Fushata nis me mesazhe dhe simbolika, Elbasani dhe Durrësi nën lupën e riskut zgjedhor

Nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet parlamentare të 11 majit

173

Më 11 prill (sot)nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Çdo forcë politike ka zgjedhur mënyra të ndryshme për të nisur garën, duke premtuar në bllok shpalosje të programeve dhe mesazhe politike.

Partia Socialiste

“Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”, është slogani i PS-së që përforcon retorikën e vazhdueshme të kësaj force politike se, “vetëm  Edi Rama mund ta përmbushë këtë aspiratë”. Slogani tregon gjithashtu përqendrim të gjithë fushatës rreth një figure të vetme politike.

PS do të çelë zyrtarisht fushatën (nesër) më 12 prill në orën 12:00 në Sheshin “Skënderbej”, duke përdorur si simbolikë 12 yjet e flamurit të Bashkimit Europian, një metaforë për 12 qarqet e Shqipërisë dhe për destinin kryesor të PS-së, anëtarësimin në BE.

Çdo qark do të përfaqësohet nga një ekip delegues ndërsa nga Tirana do të flasë vetë Edi Rama.

Më 11 prill, (sot) PS zhvillon takime virtuale me gratë dhe vajzat në të 12 qarqet, ndërsa vetë ai do të jetë i pranishëm në Teatrin e Operas dhe Baletit në një sallë plot me gra. Fokusi do të jetë roli i grave në strukturat drejtuese, dhe rëndësia e barazisë gjinore në politikë.

PD-ASHM

Partia Demokratike dhe koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore drejtuar nga Sali Berisha  do të hapin fushatën sot në orën 19:00 në Sheshin “Nënë Tereza”. Skena është ngritur prej dy ditësh dhe aktiviteti i zhvilluar pasdite paralajmëron një takim me mesazhe politike ku përveç drejtuesve të koalicionit, pjesëmarrës do të jenë edhe figura publike jashtë politikës. Pritet të flasë Chris Lacivita, strategu amerikan që PD e prezanton si njeriun që do të drejtojë fushatën, herë nga SHBA dhe herë në terren.

Programi elektoral i PD do të prezantohet i plotë më 12 prill, ora 17:00, në Pallatin e Kongreseve para anëtarëve të Këshillit Kombëtar

“Nisma- SHB” dhe Lëvizja “Bashkë”

 Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” do ta hapë fushatën më 12 prill në Vlorë, në orën 18:00, ndërsa Lëvizja “Bashkë” e Arlind Qorit zgjedh Fierin për nisjen zyrtare të saj më 13 prill, në orën 10:30.

“Mundësia”

Agron Shehaj i partisë “Mundësia” e hap fushatën më 12 prill me një format ndryshe një tur 12-orësh me autobus, që do të përshkojë Shqipërinë nga Shkodra në Sarandë, duke ndaluar në qytetet kryesore për takime me qytetarët. Më 13 prill ai është shprehur se do të prezantojë programin e plotë elektoral.

Koalicioni Euroatlantik

Lulzim Basha do ta hapë fushatën më 12 prill në orën 11:00, te Xibraku. Ai garon në zgjedhje nën logon e Koalicionit Euroatlantik, duke u pozicionuar si alternativë perëndimore dhe pro-integrimit.

Zonat e riskut

11 maji pritet të jetë një betejë vendimtare për secilën prej këtyre forcave. Partitë politike kanë paralajmëruar shumëcka në fushatën e tyre të parakohshme, ndërsa hapin fushatën dikush me performanca artistike, dikush me simbole europiane e me mesazhe politike. Por si është situata në terren?  ISP në një raport të hollësishëm flet mbi zonat me riskun më të lartë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Harta nuk konfirmon shkelje të standardeve zgjedhore dhe as zona ku do të ketë konflikt/incidente apo devijim të votës, por paralajmëron se ku mund të ketë duke ndihmuar në këtë mënyrë në parandalimin e çdo forme të abuzimit me votën dhe cenimit të standardeve.

Risku i lartë

Sipas raportit të hartuar nga ekspertët e ISP, Bashkia Elbasan dhe Durrës kanë koeficientin më të lartë të riskut, (87%), për shkak të ndërthurjes së shumë elementëve aty (ekzistenca e korrupsionit në nivele të larta, grupeve kriminale  me ndikim, lidhjeve të forta informale, nivelit të trafikimit të votës dhe rolit të individëve të fuqishëm ekonomikisht, si dhe traditës në 2-3 zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale). Pas tyre dhe për të njëjtat motive vijnë bashkia Dibër, bashkia Lezhë, bashkia Kurbin, bashkia Shkodër, Fier etj.

Risku i ulët

Zonat me riskun më të ulët elektoral janë kryesisht zonat tradicionale të specifikave të njëjta edhe me zgjedhjet e viteve 2015-2025. Të tilla, sipas ISP, janë Përmeti, Maliq, Konispol, Finiq, Dimal, Gramsh, Belsh, etj, zona të cilat sipas ekspertëve nuk kanë krim të organizuar, nuk kanë individë të fuqishëm politikë dhe ekonomikë pas tyre, si dhe nuk kanë peshë të madhe elektorale.