“Sot, një biznesmen nga Napoli më dërgonte një mesazh. Doktor thoshte, kam një sipërmarrje këtu, kam 100 punëtorë, kam prenotuar 2 autobusë, do vij bashkë me ta të votoj më 11 maj. Por unë, pas fitores dua të rikthehem.
Dy rreshta i shkrova: 5 vjet, pa asnjë taksë. Je i mirëseardhur!”, kumboi Berisha në një takim elektoral të mbajtur në Tropojë.
Premtimi i Berishës për 5 vjet pa taksa, pas kthimit nga votimi për të, nuk është i pari, ndonëse shtatë kandidatë për deputetë janë nga diaspora (në emër të PD), të gjithë në listat e hapura.
Udhëtimet
Tre udhëtimet e Sali Berishës zhvilluar në kohë të ndryshme me diasporën tregojnë se kjo e fundit ka luajtur rol të rëndësishëm si burim financiar dhe logjistik për fushatën e Partisë Demokratike. Të paktën kështu rezulton nga përgjigjet që Faktoje.al disponon nga selia e PD-së.
Faktoje ka dërguar paralelisht kërkesa për informacion pranë dy partive të mëdha PD e PS-së bazuar në një sërë pyetjesh, që në thelb lidhen me raportimin e shpenzimeve dhe faturën e takimeve që Berisha dhe Rama kanë zhvilluar në kohë të ndryshme në diasporë.
Shpenzimet
PD përgjigjet se shpenzimet për udhëtimet e Berishës në tre takime në diasporë janë mbuluar nga degët e PD-së jashtë vendit, pa sqaruar konkretisht gjithë hallkën apo mekanizmin financiar. Nuk ka gjithashtu referencë për fatura konkrete ose shifra, duke u përgjigjur se, “të gjitha faturat që duhet të deklarohen sipas ligjit do të deklarohen në KQZ në datën e caktuar nga ligji”.
Bashkatdhetarët
Partia Demokratike thotë se, “të gjitha udhëtimet e Berishës janë mbuluar me fonde të partisë, dhe donacione të mbështetësve të shumtë të PD në diasporë”. PD përgjigjet se nuk janë donatorë të huaj (sipas ligjit), ndërsa specifikon ndër radhë se disa ambiente i kanë marrë falas.
”Duke qenë se disa prej ambienteve kanë qenë në pronësi të institucioneve publike si biblioteka (në Casano d’Ada-Milano) apo shkolla (në Londër) për to nuk është paguar asgjë”. Drejtori i ISP, Afrim Krasniqi, sqaron se “deklarata të tilla (për ambiente falas) duhen dokumentuar në çdo rast. Çdo takim duhet të ketë dokumentacion shoqërues, përfshirë pagesat e udhëtimit dhe akomodimit”.
Degët
PD nga ana e saj nënvizon në përgjigje se, “e gjithë logjistika është mbuluar nga degët e Partisë Demokratike në diasporë dhe mbështetësit e saj në qytete të ndryshme të Europës në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e shteteve ku ata janë nënshtetas”
Shifrat
Nga sa më sipër, në përgjigjet e PD-së për shpenzimet e tre takimeve të Berishës në diasporë konkretisht në Milano, Athinë dhe Romë shmangen shifrat konkrete për shpenzimet dhe identitetin e donatorëve, përdoret shpesh termi i përgjithshëm “do të deklarohen sipas ligjit në KQZ”, por nuk jepet informacion për auditim paraprak.
Parimi
Drejtori i ISP-së Afrim Krasniqi i cili ka ndjekur nga afër zgjedhjet prej vitesh sqaron për Faktoje se Kushtetuta (neni 9) përcakton se shpenzimet e partive politike bëhen kurdoherë publike. Ky parim, sipas tij, duhet të jetë prevalues mbi teknikalitetet e akteve nënligjore të dala në zbatim të Kodit apo ligjit të partive politike. “Institucionet ligjzbatuese kanë përgjegjësinë të kryejnë verifikime, së paku për të parandaluar rastet e financimeve nga palë të treta, financimeve nga krimi i organizuar, financimeve në shkëmbim të vendimmarrjes politike apo financimeve përmes kompanive ose individëve që janë në konflikt interesi me shtetin në shqiptar”, thotë ai.
Roli i KQZ
Përgjigja se raportimi i shpenzimeve do bëhet “siç parashikon ligji” lë të kuptohet se transparenca e plotë është ende në proces, por pikëpyetjet mbeten mbi kontrollin dhe rregullimin e ndikimit të diasporës në fushatat elektorale.
Krasniqi thotë, se sistemi i monitorimit nga KQZ nuk e përfshin diasporën. “KQZ nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë për akt rregullator plotësues. Duke qenë vetë produkt politik ka preferuar të parandalojë ndonjë konflikt të mundshëm me partitë kryesore. Kodi Zgjedhor dhe Ligji mbi partitë politike kanë kufizime lidhur me financimet që vijnë nga jashtë, sidomos nëse janë nga qeveri, organizata apo individë, që nuk janë shtetas shqiptarë”
Zbatimi i ligjit
Gjithcka lidhet mbi dokumentacionet që janë apo duhen dorëzuar në KQZ. Kjo e fundit në bazë të Kodit duhet të monitorojë të gjitha aspektet e financimit të fushatës zgjedhore. Sipas Krasniqit, pothuajse të gjitha partitë kryesore kanë zhvilluar aktivitete jashtë Shqipërisë veçanërisht PS dhe PD. “Në asnjë rast nuk janë dhënë burimet e financimit dhe as nuk janë raportuar si aktivitete në KQZ”.
Sipas Kodit Zgjedhor këto raportime duhen bërë të plota 60 ditë përpara zgjedhjeve, praktikë që dallon shumë nga modelet e vendeve të tjera ku deklarimet bëhen përpara zgjedhjeve, sapo ato ndodhin.
PS, zero transparencë
Faktoje.al dërgoi një kërkesë për informacion edhe tek PS-ja për takimet e kryeministrit dhe kryetarit të PS-së Edi Rama në kohë të ndryshme jashtë vendit për periudhat Tetor 2024, Prill e Maj 2025, për të mësuar nëse pagesat ishin kryer nga burime shtetërore apo partiake dhe sa konkretisht. PS njoftoi se nuk do te kthente pergjigje.