“Vetëm me burrin jetojmë këtu se s’kemi ku shkojmë tjetër. Me shumë mund, por edhe atë mund na e mori lumi”, rrëfen Gjelina që edhe ajo si fqinja Marjanë “hairin” shtetit deri më tani ia ka parë me një pako të vogël ushqimore.
Në lënie të Barbullojës, në pjesën jugore të saj situata është vërtetë alarmante, ndërsa një pjesë tjetër e fshatit nuk ka pësuar ende përmbytje, por frika është e madhe. Vënia në funksion të plotë e Hidrovorit të Vainit është thelbësor në situatën e përmbytjeve në zonat rurale të Lezhës.
Prania e një ekskavatori të madh është tregues se po punohet me intensitet për të mos kaluar në fatkeqësi edhe më të mëdha dhe përmbytje që do sillnin pasoja të konsiderueshme. Në Hidrovor po punohet për thellimin e basenit dhe vënien në funksion të plotë të të gjitha pompave.
Niveli i ujit është gati në limite për të dalë nga shtrati dhe depërtuar në toka dhe banesa edhe në fshatin Rrilë.
Prej disa vitesh Lezha kishte dalë nga harta e përmbytjeve, duke vendosur në “gjumë” edhe strukturat vendore që sikurse na thanë banorët prej katër vitesh nuk kishin ndërhyrë në pastrimin e kanaleve kryesore kulluese dhe vendosjen e disa argjinaturave qoftë edhe me mbetje të ngurta përgjatë rrjedhës së Drinit dhe veçanërisht në kilometrat e fundit të grykëderdhjes së tij, aty ku rreziku i daljes nga shtrati duke shkaktuar përmbytje është i madh.
Përmbytjet e fundit në Lezhë nuk janë surprizë natyrore. Të dhënat zyrtare tregojnë se investimet për parandalimin e fatkeqësive në këtë bashki janë minimale. Transfertat e pakushtëzuara për Bashkinë Lezhë rriten nga 2025 në 2026 me rreth 83 milionë lekë, por shpërndarja është e pabarabartë.
Ujitja dhe kullimi, zëri më kritik për një bashki të ekspozuar ndaj përmbytjeve, trajtohet si dytësor. Vetëm 2.7 milionë lekë shtesë. Një rritje modeste përballë nevojave reale për kanalet e bllokuara, argjinaturat që kërkojnë mirëmbajtje dhe sistemet e shpërndarjes së ujit që dorëzohen sa herë nis sezoni i reshjeve.

Rrugët, pyjet, administrimi i territorit, të gjitha funksione që lidhen drejtpërdrejt me parandalimin e fenomeneve natyrore, mbeten thuajse të ngrira. Ndërkohë, rritja më e madhe shkon te pagat, me afro 25 milionë më shumë se një vit më parë.
Përmbytjet e Barbullojës dhe fshatrave të tjera tregojnë se investimet nuk mund të presin, sepse natyra nuk fal vonesa. “Do Zoti qetësohet gjendja se po të jetë për shtetin kemi mbaruar”, thotë me bindje Frrok Gjoka, duke qarë hallin për shkatërrimin e orendive dhe mbytjen e disa shpendëve.