Lajmi se një bankë e madhe e nivelit të lartë kishte rrezikuar depozitat e shqiptarëve si pasojë e një hakerimi të sistemit online, mori dhenë në vjeshtën e vitit 2022, duke alarmuar klientët.
Ky ishte një lajm i pavërtetë, i cili bazën e kishte te njoftimi online i vetë bankës, që paralajmëronte klientët e saj për një “skemë peshkimi” (phishing).
Ky është vetëm një nga rastet e verifikuara nga Faktoje, që tregon se si informacioni i pasaktë mund të dëmtojë rëndë një biznes, duke shkaktuar panik, humbje financiare dhe ulje të besueshmërisë në publik.
Dezinformimi, veçanërisht kur përhapet në rrjetet sociale, mund të shkaktojë dëme të mëdha financiare dhe reputacionale, humbje të të ardhurave dhe mosbesim nga konsumatorët.
Rreziku nga dezinformimi në sektorin financiar
Në nivel botëror, dezinformimi dhe manipulimi i informacionit, janë ndër rreziqet më të mëdha që i kanosen sot biznesit. Për vitin 2025, Raporti i Rreziqeve Globale i përpiluar nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) e rendit dezinformimin si një nga tre rreziqet më të mëdha globale. Për të dytin vit radhazi, keqinformimi dhe dezinformimi klasifikohen si rreziqet kryesore, për një periudhë dyvjeçare.
“Raporti i Rreziqeve Globale për vitin 2024 i klasifikon dezinformimin dhe keqinformimin në vendin e dytë për afatshkurtër dhe në vendin e pestë për afatgjatë,” shkruan prof. Dr. Arben Malaj në një analizë mbi ndikimin e dezinformimit në stabilitetin financiar.
Kostot e dezinformimit në Shqipëri
Në Shqipëri, ku numri i faqeve online pa rregullim ligjor është i lartë, rreziku nga dezinformimi mbetet i konsiderueshëm. Lajmet e nxjerra nga konteksti, postimet për klikime dhe mungesa e transparencës në drejtimin e mediave online e bëjnë tregun më të cenueshëm.
Pyetja që shtrohet është: Sa të përgatitura janë bizneset në Shqipëri për t’u përballur me dezinformimin sot?
Në një mjedis ku informacioni shpesh është i paqëndrueshëm, i pasaktë dhe i pakontrolluar, bizneset shqiptare duhet të jenë më vigjilente se kurrë.






Gjatë takimi me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë Franko-Shqiptare
“Kufiri mes informimit dhe dezinformimit është shumë i hollë. Sa i fuqishëm është informacioni i saktë, aq i dëmshëm është ai i pasaktë. Bizneset janë detyruar të zhvillojnë mekanizma kontrolli për të paraprirë dëmet reputacionale apo financiare që sjell dezinformimi,” shprehet Bora Feri, Drejtore e Dhomës së Tregtisë Franko-Shqiptare.
Një ndër problematikat që vuan sot media në Shqipëri është fenomeni i lajmeve-karrem për klikime, që ka ndikim të madh te sipërmarrjet. Shpeshherë lajmet nxirren nga konteksti ose titujt ekzagjerohen.
Fakti është që tregu online i mediave në Shqipëri është ende i parregulluar dhe, duke vepruar “pa rregulla”, shpeshherë edhe përgënjeshtrimi i një lajmi të pavërtetë nuk kalon nëpër mekanizma të përcaktuar, por mbetet në raporte individuale mes publikuesit dhe drejtuesit të kompanisë.
“Më ka ndodhur që të më publikojnë një lajm të pavërtetë, sikur isha emëruar drejtor diku tjetër. Pa asnjë verifikim nga ana e medias. Zgjidhja që i dhashë ishte të telefonoja dhe t’u kërkoja që ta fshinin informacionin,” shprehet një prej përfaqësueseve të biznesit.
Strategji për t’u mbrojtur
Nevoja për strategji mbrojtjeje nga dezinformimi është vendimtare sot. Mekanizmat që mund të ndihmojnë bizneset, përveç atyre ligjore, janë: zhvillimi i mendimit kritik, njohja e elementeve kyç të një lajmi si autorësia, transparenca e medias dhe krijimi i mekanizmave për parandalimin e dëmit reputacional.
Trajnimi i stafit për të identifikuar dhe raportuar dezinformimin është një praktikë e mirë për të reduktuar rrezikun. “Pre-bunking”, pra shpërndarja e informacionit faktik përpara se të përhapet një e pavërtetë, ka rezultuar efektive në kundërshtimin e narrativave virale.
“Ekzistenca e mekanizmave të kontrollit dhe verifikimit të fakteve shërben si një busull e jashtme, sepse ka biznese aq të mëdha sa nuk e kontrollojnë gjithmonë se çfarë ndodh brenda,” shprehet Feri.
Nuk ka një zgjidhje të vetme për t’u përballur me dezinformimin, por mendimi kritik është thelbësor. Partneriteti me organizata të verifikimit të fakteve, komunikimi i shpejtë dhe përdorimi i mjeteve të monitorimit ndihmojnë në shpejtësinë e reagimit ndaj përhapjes së dezinformimit, përpara se të dalë jashtë kontrollit.
“Organizata si Faktoje në Shqipëri janë shumë të vlefshme për të gjitha tregjet, por veçanërisht për tregun tonë, ku informacioni është më i ndërlikuar. Edukimi është i pazëvendësueshëm. Ai duhet të fillojë që në vegjëli dhe të ushqejë mendimin kritik për konsumimin e informacionit, për të vërtetën dhe për mekanizmat e të kuptuarit të saj,” – Bora Feri, Drejtore e Dhomës së Tregtisë Franko-Shqiptare.

Bora Feri, Drejtore e Dhomës së Tregtisë Franko-Shqiptare
Sot, kur lajmi i rremë mund të përhapet më shpejt se e vërteta, reagimi i mirëkoordinuar është çelësi për të ruajtur integritetin dhe qëndrueshmërinë.
Ndaj është e nevojshme që bizneset të zhvillojnë strategji për menaxhimin e reputacionit dhe komunikimin në krizë, me plane të verifikuara për reagim në kohë reale, të cilat janë të domosdoshme.






