Bashkimi Evropian thekson rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për paketën e projekt-amendamenteve të Kodit të ri Penal duke përfshirë institucionet e drejtësisë, aktorët e sundimit të ligjit dhe shoqërinë civile.

REAGIMI

përgjigje të një kërkese zyrtare për informacion nga “Faktoje”, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë thotë se, “rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë”.

Për pasojë, zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë, sqaron “rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e sundimit të ligjit, si dhe me shoqërinë civile për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të rezultojë”.

Delegacioni i BE-së thotë se, ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, si rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria.

Në të njëjtën kohë, BE-ja sqaron se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve dhe për pasojë ende nuk ka një qëndrim mbi këto projekt-amendamente.

Megjithatë, delegacioni i BE-së nënvizon faktin se, si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria, në periudhën afatshkurtër, inkurajohet “që t’i japë përparësi atyre ndryshimeve legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet e përkohshme të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret)”.

BE-ja gjithashtu shprehet e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim.

SPAK

Në të njëjtën ditë, përmes një takimi informal që kryetari i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi me gazetarët, rezultoi se Prokuroria Speciale nuk ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e Kodit të ri Penal. Dumani u shpreh se debati për Kodin fillimisht duhej bërë nëse kishte nevojë për ndërhyrje në Kodin aktual Penal apo për një Kod të ri Penal?!.

Dumani nuk komentoi draftin e ri, sa kohë që, sipas tij, paketa e propozimeve nuk kishte mbërritur ende në SPAK.

Një ditë më parë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsi Çela, tha se institucioni që përfaqëson nuk është thirrur për të dhënë mendim.

Kodi i ri, ideja që në 2020

Në shkurt të vitit 2020, ish-ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi nismën për ndryshimet në Kodin Penal. U përzgjodh një grup pune me në krye Arben Rakipin, ndërsa u tha se do të merreshin propozime edhe nga grupe interesi, si prokuroritë, dhoma e avokatisë, gjyqësori dhe Komiteti i Helsinkit.

Pesë vite më vonë, me thuajse të njëjtat qëndrime, ministri aktual i Drejtësisë Ulsi Manja tha se “Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe se zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por në rrethanat ku jemi është edhe i pashmangshëm”

Artikulli paraprakFatura politike e premtimit të Ramës për Thethin
Artikulli tjetërKosova u mburr me ushtrinë në Veri, por nuk modifikoi imazhet
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.