Në një nga punimet e seancave parlamentare, në debatin e 5 dhjetorit mes PS dhe PD, u mësua se mazhoranca kishte depozituar një projektligj për anullimin e të gjitha masave administrative të paekzekutuara, të vendosura, nga data 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024 në zonat rurale, nga disa inspektoriate në vend dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Partia Demokratike pretendoi se nuk ishte në dijeni të këtij propozimi dhe se drafti po sillej me procedurë të përshpejtuar kur mbeten edhe pak muaj nga zgjedhjet.
Debati mbi projektligjin e propozuar nga Partia Socialiste ka të bëjë me disa aspekte të rëndësishme ligjore, politike dhe morale, që lidhen pikërisht me masat administrative të vendosura nga autoritetet ndër vite. Ndaj dhe përmbajtja e tij nuk kaloi pa u komentuar (jo vetëm) nga PD qysh ditën e propozimit.
Përmes një reagimi për Faktoje.al, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e sheh nismën e fundit të PS, si lëvizje për përfitime elektorale, sa kohë zgjedhjet e 2025 nuk janë larg.
“Çdo vendim duhet të marrë parasysh interesin publik dhe të mos përdoret për qëllime elektorale. Çfarë vlere ka të amnistosh gjobat kur nuk ke ndryshuar ligjin që është tendencioz?“, Jorida Tabaku
“Çdo vendim duhet të marrë parasysh interesin publik dhe të mos përdoret për qëllime elektorale. Çfarë vlere ka të amnistosh gjobat kur nuk ke ndryshuar ligjin që është tendencioz? Duan të falin gjobat për ndërtimet në fshat, ndërkohë që kanë propozuar 18 ligje me porosi dhe asnjë propozim me porosi s’ka qenë për të lehtësuar lejet e ndërtimit në fshat.
E dyta, a ka një analizë apo raport në lidhje me këto abuzime? Çfarë ka shkuar keq dhe përse falen këto gjoba? Sepse amnistia në fjalë nuk është si amnistia penale që ka një sens edhe social edhe njerëzor. Në ndërkohë që kemi këtë debat qeveria shqiptare ka sjellë propozime ligjore me gjoba disafish më të larta në Kuvend. Pra, në thelb cila është arsyeja që po falen gjobat? Gjithçka shkon tek një drejtim, zgjedhjet 2025”, thotë Tabaku.
Në anën tjetër, deputeti i PS-së, Toni Gogu, në një përgjigje shteruese për Faktoje.al sjell ndër radhë si argument kontekstin social dhe ekonomik, por jo zgjedhjet.
“Propozimi i një nisme që i jep fund këtyre barrave administrative reflekton një përpjekje për të adresuar një situatë të vazhdueshme që ka prekur kryesisht shtresat më të cenueshme të shoqërisë”, Toni Gogu
“Për vite me radhë, shumë prej këtyre masave administrative kanë qenë të vështira për t’u përmbushur nga individët, veçanërisht kur ato lidhen me ndërtimet për nevoja strehimi ose aktivitetet e bujqësisë dhe blegtorisë. Propozimi i një nisme që i jep fund këtyre barrave administrative reflekton një përpjekje për të adresuar një situatë të vazhdueshme që ka prekur kryesisht shtresat më të cenueshme të shoqërisë”, thotë ai. Ai vëren se, “me kalimin e viteve, disa masa administrative kanë rezultuar të papërballueshme dhe, në shumë raste, të paekzekutueshme, duke grumbulluar një barrë të rëndë për individët dhe subjektet”.
Në thelb ky draft, sipas tij, synon të vendosë një standard drejtësie dhe proporcionaliteti në trajtimin e masave administrative. Z.Gogu nënvizon gjithashtu se drafti luan një rol thelbësor në adresimin e pabarazive strukturore midis zonave rurale dhe urbane. Përqendrimi, sipas tij, vetëm në zonat rurale reflekton gjithashtu ndjeshmërinë ndaj sfidave sociale të këtyre komuniteteve
Çfarë ndodh me ata që kanë paguar gjobat?
Ka një debat të hapur mediatik për anulimin e masave administrative të paekzekutuara, pasi në thelb favorizohet shkelësi në dëm të atyre që kanë respektuar rregullat, në këtë rast ata që kanë paguar gjobat. Atëherë çfarë mesazhi përcillet për këta të fundit? Deputeti i PS-së, Toni Gogu, e argumenton nismën ligjore mbështetur mbi disa faktorë socialë, ekonomikë dhe juridikë, të cilët, sipas tij, reflektojnë një përpjekje për të adresuar vështirësitë e qytetarëve në mënyrë të drejtë dhe proporcionale. “Nga ana tjetër, të gjithë individët që kanë ekzekutuar masat kanë përmbushur detyrimet e tyre në përputhje me ligjin e kohës. Lehtësia nuk ndryshon vlefshmërinë e këtyre vendimeve, por thjesht adreson çështjet aktuale të disproporcionalitetit. Në këtë kuptim, lehtësia nuk zhbën të kaluarën, por adreson të tashmen si një instrument për të përmirësuar situatën aktuale dhe për të mbështetur grupe të caktuara në nevojë”, sqaron ai.
Fatura?
Nga PS-ja nuk ka ende një shifër zyrtare se sa është fatura e faljes së gjobave. Shifra nuk është reflektuar as në relacionin shpjegues të projektligjit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
A mund të shërbejë projektligji i propozuar si precedent për anulimin e masave administrative në të ardhmen? Për t’ju përgjigjur deri diku kësaj pyetje, duhet të shkojmë, pak më larg nga sot, në një nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2022. Atë vit, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një dispozitë të ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, duke argumentuar se gjobat për ndërtimet pa leje për nevoja strehimi ishin disproporcionale dhe cenonin të drejtën kushtetuese të pronës.
Projektligji aktual i propozuar nga PS synon reflektimin e drejtpërdrejtë të këtij vendimi
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese kap periudhën nga 2022 e më tej. Në këtë kuptim, në mungesë të efektit prapaveprues të vendimit të Gjykatës, projektligji mund të shihet si një zgjidhje alternative për të korrigjuar masat e marra përpara kësaj periudhe, dhe që nuk janë ekzekutuar ende. Në thelb, ai nuk është vetëm një nismë për faljen e gjobave, por edhe një hap drejt zbatimit të drejtësisë kushtetuese dhe vendosjes së një qasjeje më të drejtë për masat administrative në të ardhmen. Kjo lidhje e qartë dhe harmonike me vendimin e Gjykatës është ajo që i jep legjitimitet projektligjit”, thotë Toni Gogu, deputet i PS
Ndryshe e sheh deputetja e PD-së, Jorida Tabaku. Ajo vëren se, historia e gjobave të falura është film i parë më herët: “Kjo është një qeveri që nuk zbaton vendimet e gjykatave kur ato nuk iu interesojnë. Iu deshën katër muaj që të lexojnë me syzet e Ligjit vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Profesionet e Lira dhe po ashtu nuk kanë dashur të lexojnë as shfuqzimin që i bënë gjobave. Kështu, në kushtet e fushatës maskojnë zbatimin e vendimit si një qokë për shqiptarët. Historia e gjobave të falura është një film i parë më herët, në vitin 2020 që po qeveria socialiste ishte ajo që fali gjobat e vendosura për maskën e COVID-19. E njëjta qeveri që përditë deklaronte shifrat me qindra mijëra lekë gjoba, erdhën zgjedhjet dhe i fali. Kjo nuk është serioze, por me ç’duket karrotat e qeverisë për shqiptarët kanë përfunduar sikundër dhe truket e tyre…”