Komisioni parlamentar në luftën kundër dezinformimit do të kalojë për konsultim publik këtë javë një dokument i hartuar me ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Qëllimi është lufta kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja keqdashëse përmes rregullimit më efektiv të kuadrit ligjor, bazuar në katër elementë.  Një prej tyre është edhe ndalimi i ndërhyrjeve të huaja në ekonomi.  

mbledhjen e fundit të komisionit të posaçëm parlamentar, eksperti për ekonominë, Arben Malaj tha se, Shqipëria ka nivel minimal rreziku nga Rusia, ndërsa ndikimi i Kinës në sektorë kritikë po reduktohet.  Sipas tij, Irani është shumë agresiv (jo në ekonomi) por në sulme kibernetike ndaj institucioneve publike dhe private të shtetit shqiptar.

Një tjetër shqetësim i evidentuar nga eksperti i ekonomisë janë investimet me burime të panjohura dhe evazioni fiskal në investimet e huaja direkte.

Të dhënat

Nga një përmbledhje e bazuar në draft dokumentin strategjik të hedhur për konsultim nga komisioni kundër dezinformimit vihet re se në shumë vende, rregullimi i investimeve të huaja direkte (IHD) po bëhet më i rreptë, duke kërkuar dorëzimin e dokumenteve përpara transaksioneve dhe duke u dhënë autoriteteve fuqinë për të ndërhyrë në çdo fazë të procesit. Rregullat për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte ndryshojnë, pasi çdo vend i përshtat ato me objektivat e veta politike dhe shqetësimet që vijnë për sigurinë kombëtare.

Në disa raste, investimet e huaja me ndikim të madh mund të kërkojnë miratim nga Kuvendi ose të jenë subjekt i shqyrtimit nga komisionet parlamentare, sidomos kur lidhen me sigurinë kombëtare dhe interesin publik.

Vendet jo miqësore

Arben Malaj është shprehur se, investimet nga vende jo-miqësore nuk duhet të përfitojnë koncesione të zgjatura dhe se Kuvendi i ardhshëm duhet të ketë prioritet reduktimin, në mos, ndalimin e investimeve nga këto vende.  Malaj vëren se është gjithashtu e nevojshme përmirësimi i negociatave për koncesionet, duke shmangur marrëveshjet afatgjata.

”… Të përmirësohen negociatat me kompanitë e reja koncesionare. Duhet të përmirësohet kuadri negociues qoftë për kriteret, qoftë edhe për institucionet dhe koncesionet e reja që të kenë një periudhë më të arsyeshme, jo të gjatë, pasi teknologjitë po përparojnë shumë shpejt dhe pasuritë tona natyrore janë në proces rivlerësimi. Nëse ne ofrojmë koncesione afatgjata, ne shkurtojmë kohën e përfitimit tonë”, tha ai.

Nisur edhe nga eksperienca, Malaj nënvizoi se lufta kundër dezinformimit duhet të bazohet në dy komponentë.

“E vërteta është se ne nuk e fitojmë dot luftën me dezinformimin nëse ne nuk bazohemi në dy kolona kryesore; edukim dhe parandalim dhe ne duhet të krijojmë një sistem fakt- check për të ndarë përgjegjësitë”. 

Lajmet e rreme, sipas tij, përhapen shumë më shpejt se ato të vërteta, veçanërisht në sektorin bankar duke krijuar trazira sociale, zhgënjim, protesta, instabilitet ekonomik dhe politik.

“Të parët që tremben janë depozituesit dhe investitorët, ndaj kemi këtë shqetësim”, vërejti ai.

Ne foto: Eksperti per ekonomine, Arben Malaj, ne komisionin parlamentar per luften kunder dezinformimit

Dezinformimi

Malaj solli në vëmendje një studim të fundit për dezinformimin përgatitur nga Fakulteti i ‘Massachusetts Institute of Technology’ ku thuhej se, ”shpejtësia e një lajmi dezinformues është gjashtë herë më e madhe se shpejtësia e një lajmi të zakonshëm”.

Ajo që tremb, sipas tij, është fakti se dezinformimi po arrihet me kosto minimale.

Malaj kërkoi të reduktohet mbivendosja institucionale dhe tha se po diskutohet për një kuadër ligjor më të qartë për mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare për të parandaluar përhapjen e informacionit të rremë.

“Personalisht besoj se duhet të kemi një institucion që ka një detyrë ligjore dhe një eksperiencë sesa të krijojmë një mbivendosje sepse ne kemi një ligj për konsumatorin në tërësi. Kemi Bankën që me ligjin e saj organik është përgjegjëse për t’i paraprirë procesit të dezinformimit. Me sa di unë të gjitha bankat tregtare në Shqipëri janë të detyruara që të kenë një koordinator për dezinformimin i cili koordinon edhe me Bankën Qendrore sepse shpejtësia e përhapjes së zjarrit bankar tek depozituesit ecën më shpejt se gjithë të tjerat…”

Bankat

Referuar gjetjeve në draft dokumentin strategjik, aktualisht, Shqipëria nuk ka një legjislacion specifik për adresimin e dezinformimit në sistemin financiar dhe bankar.

Kuadri ligjor ekzistues është i kufizuar dhe institucionet mbikëqyrëse nuk disponojnë mjete të mjaftueshme për të monitoruar dhe frenuar përhapjen e informacionit të rremë në kohë reale.

Propozimet

Për këtë qëllim, grupi i ekspertëve ka përgatitur draft- propozimet me qëllim forcimin e mbrojtjes ndaj dezinformimit dhe ndikimeve të huaja.

Ato konsistojnë ndër të tjera në ngritjen e një platforme bashkëpunimi ndërmjet bankave, subjekteve jo banka, institucioneve mbikqyrëse dhe institucioneve mediatike për raportimin dhe monitorimin e informacionit të rremë në kohë reale, zhvillimi i platformave të pavarura të fakt-kontrolleve (fakt-check) me argumentin se kontrolli i fakteve përmes organizatave të pavarura të lajmeve dhe organizatave të shoqërisë civile konsiderohet si metoda që kontribuon më mire për të luftuar përhapjen e dezinformimit online. Volitet gjithashtu që institucionet financiare të komunikojnë në mënyrë pro aktive dhe transparente me publikun për të kundërshtuar informacionin e rremë