Ne foto: Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Sy më Sy” me qytetarët, ka lëshuar një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj SPAK por edhe Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me bashkëpunimin e këtyre të fundit për hetimin e krimeve zgjedhore. Duke folur për nevojën e respektimit të standardeve dhe një drejtësie europiane, Rama e fokusoi vëmendjen tek ndarja e pushteteve. Në një përgjigje të pakërkuar nga ndonjë ndjekës, Rama tha se ekzekutivi nuk mund të jetë subjekt trysnie, paragjykimi apo cenimi të të drejtave të tij vendimmarrëse, ashtu si edhe administrata dhe punonjësit e shtetit. Rama e sheh nismën si një shqetësim për survejim të partive politike në procesin zgjedhor, i cili, sipas tij, nuk duhet të ndodhë, pasi cenon liritë dhe të drejtat politike. Sipas tij, përpjekja për të luftuar krimet zgjedhore duhet të bëhet në kuadër të Kushtetutës, pa ndërhyrje të ndërsjella mes institucioneve.

Rama

“…Nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Unë uroj që kjo do të jetë një lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor sepse nuk mundet dot kurrën e kurrës që ne të kthehemi në kohëra kaq të errëta saqë kush merret me politikë të survejohet. Përpjekja e përbashkët për të luftuar dhe për krimet elektorale bëhet secili në pozicionin e vet kushtetues dhe në llogoren e vet. Dalja nga këto pozicione është ndërhyrje flagrante në liritë dhe të drejtat politike të shqiptareve dhe të përfaqësuesve të tyre. Kështu që të gjitha këto janë me rëndësi për t’u diskutuar, por ama ajo që mbetet është domosdoshmëria për ta mbështetur fuqimisht drejtësinë, për ta mbështetur fuqimisht SPAK, për të mbështetur fuqimisht gjykatën që të bëjnë punën e tyre.  Në fund secili vendos në punën e vet. Ata kanë të drejtë të marrin vendimet e tyre, ndërkohë që ne vendosim në punën tonë, kemi të drejtë të marrim vendimet tona dhe nuk duhet të interferojmë tek njeri tjetri…”, tha Rama.

SPAK

Në fund të muajit Janar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi për një plan masash për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit.

Urdhri u lëshua nga kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili do të drejtojë grupet hetimore në terren, (për 12 qarqet dhe 61 bashkitë) të përbëra nga prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë dhe staf administrativ.

Këtë të enjte, Prokuroria e Posaçme publikoi “Strategjinë e Hetimit dhe Parandalimit të Krimit Zgjedhor: Zgjedhjet për Kuvendin 2025”. Sipas SPAK strategjia parashikon:

•Verifikimin në terren të indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025

•Verifikimin e raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme

•Monitorimin e mediave dhe rrjeteve sociale për indicie të mundshme në kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve

•Bashkëpunimin ndërinstitucional me Prokurorinë e Përgjithshme, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë e Shtetit, organizmat ndërkombëtare, organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore, etj.

Grupet e SPAK do të monitorojnë raste të keqpërdorimit të administratës publike (gjatë dhe ditën e zgjedhjeve), infrastrukturës shtetërore dhe përfshirjen e gupeve kriminale në zgjedhje. Për këtë arsye, më herët kreu i SPAK zhvilloi një takim edhe me kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi.

Seksionet  

Ndërkohë, një ditë më parë, u njoftua se në çdo prokurori rrethi në vend do të ngrihen seksione të posaçme të përkohshme për hetimin e krimeve zgjedhore.

Në udhëzimin e firmosur nga prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela thuhet se seksionet do të ngrihen brenda 10 ditëve dhe do të funksionojnë deri në fund të majit. Ato do të drejtohen nga drejtuesit e prokurorive në 13 prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe do të kenë në përbërje të tyre prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore. Për të siguruar bashkëpunim institucional efektiv për procesin zgjedhor, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se do të koordinohet veprimtaria edhe me Prokurorinë e Posaçme, SPAK dhe KQZ në të gjitha nivelet, me qëllim transmetimin në kohë të shpejtë të kallëzimeve penale, procedimeve penale dhe çdo të dhëne tjetër.