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, ngriti si problematikë mënyrën se si do të koordinohet me komisionin “Xhafaj” kur do të ketë raportime të përbashkëta
“Ai (komisioni) është në mbivendosje të përgjegjësive funksionale në gjykimin tonë edhe në shkelje të rregullores…”, tha Tabaku.